Solidaritet me Gjermaninë pas sulmit vdekjeprurës në Mynih
23 Korrik 2016Sipas njoftimeve të kabinetit të kancelares Merkel, të shtunën mblidhet kabineti i sigurisë për të diskutuar pas gjakderdhjes në Mynih. Në këtë instancë të lartë të sigurisë, të drejtuar nga kancelarja, Angela Merkel bëjnë pjesë zëvendëskancelari, Sigmar Gabriel, minitrit i Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier, ai i Brendshëm, Thomas de Maizière, ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen dhe ministri i kabinetit, Peter Altmaier.
De Maiziére ndërpret pushimet
Altmaier ka bërë të ditur, se bëhet fjalë për të mbledhur dhe vlerësuar të gjitha informacionet. "Ne jemi të vendosur, të bëjmë gjithçka me qëllim terrori dhe dhuna përbuzëse ndaj njeriut, të mos kenë asnjë shans në Gjermani", deklaroi politikani i CDU.së. Ministri i Brendshëm, de Maiziére ndërpreu pushimet e sapofilluara nga SHBA dhe u kthye në Gjermani.
Flamuj në gjysmështizë në gjithë Gjermaninë
"Ajo që ndodhi në Mynih është e tmerrshme dhe tërësisht e papërfytyrueshme", deklaroi politikani i CDU-së. "Ne mbajmë zi për viktimat dhe jemi me mendimet tona tek të afërmit e viktimave", tha de Maizière që viziton të shtunën Mynihun. Ministri i Brendshëm shpalli vendosjen e flamujve në gjysmështizë në të gjithë Gjermaninë. Kjo bëhet "për të shprehur ngushëllimet pas aktit të neveritshëm të dhunës", bën të ditur Ministria e Brendshme.
Gauck i tronditur
Politikanë brenda dhe jashtë Gjermanisë kanë reaguar të tronditur pas dhunës në Mynih. Presidenti gjerman, Joachim Gauck deklaroi se "sulmi vrastar në Mynih e ka tronditur dhe shokuar thellësisht. Jam me mendje tek viktimat dhe të gjithë ata që kanë humbur njerëzit e dashur. Po ashtu ndjehem i lidhur me të gjithë ata që janë në këtë aksion për të mbrojtur apo shpëtuar jetët e njerëzve."
Presidenti francez, Francois Hollande bëri fjalë për "një akt terrorist". Bëhet fjalë për një "akt të neveritshëm me qëllimin për të ngjallur frikë edhe në Gjermani, krahas vendeve të tjera", deklaroi Hollande. Gjermania mund të mbështetet tek Franca, tha Hollande. Ndërsa presidenti amerikan, Barack Obama u shpreh se ai i ofron Gjermanisë, "një nga aleatet tanë më të ngushtë", të gjithë mbështetjen e nevojshme. Edhe presidenti rus, Vladimir Putin i ka dërguar kancelares Merkel dhe kryeministrit bavarez, Horst Seehofer ngushëllimet e tij për humbjen e jetëve të njerëzve në Mynih. Ky është sulmi i tretë brenda pak ditësh në Europë, thuhet nga agjencia ruse e lajmeve.
Irani dënon sulmin në Gjermani
Në Teheran një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme deklaroi se qeveria iraniane e dënon "vrasjen e njerëzve të pafajshëm të pambrojtur". Nuk ka alternativë tjetër për "luftën e plotë dhe pa dallim" kundër terrorizmit. Qeveria iraniane shpreh "popullit dhe qeverisë gjermane solidaritetin e saj." Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier shprehu falënderimet e tij pas shprehjes së solidaritetit nga e gjithë bota. "Në këto orë është një ndjesi e mirë të dish, se miqtë tanë europianë dhe partnerët ndërkombëtare qëndrojnë në anën tonë", tha politikani i SPD-së.
Të premten në mbrëmje, sipas të dhënave të polisicë, një 18 vjeçar gjermano-iranian u fut në një restorant dhe një qendër tregtare duke qëlluar pa dallim njerëzit përreth e shkaktuar nëntë viktima. Në fund ai vrau veten. Motivi dhe sfondi i këtij akti ende nuk janë sqaruar.