1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SIDA: Në Gjermani bie vetëdija për rrezikun dhe shtohet numri i të infektuarve rishtaz

Nina Verkheuzer18 Gusht 2006

45.000 të infektuar me SIDA jetojnë në Gjermani. Çdo vit infektohen rreth 2000 të tjerë. Qysh prej vitesh rritet numri i të infektuarve të rinj

https://p.dw.com/p/Aqzn
Në ditën e luftës kundër AIDS, Berlin 2005
Në ditën e luftës kundër AIDS, Berlin 2005Fotografi: AP

Modeli i sqarimit të popullsisë dhe profilaksia në Gjermani konsiderohet si shembullore në mbarë botën. Po aq shembullor është edhe bashkëpunimi mes përfaqësuesve të shoqërisë civile nga njëra anë si dhe ndihma gjermane për SIDA-n me instancat qeveritare, siç është qendra federale për sqarimin mbi shëndetin. Tani të gjitha këto instanca janë të preokupuara, pasi vetëdija në popull mbi rreziqet po bie.

Qysh prej pesë vjetësh është në rritje numri i infektimeve të reja me virusin HIV në Gjermani. Në gjysmën e parë të vitit 2005 janë infektuar 2o për qind njerëz më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Njëra nga arësyet ka të bëjë me faktin, që SIDA është në opionion dhe në medie më pak prezente dhe se shumë njerëz nuk janë më të vetëdijshëm për rrezikun, thotë Sven Kristian Finke, i kryesisë së ndihmës gjermane për SIDA-n: "Nga njëra anë ne natyrisht që e kemi të qartë që ka fushata masive reklame prej industrisë farmaceutike, që ndërkohë infektimin me HIV e paraqet si të thuash si një element që i jep kuptim jetës, duke nënvleftësuar pasojat e një infeksioni të tillë. Unë mendoj, se kjo ka edhe nga jashtë pasojat përkatëse, gjë që bën të ketë edhe një ndryshim të qëndrimit ndaj rreziqeve."

Që SIDA ndërkohë është më mirë e trajtueshme se sa në fillimet e shfaqjes së sëmudnjes së humbjes së imunitetit, është njëra anë pozitive e medaljes. Ana tjetër e saj është rritja e pakujdesisë, vë në dukje Elisabet Pot, drejtore e qendrës federale për sqarimin shëndetësor: "Nuk duhet të harrojmë, se mundësia për trajtim më të mirë të sëmundjes, nuk do të thotë shërim, por një jetë me pasoja dhe me medikamente, një jetë me kufizime dhe me periudha të acarimit të sëmundjes. Për këtë s´duhet të kemi iluzione."

SIDA nuk është e shërueshme dhe seksi i pambrojtur me partnerë të panjohur është i rrezikshëm - këtë mesazh përpiqen të përhapin ekspertët e kësaj fushe. Ata kualfikojnë konsulentë dhe janë të pranishëm në pikat e takimit të homoseksualëve dhe të të droguarve. Ata ofrojnë këshilla, kohët e fundit në mënyrë të intensifikuar edhe përmes internetit, sepse ky rrjet po luan një rol gjithnjë e më të madh si një bursë kontaktesh. Ndërsa industrisë farmaceutike i kërkojnë që të mos përhapë në reklamën e saj mesazhe të papeshuara.

Parimisht në Gjermani njerëzit janë të mirëinformuar për temën e SIDA-s, mendojnë ekspertët. Por çdo brez i të rinjve duhet të sqarohet, ndaj kjo është një punë pa fund. Ndryshe qëndron puna me të huajt në Gjermani. Edhe për ta jepen shumë oferta konsulence, vë në dukje Ulrih Heide nga fondacioni gjerman për SIDA-n: "Një studim aktual i ministrisë së shëndetësisë tregon, se emigrantët që jetojnë në Gjermani janë më keq të informuar për virusin HIV dhe SIDA-n se sa gjermanët. Ndërkohë që emigrantët nga Afrika kanë informacion më të mirë krahasuar me ata nga Evropa Lindore dhe Juglindore. Avantazhi i afrikanëve në informaiconin mbi këtë sëmundje ka të bëjë me sa duket me njohuritë e tyre, që i sjellin nga atdheu."

Në Gjermani nuk ka përmirësim të nivelit të njohurive të emigrantëve lidhur me SIDA-n, sepse ata janë të tërhequr dhe ngurrojnë të kontaktojnë me qendrat e konsulencës. Ndërkohë ndihma gjermane për SIDA-n po përpiqet që të përgatisë konsulentë në gjuhët përkatëse të emigrantëve, në mënyrë që ata të jenë më pranë kulturës së tyre dhe ta kenë më të lehtë kontaktin me ta.