Nervozizën tek socialdemokratët gjermanë - shkak buxheti
15 Gusht 2024Bashkëkryetari i Partisë Socialdemokrate Gjermane, SPD, Lars Klingbeil, kritikoi ashpër kërkesat për ndryshime në buxhetin e miratuar nga qeveria për vitin 2025. "E gjitha kjo që pamë javën e kaluar ishte krejtësisht e panevojshme, e tepërt dhe shqetësoi më tej vendin”, tha Klingbeil në një intervistë për programin televiziv gjerman ARD.
Ai i bëri thirrje qeverisë, e cila përbëhet nga socialdemokratët, ekolgjistët dhe liberalët, të zgjidhë shpejt mosmarrëveshjet. Ai theksoi se detyrë e qeverisë është që ta dorëzojë buxhetin për miratim në Kuvend. "Kjo tani duhet të ndodhë javën e ardhshme." Klingbeil i konsideron çështjet e hapura si të zgjidhshme.
"Stili dhe komunikimi nuk janë të mira”
Klingbeil kritikoi veçanërisht grindjet publike rreth disa çështjeve. Për shembull, ai thotë se për të "një buxhet që do të përfshinte uljen e pensioneve" nuk është i imagjinueshëm. Me rëndësi është të bisedohet dhe negociohet me tone të pranueshme, që nuk ka ndodhur javën e shkuar. Konfuzioni i publikut mbi deklaratat e ministrit të Financave, Christian Lindner,"duhej të ishte shmangur javën e kaluar".
Pasi partnerët e koalicionit ranë dakord në parim për buxhetin e Gjermanisë për vitin 2025 një muaj më parë, një ekspert shkencor vuri në pikëpyetje përputhshmërinë e buxhetit me Kushtetutën, në radhë të parë për dispozitën kushtetuese për të ashtuquajturën "frena e borxhit". Kjo dispozitë thotë se shteti nuk duhet të shpenzojë më shumë para se sa mbledh nga taksat, që do të thotë se nuk duhet të financojë shpenzime të mëdha me borxhe të reja. Sipas një studimi, ka një deficit buxhetor prej 17 miliardë eurosh dhe për këtë duhet gjetur një zgjidhje.
Ministri i Financave, Christian Lindner (FDP) ka reaguar ndaj studimit duke thënë se, sipas tij, duhet të bëhen kursime "në fushën e konsumit”, veçanërisht në sektorin social, në sektorë si ndihma sociale dhe në pensione.
Klingbeil thekson se brenda koalicionit nuk duhet të punojmë "kundër njëri-tjetrit, por së bashku, për të zgjidhur problemet dhe sfidat që ekzistojnë dhe për të vënë gjithmonë në qendër mirëqenien e qytetarëve”.
Ai beson se "politika duhet të zbatohet ndryshe nga ajo që bëhet aktualisht në qeveri” dhe është i bindur se atëherë do të ishin më të mira edhe sondazhet për tri partitë në pushtet. "Partitë në qeveri nuk mund të përfitojnë në kurriz të njëra-tjetrës."
„Nuk ekziston e drejta ligjore..."
Klingbeil mbrojti edhe reformën e planifikuar të qeverisë për ndihmat sociale (Bürgergeld). Shumë njerëz në Gjermani i konsiderojnë këto ndihma si pjesërisht të padrejta, sepse mendojnë se ka dhe të tillë që nuk duan të punojnë dhe përfitojnë nga ndihmat pa punuar fare. Sipas të dhënave, bëhet fjalë për 16.000 persona që mund të shpërdorojnë ndihmat, vëren Klingbeil, duhet shtuar se "askush nuk ka të drejtë ligjore për dembelizëm".
Për këtë arsye, koalicioni ashpërsoi kushtet për marrjen e ndihmës sociale dhe vendosi sanksione për ata që refuzojnë të punojnë ose janë kapur në punë të paligjshme, ndërkohë që marrin edhe ndihma.
Në të njëjtën kohë, Klingbeil shprehu shqetësimin për mënyrën se si po flitet aktualisht për shtetin social. Ai është krenar për shtetin social që ndihmon njerëzit që gjenden në një situatë të vështirë.
Paga më të larta, jo ulje të ndihmave
Në Gjermani, ka një ndjenjë në rritje të padrejtësisë, sepse dallimi midis ndihmave sociale dhe pagave të ulëta është shumë i vogël. Megjithatë, ekziston edhe një minimum ekzistencial, i cili është përcaktuar me vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Klingbeil thotë se rrogat duhet të rriten, e jo ndihmat të ulen. "Ai që punon, që përpiqet, duhet të jetojë mirë prej punës."
Edhe ligji për respektimin e kontratave kolektive, i cili është planifikuar për këtë mandat, duhet të sigurojë që tenderët publikë t'u jepen vetëm kompanive që paguajnë sipas marrëveshjeve kolektive, gjë që do të reduktonte problemin e pagave të ulëta apo dumping.
"Scholz është kancelari ynë dhe do të mbetet kancelari ynë"
Pavarësisht të gjitha dallimeve brenda koalicionit dhe rezultateve të dobëta të partisë së tij në sondazhe, Klingbeil mbështet kancelarin e kritikuar shpesh nga të tjerët. Olaf Scholz"është kancelari ynë, ai mbetet kancelari ynë dhe ne do të bëjmë gjithçka që ai të mbetet kancelar edhe pas zgjedhjeve të ardhshme".
Deri në zgjedhje kanë mbetur edhe rreth 13 muaj. "Scholz do të ecë përpara, do të luftojë dhe e gjithë partia do të jetë me të, për të rifituar besimin”, thotë Klingbeil.
Fushata zgjedhore nuk ka nisur ende, por "SPD-ja do të jetë e përgatitur mirë”, është i bindur Klingbeil. Por para së gjithash është e rëndësishme të drejtosh vendin tani dhe të zbatosh projekte që janë të rëndësishme për SPD-në, tha Lars Klingbeil.