Ndima nga fondi i shpëtimit të euros
10 Qershor 2012Spanja do të kërkojë nga fondi i shpëtimit të euros ndihma në miliarda për bankat e saj. Qeveria spanjolle do të kërkojë "mbështetjen financiare të Evropës" për të ndihmuar dhe mbështetur bankat e vendit, tha të shtunën (09.06.) në Madrid ministri i Ekonomisë, Luis de Guindos. Por sipas tij Spanjës për miratimin e kësaj ndihme nuk i është vënë "asnjë kusht tjetër jashtë sektorit financiar."
Pas Greqisë, Irlandës dhe Portugalisë Spanja do të jetë vendi i katërt që merr ndihma dhe mbështetje prej fondit për shpëtimin e euros. Ndihma që kërkon Spanja lidhet me rikapitalizimin e bankave dhe nevoja për ndihmë shkon deri 100 miliardë euro.
Në lidhje me njoftimet nga Spanja ministri federal i Financave Volfgang Shojble tha për ARD: "Spanja do të diskutojë dhe negociojë me Komisionin Evropian, BQE-në së bashku me pjesëmarrjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar për një program për ristrukturimin e bankave të saj. Pastaj do t'i vihet në dispozicion kapitali i nevojshëm. Spanja mban përgjegjësi për këtë dhe Spanja duhet t'i shlyejë ato që do të marrë, Spanja është ajo që do të mbikëqyrë bankat dhe do t'ua shpërndajë ndihmat në përputhje me rrethanat ".
Sipas agjencisë së vlerësimit të kreditit Fitch nevoja e Spanjës për t'ju drejtuar ndihmave të BE lidhet me krizën e sektorit bankar dhe kërkesave për rikapitalizim të instituteve të ndryshme. Fitch parashikon se vendi do të mbetet në recesion edhe për pjesën tjetër të vitit 2012-ës dhe vitin e ardhshëm. Kjo agjenci e ka zhvlerësuar me tri nivele bonitetin e Spanjës, pra në nivelin BBB.