1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Siria deklaron fundin e armëpushimit

AUD (afp, dpa, rtr)20 Shtator 2016

Armëpushimi i shpallur para një jave në Siri dështoi. Që më parë retorika e palëve të konfliktit qe rikthyer në luftarake.

https://p.dw.com/p/1K56g
Syrien Baschar al-Assad in Damaskus
Fotografi: picture-alliance/dpa/Sana Handout

Ushtria siriane deklaroi fundin e armëpushimit në Siri. "Regjimi i qetësisë" nuk është më në fuqi, bëri të ditur agjencia shtetërore e lajmeve Sana. Edhe përfaqësues të kryengritësve thanë se armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA dhe nga Rusia faktikisht dështoi. Qendra Siriane e Vëzhgimit për të Drejtat e Njeriut bëri të ditur se ka pasur sërish sulme nga ajri në shumë rajone. Edhe luftimet mes ushtrisë dhe kryengritësve në lindje të Damaskut kanë vazhduar, bëri të ditur qendra e afërt me opozitën.

Vetëm pak orë para deklaratës së ushtrisë, kryetari i shtetit, Bashar al-Assad dhe Rusia shqiptuan kritika të ashpra kundër SHBA. Assadi e kritikoi sulmin ajror të koalicionit të drejtuar nga SHBA kundër trupave siriane si "agresion të hapur amerikan". Ai i shërben milicisë terroriste "Shteti Islamik", tha ai pas një takimi me një përfaqësues të lartë iranian në Damask. Gjithmonë kur Siria arrin suksese në luftën kundër terrorit, rritet mbështetja e "shteteve armiqësore" për organizatat terroriste, deklaroi Assadi sipas të dhënave të agjencisë Sana.

Qeveria gjermane kërkon përgjegjësi nga Rusia

Në fundjavë, në një sulm të koalicionit të drejtuar nga SHBA kundër trupave siriane e humbën jetën 60 ushtarë sirianë. Uashingtoni foli për një gabim dhe shprehu keqardhjen. Ushtria ruse deklaroi se Uashingtoni nuk i qe përmbajtur njërës nga pikat e marrëveshjes së 9 shtatorit, deklaroi gjenerallejtnanti Sergej Rudskoi nga Shtabi i Përgjithshëm rus në Moskë. Sipas tij, pala amerikane nuk ka ofruar të dhëna se ku ndodhen grupet opozitare të kontrolluara nga SHBA. SHBA nuk kanë ndikim tek opozita, i tha Rudskoi agjencisë së lajmeve Interfax.

Qeveria gjermane ndërkohë kërkoi nga Rusia angazhim më të madh për respektimin e armëpushimit. "Është për të ardhur keq, që megjithë armëpushimin, ditët e fundit ka pasur shumë të vdekur dhe të plagosur", tha zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefen Seibert në Berlin. Ai kërkoi që Rusia t'i përmbahet përgjegjësisë së saj dhe të ushtrojë ndikim efektiv te qeveria e Assadit, të cilën Rusia e mbështet, që ndihmat humanitare të venë të njerëzit në zonat e izoluara nga lufta.

Caritas: të paktën 470.000 të vrarë në Siri

Lufta në Siri, sipas të dhënave të Caritasit ka kërkuar deri tani jetën e të paktën 470.000 vetëve. Stefan Maier, ekspert i Caritas Salzburg, bëri të ditur se 400.000 vetë janë vrarë drejtpërdrejt nga luftimet.70.000 vetë e kanë humbur jetën për shkak të furnizimit të pamjaftueshëm shëndetësor. Mosha mesatare e sirianëve, nga 70,5 vjeç në vitin 2010, tani ka rënë në 55,4 vjeç. Kushtet e jetesës për refugjatët, kudo ku ndodhen ata, janë katastrofale, tha Maier.