1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SPD vazhdon të qeverisë në Meklenburg-Pomerani

5 Shtator 2011

Pas fitores në zgjedhjet për parlamentin e ri të landit socialdemokratët (SPD) do të vazhdojnë të mbajnë pushtetin. Kryeministri Sellering ka mundësi ta zgjedhë vetë partnerin e koalicionit.

https://p.dw.com/p/12TDL
Kryeministri i Meklenburg-Pomeranisë, Erwin Sellering.
Kryeministri i Meklenburg-Pomeranisë, Erwin Sellering.Fotografi: Picture-alliance/dpa

Socialdemokratët nën kryeministrin Erwin Sellering i fituan qartë zgjedhjet parlamentare në landin veri-lindor të Gjermanisë, Meklenburg-Pomerani. Pas publikimit të hënën në mëngjes (05.09.2011) të rezultateve paraprake, socialdemokratët rezultojnë me një kuotë prej 35,7 % të votave. Kësisoj ata e kanë përmirësuar dukshëm rezultatin e pesë vjetëve më parë, në 2006 SPD-ja mori 30,2 % të votave. Në këtë mënyrë ato ose mund të vazhdojnë të bashkëqeverisin me kristiandemokratët, ose mund të krijojnë një koalicion të ri me partinë "E Majta".

Pllakate elektorale në Meklenburg-Pomerani.
Fitore bindëse e socialdemokratëve por pjesëmarrje e ulët në zgjedhje.Fotografi: picture-alliance/ZB

Pjesëmarrje e ulët në zgjedhje

CDU-ja me 23,1 % ka pësuar humbje kundrejt zgjedhjeve të kaluara, në 2006 rezulati për kristiandemokratët ishte 28,8%.  Forca e tretë në parlamentin e landit do të jetë partia "E Majta" me 18,4 %. Partia ekologjiste "Të Gjelbërit" për herë të parë ia doli të jetë e përfaqësuar në parlamentin e Shverinit me 8,4%. Partia nacional-demokrate, ekstremiste e djathtë (NPD) me 6,% do të jetë sërish e përfaqësuar në parlament. Liberal-demokratët (FDP) me vetëm 2,7% të votave dështuan duke mos e arritur praguan e përfaqësimit parlamentar prej 5%. Pjesëmarrja në votime ishte  51,4% më e ulëta se çdo herë tjetër në këtë land.

Kryeministri i Meklenburg-Pomeranisë, Erwin Sellering me bashkëshorten Britta.
Kryeministri i Meklenburg-Pomeranisë, Erwin Sellering me bashkëshorten Britta.Fotografi: dapd

Popullariteti i kandidatit socialdemokrat, vendimtar për fitoren

Sipas analizës së Grupit Hulumtues të Zgjedhjeve, vendimtare në fitoren e SPD-së ishte popullariteti që gëzon kryeministri Sellering.  Erwin Sellering i lindur në Vestfali është kryeministër qysh nga mesi i legjislaturës nga viti 2008. Ai e mori postin nga paradhësi i tij Harald Ringstorff. 

Ndarja e mandateve në parlamentin e Shverinit këtej e tutje do të jetë: SPD-ja 28 mandate nga 22 që ka pasur deri tani, pas tërheqjes së një deputeti,  CDU-ja 18 mandate, nga 22, E Majta 14 nga 13 që ka pasur deri tani, Ekologjistët 6 nga 0 mandate, dhe nacional - demokratët mbeten të përfaqësuar si edhe më parë me 6 deputetë. Në landin e Moklenburg-Pomeranisë iu ishte bërë thirje të japin votën 1.4 milionë qytetarëve me të drejtë vote. 


Autor: A.Sigrist / V.Filaj-Ballvora (rtr, dpa, dapd, afp)
Redaktoi: E. Xhani