Sllovenia voton në zgjedhje presidenciale
23 Tetor 2022Sllovenët janë drejtuar drejt qendrave të votimit të dielën (23.10.) për një zgjedhje presidenciale që shihet si provë për qeverinë liberale në vendin e vogël anëtar të BE.
Asnjë nga shtatë kandidatët që konkurrojnë për presidencën nuk pritet të marrë një shumicë absolute. Kjo do të thotë se raundi i dytë i votimit, ku do të përfshihen dy kandidatët kryesorë, me siguri do të zhvillohet pas tre javësh.
Presidenti i ri do të zëvendësojë Borut Pahor-in, një ish-model që ka shërbyer tashmë dy mandate pesëvjeçare.
Megjithëse posti është kryesisht ceremonial, presidenti drejton ushtrinë dhe është përgjegjës për emërimin e disa zyrtarëve të lartë, duke përfshirë guvernatorin e Bankës Qendrore.
Cilët janë kandidatët?
Sondazhet tregojnë se kandidati i krahut të djathtë Anze Logar, i cili shërbeu si ministre e jashtme nën ish-qeverinë konservatore të Janez Jansas, do të fitojë rreth 30% të votave, i ndjekur nga kandidatja e pavarur e qendrës Natasa Pirc Musar (20%) dhe socialdemokrati Milan Brglez (17%), i mbështetur nga qeveria.
Gjatë fushatës, Logari 46 vjeç, u përpoq të hiqte imazhin e tij populist dhe u zotua të ishte president që mund të "bashkojë" njerëz nga të gjitha prejardhjet politike".
Musari, 54 vjeçe, është avokate me ndikim dhe ish-kryetare e autoritetit të mbrojtjes së të dhënave të Sllovenisë. Ajo do të ishte presidentja e parë femër e vendit nëse zgjidhej. Ajo ka bërë fushatë për çështjet e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit.
Brglez, 55 vjeç, është anëtar i Parlamentit Evropian dhe hyri në garë vonë, pasi u tërhoq favoriti fillestar i qeverisë.
Sllovenia, anëtare e BE dhe e NATO-s
Votimi i së dielës vjen gjashtë muaj pasi kryeministri i qendrës së majtë Robert Golob dhe partia e tij e gjelbër Lëvizja e Lirisë rrëzuan Jansën nga froni në zgjedhjet e përgjithshme.
Jansa, i cili shërbeu tre mandate si kreu i qeverisë, u akuzua nga kritikët e tij se kërkon të kufizojë lirinë e medias dhe të minojë sundimin e ligjit.
Rreth 1.7 milionë vetë kanë të drejtë vote në Slloveni, anëtare e BE dhe e NATO-s.
Qendrat e votimit mbyllen në orën 19:00 sipas orës lokale (1700 GMT) ndë rsa rezultatet e para priten të dielën në mbrëmje.
aud/nm/ar (Reuters, AP, AFP, dpa)