Si jetonin njerëzit në Evropë në kohën e Luftës së Parë Botërore?
9 Gusht 2011Çfarë ka mbetur nga e përditshmja e ushtarëve gjatë kësaj periudhe katastrofale të shekullit të 20-të? Si e kujtojnë atë të afërmit dhe pasardhësit e tyre? Këto pyetje kërkon t'u përgjigjet një projekt evropian, i cili ka startuar në mars të këtij viti me nismë të bibliotekës virtuale "Europeana", një bashkëpunim mes Bibliotekës Kombëtare Gjermane dhe Universitetit Oksford. Deri më 2014 - me rastin e 100 vjetorit të fillimit të Luftës - do të mblidhen e do të digjitalizohen kujtime të mbledhura nga së paku dhjetë vende të ndryshme. Gjermanëve u është bërë thirrje që të rrëmojnë podrumet, papafingot, të shfletojnë albumet e vjetra të fotografive dhe të nxjerrin dokumente, fotografi, orendi shtëpiake që u kanë mbetur nga periudha 1914-1918. Dhe gjermanët e kanë marrë shumë seriozisht këtë detyrë, siç e treguan fushatat e sensibilizimit që u zhvilluan në disa qytete të Gjermanisë, si në Frankfurt mbi Majn, Berlin ose Regensburg: Në këtë fundit ishte edhe Thomas Senne për të parë se çfarë kujtojnë regensburgasit nga Lufta e Parë Botërore.
"100 vjet luftë botërore"
Shumica e të pranishmëve në aktivitetin me titull "100 vjet luftë botërore" të organizuar nga Biblioteka Shtetërore Regensburg janë të moshuar. Ata kanë ardhur të krahasojnë përvojat e të parëve të tyre gjatë Luftës së Parë Botërore. "Unë në fakt erdha vetëm për të sjellë këtë. Ma pat dhënë im gjysh: është një fletore me këngë ushtarësh nga Lufta e Parë Botërore. Sa ta hedhin fëmijët ndonjë ditë në plehra, thashë, më mirë po e dorëzoj këtu."
Menjëherë dikush nga ekipi i përbërë nga dymbëdhjetë anëtarë kujdeset për burrin që më parë kishte pritur me durim në radhën e gjatë të formuar në bibliotekë. Një burrë tjetër i vjetër e i gjallë ka sjellë librezën ushtarake të të atit, nga koha kur ishte ushtarë këmbësorie në Francë. Ai ka shkruar aty një për një të gjitha betejat dhe plagosjet ndërmjet viteve 1914 e 1918. "Ne i thoshim gjithnjë: Baba, na trego ndonjë kujtim nga lufta", por ai kundërshtonte: "Jo, se filloj pastaj e i shoh sërish në ëndërr." Por disa gjëra na i ka treguar, për shembull se si kur ishte i lënduar e u kishte thirrur ushtarëve që po tërhiqeshin: "Na merrni edhe ne me vete".
Sendet e mbledhura u dorëzohen menjëherë ekspertëve, të cilët i kontrollojnë e i skanojnë, thotë Frank Drauschke nga instituti privat i hulumtimeve "Fact & Files".
"Ky është laboratori ynë, ku kemi stacione të ndryshme riprodhimesh për aparatet fotografike, por edhe skanerë për t'i fotografuar dhe skanuar dokumentet. Tani për shembull po skanojmë një shpatë, çka natyrisht që është pak e vështirë. Në të është gdhendur stema e regjimentit 12 për artileri fushore të Mbretërisë së Bavarisë. Në fillim ne bëjmë një foto të përgjithshme të objektit, dhe më pas fotografojmë detajet, si për shembull këtë gdhendje."
Portali i internetit "Europeana"
Bashkëpunëtorët e trajnuar më parë mbajnë shënime protokollare për ato sende që përmbajnë elemente tragjike, si për shembull nekrologjitë. "Erdhëm këtu sepse historia e familjes sonë është shumë tragjike. Ungji ishte lënduar rëndë gjatë betejave në Francë. Im gjysh, pra babai i tij, shkoi ta kërkonte në front, por për fat të keq e gjeti të vdekur. Kur u kthye në shtëpi, në Passau, ai lëndoi veten në të njëjtin vend ku ishte lënduar i biri, pra vrau veten. Babë e bir vdiqën brenda tri ditësh."
Iniciatori i ditës sensibilizuese në Regensburg është drejtuesi i bibliotekës shtetërore të qytetit, Bernhard Lübbers. Rezultatet e hulumtimit, së bashku me fotografitë, do të mund të shihen më vonë në portalin e internetit, „Europeana“. Kjo është një Bibliotekë digjitale e financuar kryesisht nga Komisioni Evropian dhe që ekziston në 27 gjuhë. "Dita përkujtimore është pas tre vjetësh. Atëherë do të jetë 100 vjetori i Luftës së Parë Botërore. Kjo datë u morr si shkasë për këtë iniciativë të lindur në Oksford, për të bërë një portal interneti me orendi e kujtime nga Lufta e Parë Botërore, të cilat ndodhen në pronësi private."
Jo vetëm historianët, por edhe shumë qytetarë interesohen për historinë
Krikot që blinin rezervistët në përfundim të shërbimit ushtarak, urdhrat e nderit, kartolinat dhe fotot nga ushtria ishin sendet e para që u mblodhën në Regensburg.
Lübbers: "Natyrisht që ato janë gjëra shumë të vlefshme për njerëzit. Ata i kanë ruajtur për gati 100 vjet, kjo tregon se ata janë të lidhur personalisht me këto sende. Ky është një dimension. Dimensioni tjetër është ai shkencor. Sa më shumë sende të tilla të jenë në internet, të jenë pronë publike e të hulumtohen publikisht, aq më i qartë dhe i kthjellët bëhet përfytyrimi ynë për ushtarin e thjeshtë në Luftën e Parë Botërore."
Jo vetëm historianët, por edhe shumë qytetarë të tjerë të interesuar për historinë, si për shembull një grua, që nuk dëshiron të na e kallëzojë emrin e saj, janë të prekur nga ky aksion.
"Sepse shumë njerëz ruajnë në shtëpi sende, që është gjynah që të rrinë të fshehura nëpër dollapë. Aty ka shumë shpesh gjëra, që janë vërtet të vlefshme, për të cilat njerëzit shpesh nuk janë të vetëdijshëm. Nuk është vetëm ana financiare, por ato janë thjesht sende të bukura, e mund të ekspozohen përkohësisht diku, në mënyrë që t'i shohin të gjithë."
Një ekspozitë lëvizëse nëpër muze të ndryshëm nuk do të ketë në këtë projekt, por një prezantim në internet. Ai ka si synim të përhapë njohuri për të përditshmen e luftës dhe të ndihmojë në ngushtimin e hendeqeve ndërmjet palëve kundërshtare, thotë shefi i bibliotekës së Regensburgt, Bernhard Lübbers: "Sa më shumë që ne mësojmë për këtë luftë dhe për tmerret e kësaj, aq më shumë arrijmë në përfundimin se duhet të merremi vesh miqësisht dhe jo armiqësisht me njëri-tjetrin."
Autor: Thomas Senne
Redaktoi: Bahri Cani