1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Siri: fqinjët dhe organizatat humanitare të mbingarkuara

Sven Pöhle / Angjelina Verbica31 Mars 2013

Mijëra largohen çdo ditë nga Siria për në vendet fqinje. Atje atyre u ndihmojnë organizata humanitare gjermane dhe ndërkombëtare. Por për shkak të numrit të madh të refugjatëve atyre u mungojnë fondet.

https://p.dw.com/p/187Fo
Fotografi: Reuters

Ata ikin nga luftimet, torturat dhe terrori i bombave. Më shumë se 8000 vetë largohen çdo ditë nga Siria në drejtim të Jordanisë, Libanit, Turqisë, Irakut apo Egjiptit. Vetëm numri i refugjatëve të regjistruar zyrtarisht nga Siria sipas komisariatit të OKB-së për refugjatët, UNHCR, është ndërkohë gati 1.2 milionë. Atyre u shtohen edhe qindra e mijëra të terë të paregjistruar zyrtarisht. "Është tepër e vështirë të përballosh masa të tilla njerëzish", i thotë Deutsche Welles Vera Voss. Ajo drejton aktivitetet e shoqatës humanitare të Johanitërve në Jordani dhe Liban. Ndihmësit përpiqen, që të plotësojnë fillimisht nevojat më emergjente:".

Refugjatë sirianë në kufirin jordanez
Refugjatë sirianë në kufirin jordanezFotografi: AFP/Getty Images

Edhe organizata humanitare World Vision shpërndan në Liban, batanije, soba, karburant, kupona ushqimesh dhe artikuj higjienikë. Punonjësit e organizatës japin kurse higjiene dhe përpiqen të sigurojnë një sistem më të mirë me ujë të pijshëm.

Por refugjatëve, rreth gjysma e të cilëve sipas UNHCR-së janë fëmijë, u nevojiten më shumë se vetëm sendet e domosdoshme për të jetuar. Në rajon Bekaa në Liban, World Vision ka ngritur qendra për mbrojtjen e fëmijëve, ku kujdesen për vajzat dhe djemtë e traumatizuar nga lufta.

Refugjatë të padukshëm

Ndihmësit janë të mbingarkuar, sepse gjithnjë e më shumë refugjatë duhet të strehohen në vende të ndryshme. Në Jordani afro 80 përqind e refugjatëve nga Siria nuk janë të vendosur në kampe për refugjatë. Edhe në Turqi dhe Irak vetëm një pjesë e vogël e refugjatëve janë të strehuar në kampe të mëdha. Shumica jeton jashtë atyre, që konsiderohen zyrtarisht kampe.

Në Liban nuk ka zyrtarisht asnjë kamp për sirianët e ikur. Edhe pse në Liban janë regjistruar zyrtarisht  375.000 refugjatë nga Siria, më shumë se në asnjë vend tjetër fqinj. Refugjatët janë të përhapur në të gjithë vendin në më shumë se 900 qytete dhe komuna. Kush nuk gjen strehim te miqtë, të afërmit , apo familjet mikpritëse dhe nuk mund të paguajë qiratë gjithnjë e në rritje për apartamentet dhe shtëpitë, jeton në qendra strehimi, apo lagje të varfëra, në shumicën e rasteve pa ngrohje e energji elektrike, dhe pa furnizim me ujë. "Ne i quajmë refugjatët e padukshëm, sepse ata nuk i sheh aq qartë si në një kamp refugjatësh," thotë Marc-Andre Hensel, i shoqatës humanitare World Vision për Deutsche Wellen.

Komisioneri i Lartë i OKB për Refugjatë, Antonio Guterres
Komisioneri i Lartë i OKB për Refugjatë, Antonio GuterresFotografi: Reuters

Shumë pak para për aq shumë njerëz

Në janar, më shumë se 40 shtete premtuan rreth 1.5 miliardë dollarë për Sirinë dhe shtetet fqinjë të saj. Por deri tani këto para nuk janë shumë të prekshme në terren. Vetëm 30 për qind e fondeve të premtuara, sipas Komisionerit të Lartë të OKB për Refugjatët, Antonio Guterres, janë vënë aktualisht në dispozicion. Një pjesë e madhe e fondeve të premtuara nuk kanë mbërritur ende.