Kriza në Slloveni
16 Dhjetor 2012Një fantazmë vjen vërdallë në Slloveni, fantazma e shpëtimit të euros. Kryeministri konservator Janez Jansa paralajmëron për rreziqet e "falimentimit të shtetit", nëse reformat e tij sociale dhe masat e kursimit nuk zbatohen. Bërja e kërkesës për shpëtim duhet penguar, sepse "çdo lloj qeverie sllovene do të ishte më sociale se sa diktati i trojkës sado i butë që të jetë," thotë Jansa.
Ministri i financave, Janez Sustersic, kërkon reformimin e sektorit të bankave "në mënyrë që të pengohet kërkesa për shpëtim". Dhe drejtori i Bankës Kombëtare Marko Kranjec shpreson që vendi të mos e bëjë kërkesën për ndihmës nga institucionet evropiane për shpëtimin e euros", megjithëse "ritmi i reformave është shumë i ngadaltë".
Dukej sikur Sllovenia i kishte punët shumë mirë, kur vendi u bë së bashku me nëntë vende të tjera në kuadër të "Zgjerimit të BE-së" në vitin 2004, vend anëtar i Bashkimit Evropian. Si "i pari i klasës" dhe "vend shembullor" lëvdohej vendi i vogël që ndodhet në "anën e diellit në Alpe". Sllovenia u përgatit mirë për anëtarësinë në klubin e vendeve të industrializuara, me një ekonomi të shëndetshme dhe të fuqishme. Dhe kërkush nuk u habit kur Sllovenia mori në 2007 euron si monedhë.
Joshje nga paratë e lira
Tani shihet se imazhi ishte i gabuar. Sllovenia ka qenë republika më e zhvilluar e ish Jugosllavisë. Pas pranimit në BE, vendi përjetoi një hov edhe më të madh ekonomik. Baza për këtë ka qenë kryesisht paraja e lirë, të cilën Sllovenia ka patur mundësi ta mbledhë pa problem në tregjet financiare ndërkombëtare, shpjegon Hermine Vidovic nga Instituti vjenez, për krahasimet ekonomike. "Sllovenët kanë jetuar shumë me kredi pas viteve të pranimit në BE. Ata kanë marrë shumë borxhe tek vendet e tjera duke financuar një bum të madh ndërtimesh në vend, që papritur u ndërprenë." Kreditë e favorshme i dhanë krah fantazisë së menaxherëve për të ekspanduar, thotë Vidovic: "Ka patur blerje shumë të rrezikshme firmash, por një pjesë e këtyre firmave nuk kanë sjellë atë që pritej. Ato janë të mbushura në borxhe."
Një problem tjetër janë ndërthurjet e ngushta të strukturave politike dhe ekonomike në Slloveni. Ndryshe nga vendet e tjera ish socialiste në Slloveni nuk pati pas rënies së Jugosllavisë privatizime të mëdha të ekonomisë. Dhe meqenëse donte të ishte "zot në shtëpinë e vet", Sllovenia ankohej sa herë të ishte e mundur për rrjedhjen e kapitalit "të huaj". Kështu që investimet e huaja mbetën mbrapa.
Kështu si firmat e mëdha ashtu edhe bankat më të rëndësishme në Slloveni mbetën në duart e shtetit, aq sa thotë Vidovic, "të krijohet dyshimi se vendimet për kreditë e shpeshta nuk janë marrë për arsye ekonomik por për arsye politike". Në këtë mënyrë politikbërësit kanë blerë favorizimin e zgjedhësve dhe paqen sociale.
"Slovenët kanë humbur vetëbesimin"
Pasojat e kësaj politike janë shkatërruese. Borxhet shtetërore janë dyfishuar brenda katër vjetësh duke arritur në 50 përqind të veprimtarisë ekonomike. Njëkohësisht vendi është duke rrëshqitur gjithnjë e më shumë në recesion, minus dy përqind këtë vit dhe supozohet minus 1,5 përqind vitin e ardhshëm. Edhe papunësia është duke u rritur, aktualisht është 8,6 përqind. Kjo është më e ulët se mesatarja evropiane, ku papunësia është mbi dhjetë përqind. Por për sllovenët edhe 8,6 përqind është shumë, sepse papunësia është dyfishuar që me fillimin e krizës.
Pasojat shoqërore ndihem mirë. Prej një kohe të gjatë sllovenët dinin vetëm një gjë, zhvillimin ekonomik. Por tani është duke u përhapur mendimi se tani pas pavarësisë së 1991, në Slloveni jetohet më keq se më parë. Kjo ka bërë që sllovenët të humbasin vetëbesimin, shpjegon Denis Romac, analist politik dhe gazetar nga Zagrebi. Depresioni është rritur, sepse "për vite me radhë sllovenët besonin se ishin më të mirët, më të sukseshmit dhe gjithë të tjerët ndiqnin modelin e tyre". Tani kanë filluar të kuptojnë se "kanë bërë diçka gabim," thotë Romac.
Ndjenja e mungesës së perspektivës është duke u kthyer në indinjatë. Pak kohë më parë në shumë qytete sllovene pati protesta kundër masave të marra nga qeveria për kursime. Për të vendosur financat nën kontroll qeveria e Janez Jansa-s ka vendosur të liberalizojë tregun e punës dhe të kalojë në parlament reformimin e sistemit të pensioneve. Dhjetëra mijra vetë dolën në rrugë, pati përleshje me të plagosur. Kryesisht të rinjtë janë të indinjuar thotë Romac: "Ata kanë ndjenjën se janë tradhëtuar nga elitat politike dhe janë mashtruar. Kanë përshtypjen se politikanët u kanë marrë diçka që ata e kanë pasur më parë."
S`ka zgjidhje të shpejtë
Analistja e çështjeve ekonomike Hermine Vidovic thekson se "njerëzit në Slloveni kanë jetuar për një kohë të gjatë përtej mundësive të tyre", gjë që u lehtësua nëpërmjet kredive të lira. Tani erdhi kthjellimi: "Koha e bumit ekonomik dhe konsumit ka kaluar, tani në Slloveni sundojnë raportet reale."
Pasojat e këtij zhvillimi i paguajnë gjithnjë e më shumë të rinjtë që janë duke u larguar nga vendi. "Çdo muaj me qindra vetë emigrojnë në Kanada dhe Australi. Ky është një problem për Slloveninë me 2,5 milionë banorë", thotë Denis Romac.
Një zgjidhje të shpejtë të krizës nuk pritet të ketë. Të gjitha të dhënat ekonomike thonë se vitin e ardhshëm gjendja do të keqësohet. Nëse politika financiare e qeverisë mjafton për të kapërcyer krizën pa ndihmën e vendeve partnere, pritet të shihet: Në mes të vitit 2013 detyrimet do të jenë në nivelin e 2 miliardë eurove.