1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si mund të bëhet industria gjermane më rezistente?

31 Tetor 2023

Si mund të prodhojë industria gjermane në mënyrë më miqësore me klimën duke mbetur konkurruese? Propozimet e ministrit Habeck kanë miratimin e Federatës së Industrisë Gjermane. Por këmbëngulet për lehtësime konkrete.

https://p.dw.com/p/4YEJc
Duisburger Hafen
Fotografi: Rupert Oberhäuser/picture alliance

Javën e kaluar, Ministri i Ekonomisë Robert Habeck (Të Gjelbrit) prezantoi strategjinë e tij të re industriale. Sot ai u takua me përfaqësues të biznesit dhe sindikatave në konferencën e gjashtë të industrisë. Tema të rëndësishme pritet të jenë konkurrenca e kompanive gjermane, mbrojtja e klimës, furnizimi me lëndë të parë si dhe digjitalizimi.

Në fillim të konferencës, ministri Habeck, Federata e Industrive Gjermane (BDI) dhe IG Metall kërkuan një vendim të shpejtë për të ulur çmimin e energjisë elektrike për kompanitë. Habeck tha se stanjacioni është i keq për biznesin: "As unë nuk jam i lumtur". Ndoshta konsultimet për buxhetin federal 2024, të cilat tani po hyjnë në fazën e tyre përfundimtare, do të japin njëfarë qartësie. “Por as këtë nuk mund ta premtoj”. Habeck tha sërish se shanset që të ketë një çmim të energjisë elektrike për industrinë janë 50:50.

Ministri Habeck ne konference shtypi - ne sfond salla e ministrise se ekonomise
Fotografi: Jens Krick/Flashpic/picture alliance

Koalicioni qeveritar prej muajsh po diskuton një çmim më të lirë të energjisë elektrike për industritë veçanërisht me intensitet energjie. Të Gjelbrit dhe grupi parlamentar i SPD janë për këtë, FDP është kundër. Kancelari Olaf Scholz (SPD) ka shprehur vazhdimisht skepticizmin e tij.
Propozimet e Habeck-ut për një politikë industriale me fokus të fortë në mbështetjen nga shteti në parim gjejnë mbështetje te Federata e Industrisë Gjermane (BDI). Në hapje të takimit, presidenti i BDI, Siegfried Russwurm tha se i ofron qeverisë federale bashkëpunimin në strategjinë industriale. Sipas tij, Gjermania duhet të mbetet e fortë përballë krizave aktuale dhe përballë "tre D-ve” – dekarbonizimit, digjitalizimit dhe ndryshimit demografik.

Kjo ka të bëjë me "forcimin e rezistencës të Gjermanisë si zonë industriale" dhe vazhdimin e zhvillimit të saj për të ardhmen. Angazhimi i qeverisë federale ndaj industrisë "duhet të qe bërë prej kohësh". Ajo që nevojitet tani është një kornizë e përshtatshme dhe jo rregullime të pjesshme.

Zeche Zollverein - fotografi e kthimit ne muze
Fotografi: Stefan Ziese/imageBROKER/picture alliance

Kërkesat për çmimin e energjisë elektrike për industrinë

Russwurm beson se duhet të ndërmerren veprime në fushën e politikës energjetike - ai përmendi veçanërisht çmimin e favorshëm të energjisë elektrike industriale të kërkuar nga ministri i Ekonomisë Habeck. Ai bëri thirrje gjithashtu për një përshpejtim të procedurave të planifikimit dhe lejeve, një reduktim të burokracisë si dhe për më shumë përpjekje në digjitalizim.

Përpara konferencës, presidenti i federatës sindikaliste DGB, Yasmin Fahimi, kërkoi gjithashtu çmime të favorshme të energjisë elektrike industriale. "Pa çmime konkurruese të energjisë, industria bazë, që kërkon energji intensive, është e bllokuar. Sipërmarrjet tani kanë nevojë për siguri në planifikim. Kjo është arsyeja pse qeveria federale më në fund duhet të arrijë një përfundim dhe të prezantojë një çmim kalimtar të energjisë elektrike derisa të zhvillohen masivisht energjitë e ripërtëritshme dhe çmimet e energjisë elektrike të bien sërish vetë”, tha Fahimi për agjencinë e lajmeve dpa.

Siegfried Russwurm
Siegfried Russwurm Fotografi: Jörg Carstensen/dpa/picture alliance

Po të mos ndodhë kjo, koalicioni qeveritar rrezikon të çojë në zhvendosjen e një pjese të madhe të industrisë jashtë vendit dhe rrjedhimisht një humbje të madhe të vlerës së shtuar, vendeve të punës dhe mirëqënies.

Ulje tatimore dhe subvencione për investime

Me strategjinë e tij të re, Habeck dëshiron të pozicionojë edhe një herë Gjermaninë si një vend të fortë industrial dhe "të ruajë të gjithë diversitetin e saj", siç tha ai javën e kaluar. Sipas dokumentit të tij, Gjermania duhet të vazhdojë të prodhojë qelq, çimento dhe letër në plan afatgjatë. Ministri i të Gjelbërve bëri thirrje për lehtësim taksash dhe ndihmë për investimet e biznesit. Përveç kësaj, duhet të vendosen stimuj për njerëzit që dëshirojnë të vazhdojnë të punojnë në moshën e pensionit. Ata që qëndrojnë në punë më gjatë, për shembull, mund të marrin pagesë të drejtpërdrejtë të kontributeve të punëdhënësit për sigurimin e papunësisë dhe sigurimin e daljes në pension.

Frena e borxhit, temë debati

Në këtë kuadër, ai vuri në pikëpyetje frenimin e borxhit, për të cilin insiston ministri i Financave, Christian Lindner. Është e nevojshme të "kontrollohet nëse rregullat e lojës që i kemi dhënë vetes në aspektin e politikës financiare janë ende të përshtatshme për këto kohë," tha Habeck. Marrëveshja e koalicionit, duke përfshirë edhe frenën e borxhit, sigurisht që vlen për këtë legjislaturë, por mund të mendojmë edhe përtej.

Në favor të një reforme të frenimit të borxhit është shprehur edhe Konfederata e Sindikatave Gjermane. "Nëse duam të transformojmë me sukses industrinë, duhet të investojmë tani – kjo vlen për buxhetet publike si dhe për ekonominë private,” tha presidenti i DGB Fahimi për dpa. Frena e borxhit po bëhet gjithnjë e më shumë një pengesë në të ardhmen, tha ai. Më në fund duhet reformuar.

aud (dpa, ard)