Spekulime lidhur me një paketë të re ndihme për Greqinë
30 Gusht 2013Ministri grek i Financave, Jannis Stournaras, vlerëson se nevojat shtesë të vendit të tij kapin shumën prej dhjetë miliardë eurosh. Por në të vërtetë nuk bëhet fjalë për një paketë tjetër ndihmash, por thjesht për "ndihma ekonomike", deklaroi kohët e fundit Stournaras për gazetën javore të Athinës, "Proto Thema". Me fjalë të tjera: Injeksionet e tjera financiare nuk duhet të lidhen më me masa të reja shtërnguese, të paktën kjo është dëshira e qeveritarëve në Athinë.
Për gazetarin e çështjeve ekonomike Makis Andronopoulos është e sigurt: Greqia nuk do t'ia dalë mbanë pa ndihma të reja financiare. "Shifrat janë megjithatë të qarta dhe tregojnë se në buxhetin grek është një boshllëk financiar nga pesë deri në dhjetë miliardë euro, në varësi të asaj, se si do të zhvillohet ekonomia", tha Andronopoulos për DW-në. Dhe në rast se Greqia në vitin 2014 do të vazhdojë të mbetet në një recesion të thellë, atëherë ndoshta nuk do të mjaftojnë as dhjetë miliardë të tjerë, shpreh frikën e tij eksperti financiar.
Mosmarrëveshje për rrugën e duhur për dalje nga kriza
Në Greqi vazhdojnë ende zënkat rreth shkaqeve dhe pasojave të politikës së reformave. Ndërsa disa theksojnë se projektet e reformave dështojnë si pasojë e kufizimeve politike, apo mungesës së vullnetit për modernizim në nivel lokal, të tjerët besojnë se masat shtrënguese të urdhëruara nga kreditorët ndërkombëtarë mbajnë vendin në një rreth vicioz të borxhit, kursimit dhe recesionit dhe nuk ndihmojnë në zgjidhjen e problemit të borxheve.
Kjo është edhe pikëpamja e Makis Andronopoulos, i cili ka simpati të madhe për strategjinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të orientuar drejt rritjes ekonomike, por pak mirëkuptim për politikën gjermane të konsolidimit. "Më thoni se cila qasje e reformave i shërben rritjes ekonomike në këtë vend, unë nuk shoh asnjë të tillë", shprehet i zemëruar ekonomisti i Athinës në bisedë me DW-në. Shitja e ndërmarrjes fitimprurëse shtetërore OPAP, që kishte monopolin e lojërave të fatit, nuk ishte reformë e vërtetë. Raundi i ardhshëm i shkurtimeve në fondet e pensioneve greke gjithashtu nuk është shenjë e mirë. "Njerëzit kanë nevojë për një perspektivë, këtë duhet ta kuptojnë në Berlin", paralajmëron ekonomisti, i cili është duke punuar aktualisht për një libër për imazhin e Gjermanisë në Greqi.
Lajme të mira dhe të këqija
Në raportin e saj të fundit trojka donatore sheh përparim në konsolidimin e financave publike greke. Arritja e të ashtuquajturit suficit primar në buxhetin e vitit 2014 është një parakusht i rëndësishëm për ndihma të mëtejshme. Greqia do të ketë një shans të mirë për arritjen e këtij qëllimi, thonë ekspertët.
Nga ana tjetër Trojka e përbërë nga Bashkimi Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kritikon dështimet e shumta dhe pasiguritë në fushën e shkurtimeve të vendeve të punës në sektorin publik, si dhe privatizimin e premtuar në vitin 2010, i cili deri sot ka shënuar progres të ngadalshëm. Vetëm këtë vit nga shitja e aseteve shtetërore në arkat e shtetit duhej të kalonin 2.6 miliardë euro. Por qeveria ka korigjuar ndërkohë pritjet e saj dhe llogarit që në arkën e shtetit deri në fund të vitit nga procesi i privatizimit do të grumbullohen vetëm 1.6 miliardë euro.