Sinjal paralajmërimi për perëndimin: Kapedani i njohur afgan dhe kundërshtari i Karsait Hikmatjar ju bën thirrje afganëve për kryengritje
13 Prill 2004
Gulbudin Hikmatjar është njeri i zgjuar dhe me përvojë. Ai di të ngreje njerëzit në këmbë dhe ti shfrytëzojë këto situata. Këtë e tregon edhe thirrja e tij e fundit në Afganistan, solidarizimi i tij me ata që po zhvillojnë luftën e shenjtë në Irak- siç u shpreh ai. Gjakderdhja në Irak duhet t'u japë kurajë luftëtarëve në Hindukush. Hikmatjari bën thirrje për kryengritje dhe parasheh se afganët do të dëbojnë amerikanët shumë më shpejt se sa vëllezërit e tyre në Irak. Ish shefi i milicëve në Irak dhe ish kryeministër i Afganistanit e di mirë se si mund të luftohen pushtuesit - ai ishte një nga eksponentët e luftës kundër ushtrisë së kuqe në vitet 80-të. Gjithashtu ai ishte një nga përgjegjësit kryesorë për shkatërrimin e Kabulit në vitet 90-të. Ndër të tjera ai di të zhvillojë propogandë.
Por megjithatë Afganistani nuk është Iraku: Situata në vend pas rrëzimit të talibanëve është optimiste.Shpresat ndaj ndihmës ndërkombëtare janë të mëdha, mirënjohja për ekspertët dhe investimet për rindërtimin e vendit gjithashtu. Ndryshe nga Iraku ka vetëm pak parti dhe grupe me qëllime të qarta, më shumë këtu ka milicë, grupacione dhe lëvizje të ndryshme. Të gjithë kanë interesa të ndryshme. Disa luftojnë hapur si Hikmatjar dhe talibanët. Disa fshehtazi si Al Kaida. Disa të tjerë hiqen si përkrahës të qeverisë afgane por në të vërtetë luftojnë si e si të rrisin pushtetin e tyre dhe influencën në Afganistan.
E gjitha kjo nuk është ndonjë gjë e re. Armiqësitë dhe rivalitetet nën muxhahedinët kanë qenë të pranishme prej kohësh në politikën afgane. Udhëheqësit e dikurshëm janë akoma aktivë si për shembull Hikmatjar, Rabani, apo Dostumi. Një gjë dihet shumica e njerëzve në Afganistan janë ngopur me sundimin e këtyre liderëve dhe e refuzojnë politikën egoiste dhe antinjerëzore të këtyre udhëheqësve. Afganët e dine së çfarë mund të presin nga këta udhëheqës. Pra Afganistani nuk është Iraku.
Megjithatë kjo nuk është arsye për të fjetur mbi dafina. Stabiliteti në Afganistan është i rrezikuar seriozisht. Ka të ngjarë që Hikmatjari nuk e ka pushtetin të ndezë një kryengritje popullore, por ai mund të ndikojë në frenimin e proçesit të demokratizimit dhe rindërtimit të vendit. Edhe talibanët nuk kanë ndonjë mbështetje të madhe në vend, por në një të pestën e vendit ata mund të përhapin mjaft tmerre dhe kështu të pengojnë zhvillimin e këtyre zonave. Këta kapedanë të sprovuar luftërash ndoshta nuk kanë mundësi të rrëzojnë qeverinë e mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar ppor me ushtritë e tyre private ata mund të kufizojnë pushtetin e saj dhe të ruajnë kështu pushtetin e ytre aty ku ata ndjehen zot.
Të gjitha grupacioent në Afganistan nuk mund ta sjellin vendin në një luftë civile, por ato përbëjnë rrezik që zgjedhjet në vend të dështojnë dhe kështu të dobësohet besueshmëria e qeverisë qendrore. Dhe prej kësaj lind destabilizimi dhe frustrimi i njerëzve. Madje ky eksiston, veçanërisht në jug dhe lindje të vendit në afërsi të kufirit pakistanez. Dhe ka mjaft grupacione të cilat shfrytëzojnë pakënaqësinë e njerëzve në vend për të nxjerrë përfitimet e tyre.
Vetë dëshpërimi i afganëve në vitin 1996 lidhur me kaosin ne vend i çoi ata në duart e talibanëve. Situata tanimë nuk është aq brizante. Akoma nuk
është vonë për të çuar ndihmën në zonat e talibanëve dhe kështu t'u merren argumentat ekstremistëve. Nuk është vonë gjithashtu për të çarmatosur kapedanët e rrezikshëm. Por koha rrjedh. Zgjedhjet e planifikuara në shtator janë një objektiv shumë i rëndësishëm në etapat e zhvillimit te vendit. Deri në këtë kohë duhet të lëvizin gjërat madje shpejt. Afganistani nuk është Iraku, por është e vërtetë se edhe aty nuk ka vend për eufori për zhvillimet e deritanishme.