1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tërhiqet nga funksionet në PD

Arben Muka26 Qershor 2013

Sali Berisha pranoi humbjen në zgjedhje dhe dhe ka marrë mbi vete përgjegjësitë, duke u shprehur se do të vijojë detyrimet kushtetuese si kryeministër në dertyrë deri në mandatimin e qeverisë së re në muajin shtator.

https://p.dw.com/p/18x9k
Fotografi: picture-alliance/AP Photo

Themeluesi dhe kryetari i Partisë Demokratike duket se ka marrë të mërkurën (26.06.2013) në mbrëmje vendimin më të vështirë në karrierën e tij politike rreth 23 vjeçare. Tri ditë pasi partia dhe koalicioni i djathtë që ai udhëhoqi mori rezultatin më tronditës nga zgjedhjet parlamentare të së dielës (23.06.2013) Sali Berisha dha dorëheqjen nga të gjitha postet partiake, pavarësisht se siç tha ai, shumë nga mbështetësit dhe miqtë e tij i kishin kërkuar të kundërtën.

Në një fjalim që kishte brenda njohjen e rezultatit dhe fitoren e kundërshtarëve, me një abstrakt të etapave më kryesore të kontributit të PD-së për Shqipërinë nga viti 1990, Berisha e mori vetë përgjegjësinë për humbjen e zgjedhjeve parlamentare.

"I uroj fituesit mbarësi në detyrën e tij të lartë dhe uroj që qytetarët të gëzojnë një jetë gjithmonë e më të mirë. Kemi punuar fort. Unë jam përpjekur me mish dhe me shpirt të bëj më të mirën. Ne i humbëm këto zgjedhje. Për këtë humbje gjithë përgjegjësia bie mbi mua - vetëm mbi Sali Berishën".

Nën duartrokitjet frenetike të qindra mbështetësve që e ndiqnin nëpërmjet altopolantëve para selisë së PD-së, Sali Berisha artikuloi planet për ardhmërinë politike duke theksuar, se do të jetë një anëtar i thjeshtë i PD-së dhe deputet i saj.

"Kemi humbur një betejë. Sot është e domosdoshme të qëndrojmë më të bashkuar se kurrë. Detyra të mëdha na presin që ta shndërrojmë çështjen tonë të drejtë në çështje të të gjithë shqiptarëve".

Si një lamtumirë pa lamtumirë

Analisti politik Aleksandër Çipa e përshkruan fjalimin në dy anë të medaljes. Bëri një sjellje prej shtetari. i ktheu përshëndetjen e një ditë më parë z. Rama si fitues i garës, thotë Çipa për DW.

"Por nga ana tjetër ishte si një lamtumirë pa lamtumirë. Nëse ai pranoi që pa revokim të linte postin e kryetarit dhe gjithë postet në PD, u zotua se do të udhëheqë reformën dhe procesin e ndryshimit në këtë parti. Gati në absurd dallova se ai do të duhet të përmbushë zotime në mandatin e ardhshëm. La të nënkuptohet pra, se ky nuk ishte fjalimi i tij i fundit. Mu duk e tepruar përcaktimi i tij për shtatorin si kohë për kalimin e pushtetit ekzekutiv, pra afatin se kur ai duhet të dorëzojë detyrën në Këshillin e Ministrave për atë që është fitues i zgjedhjeve të 23 qershorit.

Pedagogu i Shkencave Sociale në Universitetin Europian të Tiranës, Roland Lami mendon se sa i takon ligjërimit prononcimi i kryeminsitrit Berisha është një standard i ri për këtë periudhë tranzicioni. Qartësisht njëra palë jo vetëm që njeh humbjen, por dhe përshëndet kundërshtarin e tij për fitoren dhe i përmbahet përgjegjësisë morale para elektoratit, dhe marrjes së përgjegjësisë sipas statutit partiak, thotë Lami për DW.

"Z. Berisha nuk harroi të përmendë produktin dhe kontributin konkret të këtij subjekti nga koha e fillimeve të pluralizmit dhe deri më sot. Unë mendoj se shoqëria shqiptare me këto akte përcjell periudhën e tranzicionit, duke u ndarë nga ankthi nëse do e njohim apo jo rezultatin, si dhe vendosja e raporteve normale me kundërshtarin pas një gare zgjedhore, aspekte që janë treguar në një formë shumë të deformuar më parë".

Albanien Wahlen Sali Berisha 23.06.2013
Fotografi: picture-alliance/dpa

Koha për rivitalizim të lidershipit dhe të strukturave

Por si parashikohen zhvillimet brenda PD tani që pas 8 viteve ndodhet në opozitë? Roland Lami nga Universiteti Europian i Tiranës thotë për DW se është i nevojshëm një reflektim, sepse sipas tij kjo u pa në zgjedhjet e së dielës, ku dhe ato që mund të konsiderohen si bastione të PD e votuan kundër.

"Kjo lidhet me atë që ka bërë PD në këto 8 vite. Eshtë koha për rivitalizim të lidershipit, qoftë dhe të strukturave. Por ajo që mendoj se ka rëndësi është përmbajtja doktrinare e PD-së. Nga shtatori dhe në vijim them se përmbajtja doktrinare duhet t’i nënshtrohet një qasjeje të re, që ne nuk kemi pasur mundësi ta kemi parë të paktën në 8 vitet e fundit, kur PD ka qenë në ekzekutiv.

Kurse Aleksandër Çipa shpreh dilemën për procesin reformues.. "Duhet pritur. Këtu kam parasysh se cili do të jetë konkretisht roli i kryetarit të dorëhequr në këtë proces, sepse ky do të jetë dhe vlerësimi real se sa i sinqertë dhe reflektiv ishte fjalimi i tij para mbështetsve".

Brukseli: "Përpara ka shumë sfida që do të kërkojnë vëmendje të menjëhershme"

Zyra e shtypit e delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë ka shpërndarë të mërkurën (26.06.2013) në mbrëmjenjë deklaratë të Peter Stano-s, zëdhënës i Komisionerit për Zgjerim, Stefan Fyle, nëpërmjet së cilës ka përgëzuar koalicionin fitues të zgjedhjeve parlamentare.

"Ne mirëpresim përfshirjen e integrimit evropian në krye të programeve të partive të koalicionit. Ne kemi besim se qeveria e re do ta ndjekë energjikisht dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse programin e reformave të vendit me qëllim që t’i japë procesit të integrimit evropian një vrull të përtërirë", thuhet në deklaratë.

Gjithashtu Peter Stano ka përmendur dhe qëndrimet e kryeministrit Sali Berisha të mërkurën në mbrëmje. "Tani nevojitet më shumë se kurrë bashkëpunimi ndërpartiak për të garantuar një tranzicion të qetë drejt qeverisë së re. Njoftimi i Kryeministrit Berisha është një hap i rëndësishëm drejt këtij synimi. Përpara ka shumë sfida që do të kërkojnë vëmendje të menjëhershme. Prandaj kjo është koha që gjithë populli shqiptar ta shohë me besim të ardhmen e tij evropiane".