Speckmann: furnizimi me armë ka traditë
25 Gusht 2014DW: Qeveria gjermane do të dërgojë armë te kurdët që kërcënohen prej terroristëve në Irak. Dërgime të tilla armësh mund të kenë pasoja të paparashikuara e armët mund të bien në duar të gabuara. Cilat janë shembujt që njihni ju?
Speckmann: Kundërshtarët e furnizimit me armë përmendin Afganistanin. Pas marshimit të trupave sovjetike më 1979 atje, disa shtete perëndimore vendosën t'i ndihmojnë muxhahedinët me armë, për të luftuar kundër pushtimit sovjetik. Ekziston teza që këto armë më vonë iu përcollën Talibanëve dhe Al-Kaidas, pra u përdorën kundër Perëndimit. Unë do ta shihja këtë në mënyrë më të diferencuar: kur Talibanët dhe Al-Kaida u bënë armike të Perëndimit, sipas ekspertëve shumica e këtyre sistemeve të armëve nuk mund të përdoreshin më - para së gjithash armë të teknologjisë së lartë si raketa kundërajrore që mbështeten në sup. Në rastin e sistemeve të ndërlikuara të armëve, mund të dyshohet më tej që në vend janë të pranishme njohuritë teknologjike, për t'i mbajtur ato në punë në plan afatgjatë. Por ka edhe armë me përdorim më të gjatë, si pushkët e thjeshta ose automatikët.
Në cilin rast do të kishte dërgimi i armëve efektin "e dëshiruar"?
Më lejoni ta sqaroj problemin me një shembull negativ.Në vitin 1982 kishim luftën e Ishujve Falkland. Regjimi ushtarak i Argjentinës qe armatosur vitet e mëparshme nga SHBA dhe Franca me armët më moderne dhe në mënyrë masive. Vetëm në këtë mënyrë arriti ai ta kryejë fushatën kundër Ishujve Falkland që i përkisin Britanisë së Madhe. Armët u përdorën në këtë luftë dhe shkaktuan dëmet më të mëdha të Royal Navy-t që prej Luftës së Dytë Botërore. Po ta kishin nuhatur këtë Uashingtoni dhe Parisi, me siguri nuk do t'i kishin miratuar dërgimet e armëve.
Kjo do të thotë: në parim nuk mund ta parashikosh me saktësi se çfarë ndodh me armët pas dërgimit të tyre. Dërgimet e armëve si ndërhyrje indirekte në konflikt mund t'i krahasosh në këtë aspekt pa dyshim me ndërhyrjet direkte ushtarake. As atëherë nuk e di, nëse kjo ndërhyrje do të jetë në vazhdimësi e suksesshme. Ai që pohon se mund të projektosh një politikë të jashtme dhe të sigurisë që parashikon me ekzaktësi pasojat e disa aksioneve të sotme dekada më vonë, ai zgjon shpresa të paplotësueshme.
Në ç'masë mund të ndikojnë palët atë që ndodh më vonë me armët?
Kjo varet mes të tjerash edhe nga lloji i armëve. Në rastin e armëve të thjeshta, si kallashnikovëve, thuajse nuk ka mundësi kontrolli. Në sisteme më të ndërlikuara kjo mundësi ekziston. Për këto sisteme nevojiten herë pas here pjesë këmbimi, të cilat nuk i gjen kaq lehtë në tregun botëror të armëve. Duke mos dërguar pjesë këmbimi, mund të ushtrosh një lloj kontrolli mbi këto sisteme armatimi. Në sisteme të ndërlikuara armësh ndërkohë integrohen edhe mekanizma, me anë të të cilave mund t'i ndikosh që nga jashtë këto armë. Janë disa lloje siguresash të integruara.
Thomas Speckmann është historian dhe politolog në Universitetin e Bonn-it.
Bisedën e zhvilloi Jennifer Fraczek.