Sinti e romë: Të forcosh të tjerët dhe të jesh vetë i fortë
16 Qershor 2023Një qytet i vogël turistik në veri të Barcelonës në fillim të verës 2023. Më shumë se dyzet vetë nga komuniteti sinti dhe rom, mes tyre edhe refugjatë nga Ukraina marrin pjesë këtu në një "hapësirë të mbrojtur" në një simpozium për menaxhimin e traumave dhe shërimin e tyre, për forcimin dhe fuqizimin e vetvetes.
Është një pyetje bazike, siç shpjegon në intervistë për DW bashkëthemeluesja e shoqatës, Save Space dhe bashkëorganizatore e simpoziumit, Roxanna-Lorainne Witt: "Kush i forcon ata njerëz, që për të gjithë ne janë të fortë? Si mbështeten shembujt model, që të forcojnë veten, ndërkohë që ata vetë shpesh duhet të punojnë pa perspektiva dhe struktura të qëndrueshme? Përvojat normale - të tilla si të shohësh detin një herë në jetë - shpesh nënvlerësohen plotësisht."
Vetëfuqizimi është i rëndësishëm, thotë Roxanna-Lorraine Witt. Sepse shumica e njerëzve që marrin pjesë në simpoziumin në Spanjë, punojnë mbi baza vullnetare për të forcuar zhvillimin demokratik dhe pjesëmarrjen në shoqërinë civile në Gjermani. Por në të njëjtën kohë ata në punën e tyre vazhdojnë të përjetojnë racizëm, dhunë ndaj njerëzve nga komuniteti sinti dhe rom dhe margjinalizim.
Ndërsektsionaliteti, përfshirja, puna edukative dhe puna shëruese
Të ftuar në simpozium janë kryesisht njerëz të prekur nga diskriminimi i shumëfishtë: prindër që i rrisin fëmijët vetëm, persona nga lëvizja LGBTQ apo persona në moshë të rritur me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike. Këto target-grupe janë veçanërisht të rëndësishme për shoqatën Save Space, e cila u themelua në Këln në vitin 2021, siç shpjegon bashkëthemeluesja Amdrita Jakupi: "Qëllimi ynë është të paraqesim dhe shoqërojmë ndërsektsionalitetin, përfshirjen, punën edukative, punën shëruese. Ne duam që njerëzve, që janë diskriminuar disa herë, t'u japim një platformë dhe t'i bëjmë të dukshëm."
Amdrita Jakupi është mirënjohëse që Fondacioni EVZ (Kujtimi, Përgjegjësia e Ardhmja) sponsorizoi këtë simpozium të vetëfuqizimit. Iniciativa të tilla janë shumë të rëndësishme, sepse "njerëzit që vuajnë nga diskriminimi i shumëfishtë dhe në të njëjtën kohë janë të përkushtuar nga ana sociale, janë të ngarkuar shumëfish”. Kjo është arsyeja pse ata kanë nevojë për mbështetje aktive për punën e tyre.
Traumë e pashëruar ndër breza
Një aspekt i rëndësishëm i simpoziumit është trajtimi i temës "Shëndeti mendor dhe trauma që përçohet ndër breza”. Në një workshop "Letra paraardhësve tanë”, përpilohen letra personale, emocionale, që u shkruhen paraardhësve. Cat Jugravu është një performance-artist dhe aktiv në queer comunity.
"Ndjeva trishtim dhe një dhimbje, që nuk është e imja. Dhe për të cilën nuk pata asnjë shpjegim, kur shkrova letrën. Vetëm më pas e kuptova se ishte një traumë ndër breza, e pashëruar. Në të njëjtën kohë ndjeva gëzim, madje edhe eufori, kur e kuptova që së bashku me koleget dhe njerëzit, që i admiroj dhe i vlerësoj, kemi risjellë kujtimet e paraardhësve tanë. Kjo është dëshmia e gjallë qe të parët tanë nuk sakrifikuan jetën kot, sepse ne ekzsitojmë akoma këtu, vazhdojmë të luftojmë dhe forcohemi dita ditës. Ne jemi të ndërlidhur, jemi njerëz të bukur dhe marrim vendin që na takon në shoqëri”, tha Cat Jugravu për DW.
Model për brezin e ri
Me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës ka dalë në plan të parë një brez i ri aktivistësh, që përpunon traumat e veta, ndërsa ndihmon të tjerët. Tri vajza të reja, që kanë jetuar në Ukrainë para luftës, marrin pjesë në Simpoziumin e Vetëfuqizimit falë mbështetjes së ERIAC (Instituti Evropian i Romëve për Artet dhe Kulturën).
Si artiste dhe aktiviste, të tria janë aktive në organizatën rinore ARCA, një shoqatë për promovimin e kulturës rome në Ukrainë. Izaura Drima është psikologe dhe aktualisht punon në Bukuresht me fëmijë nga familje refugjatësh ukrainas. Pse kryesisht me fëmijët?
"Gjithmonë kam dashur të ndryshoj gjendjen e njerëzve në komunitetin tonë. Edhe romët duhet të shihen si njerëz seriozë dhe të arsimuar, që janë krenarë për identitetin e tyre. Unë dua të jem model për brezin e ri", thotë Izaura Drima.
Organizata ARCA është shumë aktive edhe në Gjermani. Së bashku me Këshillin Qendror të Sintëve dhe Romëve Gjermanë dhe Fondin e Grave Rome në Ukrainë "Chiricli", ata organizuan edhe një konferencë të titulluar "Roma as a integral part of society of Ukraine" (Romët si pjesë integrale e shoqërisë ukrainase) në Berlin.