1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sofja - Silicon Valley i grave

Rayna Breuer
17 Maj 2018

Në Bullgari aktualisht po lulëzon sektori i teknologjisë informative. Dhe këtu kryesojnë gratë. Një traditë që ka nisur qysh në vitet '60 të shekullit të kaluar.

https://p.dw.com/p/2xrBK
Bulgarien Angela Ivanova und Gergana Stancheva
Angela Ivanova dhe Gergana StanchevaFotografi: DW/R. Breuer

Ato janë ende pa zyra. Stolat e parqeve të Sofjes u shërbejnë si tryeza dhe karrige. Angela Ivanova dhe Gergana Stancheva kanë themeluar një vit më parë startup "Lam'on", me anë të të cilit prodhojnë laminime për letra prej biopolimeri që janë të kompostueshme. "Produkti ynë përdoret nga të njëjtat makina që bëjnë edhe laminimet e zakonshme. Përdoruesi nuk e vë re ndryshimin. Megjithatë, filmat që përdoren sot janë prej polietileni, i cili është toksik për mjedisin dhe njerëzit."

Mbi 80 për qind e bizneseve startup në Bullgari krijojnë produkte dhe shërbime për tregun  ndërkombëtar. Edhe Gergana Stancheva dhe Angela Ivanova duan t'i prodhojnë produktet e tyre në Bullgari, ku klima për biznesin startup është shumë dashamirëse. Por si treg shitjeje kanë parasysh kryesisht Gjermaninë. "Bullgaria ka mbetur prapa në drejtim të mbrojtjes së mjedisit. Nuk ka politika për të. Shumica e njerëzve nuk mendojnë se si ta mbrojnë mjedisin. Por gradualisht kemi venë re se edhe këtu njerëzit kanë filluar të mendojnë ndryshe."

Por, para se t'i provojnë prodhimet e tyre në Bullgari, ato shpresojnë të fitojnë terren në tregun gjerman. Sipas statistikave, shanset janë shumë të mira: "Bizneset  e drejtuara nga gratë janë 63 për qind më të suksesshme se kompanitë e drejtuara nga burrat", thotë komisionerja bullgare e BE-së për ekonominë dixhitale dhe shoqërinë, Marija Gabriel, në një intervistë për DW. Gabriel e  mbështet në mënyrë aktive promovimin e vajzave dhe grave në sektorin e teknologjisë.

EU Marya Gabriel Kommissarin für digitale Fragen
Fotografi: picture-alliance/AA/D. Aydemir

Gratë në profesionet teknologjike

Përqindja e grave në sektorin e teknologjisë është e madhe. Në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, Bullgaria është madje e para ndër vendet e BE-së, me përqindjen më të lartë të grave (26.6%). Shumë larg Gjermanisë, ku gratë në këtë sektor zënë vetëm 16,6 përqind. "Sektori i TI ka filluar në Bullgari që në vitet '60, ku ka pasur shumë kompani për elektronikë dhe softuerë ku punonin gra dhe burra", thotë Sasha Bezuhanova, themeluese e qendrës bullgare 'Gratë në teknologji'.  "Kjo është një nga arsyet pse përqindja e grave në këto profesione është aq e lartë", thotë Bezuhanova.

Ajo ka mbi 20 vjet që është aktive në sektorin e tekonologjisë informative në Bullgari dhe është shembull për shumë gra. Por ajo ankohet, se megjithëse Europës aktualisht i mungojnë inxhinjerë dhe informaticienë, gratë ende ndeshen me paragjykime dhe nuk trajtohen njësoj si meshkujt.

Bulgarien Anna Radulovski
Ana RadulovskiFotografi: DW/R. Breuer

Kundër stereotipeve

Anna Radulovski mban referate në konferenca të ndryshme për diversitetin në sektorin e teknologjisë dhe tani sapo është kthyer nga Luksemburgu. "Ka stereotipe që fillojnë qysh në fëmijëri - Për shembull, nga lodrat që u dhurohet fëmijëve: vajzat marrin kukulla rozë, djemtë Lego dhe makina". Ajo që ndodh aty quhet priming, pra fëmija merr kështu një orientim për profesionin që do të bëjë në të ardhmen.

Radulovski ka themeluar një vit më parë shoqatën "Coding Girls" dhe që atëherë ajo ka shumë punë. Organizon seminare programimi, ku mësuesit janë femra dhe meshkuj, sikurse edhe pjesëmarrësit, por vajzat trajtohen me përparësi.