Sllovaki: Sulmohet me të shtëna kryeministri Robert Fico
15 Maj 2024Sikurse njoftoi qeveria në Bratislavë të mërkurën (15.05.2024) në faqen e facebook-ut të kryeministrit, ai është qëlluar me disa plumba. Qeveria u shpreh për "atentat". Sipas këtyre njoftimeve kryeministri është qëlluar në Handlova pas një mbledhjeje të qeverisë. Po sipas njoftimit të qeverisë, kryeministri Fico është duke u trajtuar në spital në Banska Bystrica e jo në Bratislavë për shkak të plagëve të rënda. Fico ndodhet në rrezik jete.
Presidentja eSllovakisë Zuzana Caputova e dënoi sulmin si "brutal dhe të paskrupullt".
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, e dënoi sulmin si "të pështirë". Të tilla akte dhune nuk kanë vend në shoqërinë tonë dhe minojnë demokracinë, vlerën tonë më të çmuar të përbashkët", shkroi ajo në shërbimin online X . "Asgjë nuk mund të justifikojë kurrë dhunën apo sulme të këtij lloji", deklaroi presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel.
Edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz (SPD) u shpreh i tronditur pas sulmit me armë kundër kreut të qeverisë sllovake, Fico. Scholz bëri fjalë në platformën X për një "atentat frikacak" dhe se dhuna "nuk ka vend në politikën europiane. Kurse Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u shpreh "i tronditur dhe i shokuar". Reagime të tronditura vijnë edhe nga kryeqytetet Varshavë, Londër, Pragë. "Ne e dënojmë ashpërsisht këtë akt dhune kundër kreut të qeverisë të një vendi partner fqin ", deklaroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski.
Fico rimori detyrën e kryeministrit në tetor 2023 dhe ka qenë kryeministër i Sllovakisë edhe në vitet 2006 deri më 2010 dhe 2012 deri më 2018.Në vitin 2018 atij iu desh të japë dorëheqjenpas vrasjes së gazetarit Jan Kuciak dhe të fejuarës së tij. Kuciak pati investiguar për lidhjet mes mafies italiane dhe partisë së Ficos në pushtet.