1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sllovenia pengon hyrjen e Kroacisë në BE

Marina Maksimovic19 Dhjetor 2008

Përpjekja e fundit e Francës si presidente e radhës e BE-së që të ndërmjetësojë për zgjidhjen e grindjes slloveno-kroate për çështjen e kufirit nuk solli fryte. Sllovenia bëri të ditur se do të verë veton.

https://p.dw.com/p/GJxc
Flamujt e Sllovenisë dhe të Bashkimit Evropian

Grindja për çështjet territoriale, në radhë të parë kufirit detar, është një problem, që Sllovenia dhe Kroacia e kanë që nga koha e ish-Jugosllavisë dhe zgjidhja deri sot nuk është gjetur ende. Ka mundësi që Sllovenia, e pajisur si anëtare e BE-së me të drejtën e vetos, do të bllokojë miratimin e 11 prej 15 kushteve për pranimin e Kroacisë në BE. Kjo në një farë mënyre mund të pengonte planet e Kroacisë për t'i përfunduar bisedimet deri në fund të vitit 2009, në mënyrë që në vitin 2011 të bëhej anëtare me të drejta të plota e BE-së.

Në Komisionin Evropian thonë se përpjekjet e e BE-së në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët, nuk janë akoma të dukshme: "Në këtë moment vetëm mund të themi se mund të shprehim keqardhjen që Sllovenia nuk ka mundur ta pranojë zgjidhjen që ka propozuar Franca. Tani ndodhemi në një situatë në të cilën shumë kushte të pranimit të Kroacisë, që teknikisht janë të përfunduara, nuk mund të finalizohen në konferencën e ardhshme", thotë për DW Amadeo Tardio, shef i zyrës së komisarit për zgjerimin e BE-së.

Slowenien Parlamentswahl
Kryeminsitri slloven Borut PahorFotografi: AP


Dhe ndërsa në njërën anë flitet, që BE është i pakënaqur me sjelljen e Sllovenisë, më mirë të themi se është e papranueshme që ajo shfrytëzon statusin e anëtarit dhe procesin e zgjerimit të BE-së për të zgjidhur çështje bilaterale, nga ana tjetër kryeministri slloven, Borut Pahor, këmbëngul që "arsyet e Sllovenisë janë të njohura brenda BE-së".

E ndërsa përmendet "dëmi serioz" që krijohet në marrëdhëniet ndërmjet Ljubjanës dhe Zagrebit, Brukseli vazhdon t'i porosisë të dyja vendet që grindjen e tyre shumëvjeçare për kufijtë ta zgjidhin me frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

Fakti që Sllovenia është anëtare e BE-së nuk do të thotë që ne këtë rast të aplikojmë standarte të dyfishta. Për hir të stabilitetit të rajonit është e rëndësishme që kjo çështje të zgjidhet dhe këtë mund ta bëjnë Kroacia dhe Sllovenia mes tyre. Ne vetëm mund t´i inkurajojmë në këtë proces. Dikush këtë mund ta quajë edhe presion, por ne vetëm u bëjmë të ditur që presim të arrijnë të merren vesh", thotë Tardio.


Sllovenia vazhdon të theksojë se është e interesuar për përfundimin e suksesshëm të bisedimeve të Kroacisë me BE-në dhe shpreson se mosmarrëveshjet ekzistuese do t´i zgjidhë gjatë presidencës çeke të BE-së", që do të thotë në gjashtë muajt e ardhshëm. Çekët tashmë deklarojnë se nqs dy vendet nuk do të gjejnë zgjidhje për konfliktin e tyre në Bruksel, do të organizojnë një konferencë të re pranimi për Kroacinë, e kjo shumë shpejt.