Si i mblodhi rreth vetes punëtorët regjimi nazist
27 Prill 2013Në prill të vitit 1933, në mbarë Gjermaninë sundonte ngutja dhe nxitimi. Fëmijët dhe të rriturit mësonin këngë, shtëpitë dhe rrugët ishin të zbukuruar në mënyrë festive. 1 Maji i vitit 1933 u zgjodh nga ministri i propagandës Jospeh Goebbles si një "ngjarje masive unike". Dita tradicionale e punës duhet t'i shërbente qëllimit të nacionalsocialistëve që të bëjnë për vete klasën punëtore. Bërja për vete e klasës punëtore ishte një hap i rëndësishëm për kancelarin Adolf Hitler të pajisur ndërkohë me kompetenca diktatoriale. Deri më tani, një pjesë e madhe e klasës punëtore ishte përkrahëse e rivalëve social-demokratë apo komunistë.
Një ditë feste me pagesë
Që nga fundi i shekullit të XIX Lëvizja Internacionale e Punëtorëve festonte 1 Majin si "Ditën e Punës". Por dita e parë e muajit maj nuk ka qenë festë shtetërore deri sa pushtetin në Gjermani e morrën nacionalsocialistët. Kush dilte këtë ditë në parada dhe festime, ai mund të merrte një ditë pushimi. Ose të hiqte dorë nga mëditja. Me fillimin e diktaturës naziste, kjo ndryshoi. Qysh më 7 Prill të vitit 1933, kabineti i Hitlerit e shpalli 1 Majin "Festë kombëtare të punës." Kështu që 1 Maji u bë një festë shtetërore dhe në këtë mënyrë ditë pushimi në Gjermani. Dhe Hitleri kishte edhe një "dhuratë" tjetër për punëtorët: edhe pse nuk do të punonin mëditja e tyre do të paguhej për 1 Maj.
Më 1 Maj Partia nacionalsocialiste gjermane e Punës (NSDAP) ofroi një spektakël gjigant për t'iu bërë përshtypje njerëzve: u organizuan parada të mëdha, në ballë të tyre marshonin organizatat e Partisë Naziste. Në Berlin, u mbajt tubimi qendror në të cilin foli personalisht edhe Adolf Hitleri. Fjalimi u transmetua përmes radios edhe në cepin e fundit të Gjermanisë. Parada, muzikë, shfaqje e pilotëve akrobatik, dhe në fund fishekzjarre të mëdha: nazistët i ofruan qindra e mijëra berlinezëve një spektakël të vërtetë. Joseph Goebbels ishte shumë i kënaqur: "Spektakël i mrekullueshëm. I pakapshëm edhe në përmasat e tij .."
Plani i vërtetë
Pothuajse askush nuk e kishte hetuar që Hitleri me festimet e 1 Majit ishte duke ndjekur një krejt tjetër plan. Për këtë Goebbels ka shënuar në ditarin e tij: "Më 1 maj, festa do të jetë e madhe. Më 2 maj, ne do të fusim në dorë shtëpitë sindakaliste .." Ai ishte duke iu referuar shtëpive të Sindikatave të Lira, në të cilat organizoheshin punëtorët. Pavarësia e tyre nga shteti ishte halë në sy të nacionalsocialistëve, ata donin të kenë pushtetin e vetëm të përfaqësimit të punëtorëve. Sepse Hitleri llogariste që një klasë punëtore e organizuar mirë përmes grevave të ndryshme mund ta pengonte instalimin e diktaturës. Megjithatë, ky rrezik nuk ishte i madh: Federata e përgjithshme sindikaliste gjermane (ADGB), si organizatë ombrellë e Sindikatave të Lira, ishte deklaruar në shkurt të vitit 1933 si politikisht neutrale - megjithëse në të njëjtën kohë njësitë sulmuese (SA) si organizatë paraushtarake luftarake e NSDAP ndiqnin në rrugë si komunistët ashtu dhe kundërshtarët e tjerë të regjimit nga radhët e klasës punëtore. Bile në festimet e 1 Majit morri pjesë edhe ADGB. "Punëtorët gjermanë duhet të tregohen të vetdijshëm dhe me 1 Maj të protestojnë duke kërkuar që të jenë anëtarë me të drejta të barabarta në shoqërinë gjermane", u bënte thirrje punëtorëve kryesia e Sindikatave të Lira.
Prandaj Goebbels mund të ishte mjaft i sigurt për fitoren e tij: "Ca ditë përplasje, pastaj ata na përkasin neve." Të organizuara mirë, trupat sulmuese SA goditën më 2 Maj. Pothuajse pa rezistencë ato pushtuan zyrat e sindikatave, bankat e punëtorëve dhe redaksitë e revistave të Sindikatës së Punëtorëve. Shumë oficerë të lartë u dërguan në burgje dhe kampet e përqendrimit, u konfiskuan llogaritë dhe fondet. Punëtorët e pranuan "goditjen" e misioneve të tyre - pothuajse askund nuk ka pasur rezistencë. Goebbels i kënaqur shkruan në ditarin e tij: "Puna shkon si sahat."
Fronti gjerman i punës
Nacionalsocialistët në vend të sindikatave të lira krijuan strukturën e tyre organizative: Më 10 Maj 1933 ata themeluan Frontin gjerman të punës, DAF. Tani e tutje ai duhej të përfaqësonte interesat e punëtorëve. Objektivi primar i DAF ishte kontrollimi i punëtorëve dhe edukimi i tyre në frymën naziste. Edhe punëdhënësit janë inkurajuar për t'iu bashkuar DAF-it. Kështu, punëtorët dhe punëdhënësit tani ishin të bashkuar, në një organizatë të vetme, të kontrolluar nga nazistët. Anëtarësimi ishte "vullnetar, por i dëshirueshëm." Në vitin 1942 DAF kishte 25 milionë anëtarë, duke e bërë organizata më e madhe në të të ashtuquajturin Rajhu i Tretë. 1 Maji i vitit të ardhshëm nuk u festua më si Dita e Punës. Ajo tani ishte festë kombëtare e popullit gjerman, fjala punë u hoq pa zhurmë. Hitleri kishte arritur qëllimin e tij gjithsesi: me sindikatat e lira nga 2 Maji i vitit 1933 u paralizua një institucion tjetër që mund të ishte i rrezikshëm për nazistët.