1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SPAK kërkon autorizim Parlamentit për arrestimin e Berishës

13 Dhjetor 2023

SPAK kërkon autorizim për “arrest shtëpie/arrest me burg“ për ish-kryeminisrin Berisha. Kërkesa e SPAK vjen pas refuzimit këmbëngulës të ish-kryeministrit Berisha për të zbatuar masën e sigurisë të marrë nga Gjykata.

https://p.dw.com/p/4a5uh
Ish-kryeministri Sali Berisha duke folur në podium në sfond flamuri shqiptar kuq e zi
Fotografi: Ani Ruci/DW

Struktura e Posaҫme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK) në Shqipëri depozitoi të martën, (12.12) kërkesën drejtuar Parlamentit të Shqipërisë për t'i dhënë autorizim  për "arrest shtëpie/arrest me burg" për ish-kryeministrin Berisha, deputet i „Grupimi i Rithemelimit" të Partisë Demokratike, (PD) më të madhes në opozitë. Kërkesa e SPAK vjen pas refuzimit këmbëngulës të ish-kryeministrit Berisha për të zbatuar masën e sigurisë që Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të  Organizuar (GJKKO) mori në fund të tetorit, (21.10.) për  "detyrim paraqitjeje pranë policisë gjyqësore dy herë ҫdo muaj“ dhe “ndalim dalje jashtë shtetit përmes bllokimit të pasaportës.”

Berisha pohon se do të respektojë vendimin e Parlamentit

Sipas Berishës masa e sigurisë së GJKKO ishte „antikushtetuese" gjë që i jepte atij të drejtën për të mos e zbatuar. Ish-kryeministri Berisha deklaroi të martëm, pas kërkesës së SPAK se „do të respektojë vendimin e Parlamentit, cilido qoftë ai." "Qëndrimi im, i përsëritur ka të bëjë me Kushtetutën. Unë nuk mund të bëhesha kurrë njeriu që do të zbatonte një vendim antikushtetues. Tani parlamenti të vendosë ç'të dojë. Baza e qëndrimit tim është propozimi që kam bërë në vitin 2012 kur kërkova abrogimin e nenit që i jep deputetëve imunitet ndaj veprimeve të gjyqësorit”,deklaroi Berisha të martën, në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar të Rithemelimit.

Burime zyrtare nga Parlamenti thanë për DW se  kërkesa për autorizim është bërë nga drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, i cili „kërkon zëvendësimin e masës së mëparshme  të sigurisë  me arrest shtëpie/arrest me burg." Sipas legjislacionit të Shqipërisë, "personat që janë mbi 70 vjeç nuk mund të burgosen, përveç rasteve të veçanta." Ish-kryeministri Berisha është 79 vjeҫ. Kërkesa e SPAK drejtuar Parlamentit mbështetet në Kodin e Procedurës Penale të Shqipërisë sipas të cilit,"kur një masë sigurie nuk zbatohet, gjykata mund të vendosë një masë tjetër më të rëndë. "Masa më e rëndë nuk mund të merret pa autorizimin e parlamentit, pasi ish-kryeministri Berisha gëzon imunitetin e deputetit.

Ish-kryeministri, Sali Berisha
Fotografi: Ani Ruci/DW

Fati politik i Berishës vendoset nga Parlamenti

Këshilli i Mandateve dhe Rregullores së Parlamentit është struktura që ka të drejtën të japë ose jo autorizimin e kërkuar nga SPAK. Sipas njoftimit zyrtar të Parlamentit mbledhja e këtij Këshilli për të shqyrtuar kërkesën e SPAK do të zhvillohet të hënën e ardhshme, më 18 dhjetor, ku do të jetë i pranishën edhe SPAK. Me pas vendimi i këtij Këshilli do të votohet në në Parlament, në seancë plenare.

Në Kuvendin Kombëtar të "Grupimit të  Rithemelimit” të mbajtur në fillim të këtij muaji, (02.12) ish-kryeministri Berisha fitoi votëbesimin e mbështetësve të tij për të vazhduar të jetë kryetar i Grupimit  edhe pse humbi Zgjedhjet Lokale 2023. Berisha shpalli në atë kuvend se "mosbindja civile në të gjithë vendin do të jetë një aksion pa kthim për të shpëtuar demokracinë në Shqipëri."

Mosbindja civile, kaosi në Parlament nuk do ndërpriten

"Nuk do të ketë asnjë ndryshim në strategjinë tonë të mosbindjes civile në Parlament për shkak të kërkesës së SPAK. Opozita ka 6 javë që nuk voton në Parlament ose voton me mosbindje civile" theksoi ish- kryeministri Berisha të martën në mbledhjen e grupit parlamentar të Rithemelimit.

Trazira në parlament pas shpalljes së mosbindjes civile nga grupi i Rithemelimit të PD
Fotografi: Ani Ruci/DW

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK ish-kryeministri Berisha është nën hetim për „veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë në bashkëpunim me dhëndrrin e tij, Jamarbër Malltezi lidhur me "privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të ish-klubit sportiv Partizani në Tiranë.

Ish-kryeministri Berisha mohon të ketë kryer veprat e mësipërme penale. Ai pretendon që ato "janë ngritur pa asnjë bazë dhe janë sulme të mirëfillta politike të Edi Ramës." Në zbatimin e masave të sigurisë nga SPAK në Shqipëri ka një precedent alarmant: në korrik të këtij viti ish-zëvendës kryeministri, Arben Ahmetaj, u arratis pak orë para se SPAK të kërkonte në Parlament autorizimin për të marrë ndaj tij masën e sigurisë, arrest me burg për 4 akuza: mosdeklarim ose deklarim të rremë të pasurisë, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.

 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana