Skandali i korrupsionit në radhët e koncernit Volkswagen shtrihet deri në Indi
9 Korrik 2005Rreth një vit të tërë VW dhe qeveria e shtetit Andrah Pradesh në Indinë jugore zhvilluan bisedime intensive për ndërtimin e një prej fabrikave më të mëdha të VW të shoqëruar edhe me një park për importuesit në qytetin bregdetar të Visakhapatnamit. Vëllimi i investimeve kapte shifrën e rreth 1 miliardë eurove dhe do të hapeshin rreth 10.000 vende të reja pune. Ky ishte një projekt gjigand për shtetin Andrah Pradesh, që synon të kthehet në një qendër industriale të Indisë. Kryesues i grupit të bisedimeve për VW ishte kryetari i kryesisë së grupit të Skodës, Helmuth Schuster, i cili u pushua nga kjo detyrë në mes të muajit qershor. Në emër të kryesisë së koncernit VW ai kishte qenë disa herë për bisedime në Indi, për herë të fundit përpara një muaji e gjysmë.
Në janar të këtij viti Andrah Pradesh u përfshi nga gëzimi, sepse Helmuth Schuster u dërgoi një letër me kokë të koncernit VW autoriteve në Andrah Pradesh, në të cilën shkruhej se pas konsultimeve të shumta, VW vendosi që ta ndërtojë fabrikën në Visakhapatnam. Për këtë duhej të krijohej një joint-venture me qeverinë e këtij shteti federal. Për këtë Schuster kërkonte në letër, që qeveria e këtij shteti të paguante dy milionë euro në llogarinë e një firme me emrin "Vashita Wahan", me shkrutimin VW. "Vashita Wahan" do të thotë "makinë e madhe".
Pa kaluar as tri ditë prej kësaj letre qeveria e Andrah Pradeshit i kaloi me urdhër të ministrit të Industrisë paratë në numrin e llogarisë bankare të firmës në fjalë. Ministri i Industrisë Satyanarayana dhe nëpunësit e tij thonë se ia kanë paguar paratë në fjalë koncernit VW. Zëdhënësi i VW, deklaroi në Wolfsburg, ku është edhe selia qendrore e koncernit, se VW nuk ka asnjë lidhje me ndonjë firmë indiane me emrin "Vashita Wahan", përveçse inicialeve të përbashkëta. Po ashtu ai theksoi se kryesia e koncernit, ndryshe nga ç'thuhet në letrën e Schusterit, nuk ka marrë ende asnjë lloj vendimi për të hapur një uzinë në Indi. Kanë lindur pra dyshime se dy milionë eurot për të cilat bëhet fjalë, ose janë fonde të VW, që ish-manaxheri Schuster i ka shpërdoruar, ose i janë para që ai i ka marrë si bakshish për vendimin që uzina e VW të hapej në këtë shtet.
Sipas informacioneve të radios gjermane firma indiane me emrin "Vashita Wahan" është e regjistruar në Nju-Dehli. Një prej drejtorëve të saj është Ashok Jain, pronar i një hoteli, i cili ishte shfaqur si këshilltar i Schusterit gjatë qëndrimeve të tij në Indi. Sipas të dhënave të koncernit VW, ky e kishte ndërprerë kontratën e këshilltarit me Jainin, sepse ai nuk kishte treguar kurrfarë suksesi. Ashok Jain ka disa ditë që është zhdukur pa lënë gjurmë. Të afërmit e tij gënjejnë duke thënë se nuk dinë asgjë për të. Në rrethet e biznesit në Indi ai konsiderohet si njeri joserioz. Në adresën me të cilën është regjistruar firma "Vashita Wahan" gjendet zyra e konsulentit të Ashok Jainin për çështjet e taksave.
Këto njoftime kanë shkaktuar një nervozitet të dukshëm tek ministri i Industrisë së shtetit indian Andrah Pradesh, Botsa Satyanarayana, i cili dha urdhër që të bëhej pagimi i dy milionë eurove pa pasur në dorë as marrëveshje as të paktën një "Memorandum of Understanding", me VW sikurse është i zakonshëm në këtë fushë. Ministri përbetohet se shteti i tij nuk ka paguar asnjë lloj bakshishi, dhe premton se do t'i mbështesë hetimet me të gjitha mundësitë e tij. Opozita në Andrah Pradesh kërkon fillimin e hetimeve për këtë rast.