Si i festojnë shqiptarët në Gjermani Krishtlindjet?
25 Dhjetor 2007Arturi* është nga Shqipëria dhe jeton prej 10 vitesh në Gjermani: "Si gjithë shqiptarët e tjerë edhe unë festoj Krishtlindjet pranë familjes, pasi kudo këtu kjo është një festë kryesisht familjare. E ndjej veten tepër mirë, sepse i gjithë ambienti festiv më jep kënaqësi të madhe, njëkohësisht në Berlin, ku njerëzit janë më miqësor, gëzimin mund ta ndash edhe me komshinjtë"
Vjollca Hajdari, publiciste nga Kosova jeton prej 15 vitesh në Gjermani: "Mendoj se të bashkëfestosh është një ndjenjë, që të bën të perceptosh se ti pranon dhe toleron, dhe nuk i jep Krishtlindjeve konotacion negativ si pjesë e një religjioni tjetër. Kjo është shumë e rëndësishme."
Hasani* sapo ka festuar Bajramin dhe tregon se si festohen në familjen e tij, Krishtlindjet. "Ne zakonisht për 24 dhjetor, takohemi tërë familja dhe festojmë bashkërisht. Zakonisht, shkohet me fëmijët dhe nusen tek prindërit e mi dhe të nuses. Secili sjell nga një dhuratë të vogël me vete. Kryesorja është që familja bashkohet dhe feston në një rreth të ngushtë familjar. Kjo është ajo që bëjmë ne për Krishtlindjet në
Gjermani."
Ndërsa Vjollca Hajdari tregon se si vazhdon tradita mes shqiptarëve të Kosovës që jetojnë në Gjermani: "Ne kemi disa shembuj të familjeve shqiptare të cilat jetojnë në Berlin, ndër to jam edhe unë. Unë kam vizituar shumë shpesh familje të religjionit të krishterë dhe për festa ne bëjmë vizita, bëjmë telefonatat duke dëshiruar festën e Kërshëndellave. Pritemi mirë nga këto familje dhe bëjmë këmbim dhuratash. Atmosfera është festive."
A është festimi i Krishtlindjeve dëshmi që tregon se shqiptarët janë integruar?
Festimi i krishtlindjevë nuk është diçka e re mendon Hasani: "Unë mendoj gjithsesi se shqiptarët janë të integruar, edhe sipas origjinës që kemi në Evropë, por shikuar edhe nga aspekti fetar, shumica e shqiptarëve kanë qenë të krishterë."
Në integrimin e shqiptarëve nuk dyshon as Arturi: "Shqiptarët janë komplet të integruar. Për më tepër që pavarësisht nga okupimi tepër i gjatë turk, shqiptarët kanë një traditë të krishterë, domethënë që krishtlindjet kanë qenë festë tradicionale shqiptare."
Krishtlindjet duhet të jenë si festa e Vitit të Ri mendon Ani Spahivogli. Artistja nga Shqipëria jeton prej kohësh në Gjermani. "Krishtlindjet në kujtimet e mia janë të shkrira me festën e madhe të Vitit të Ri." Ajo kujton kur i ka festuar për herë të parë Krishtlindjet: "Ka qenë fillimi i viteve nëntëdhjetë dhe ne morrëm pjesë në një Meshë që u organizua në Shkodër. Ajo ishte Krishtlindja e parë që kam bërë unë, dhe disa muaj më vonë jam pagëzuar. Viteve të tjera ka qenë një festë e zakonshme, sigurisht në Shqipëri me peshk për darkë."
Pyetjes se a janë këto shenja integrimi të shqiptarëve, Vjollca Hajdari i përgjigjet: "Unë mendoj se Krishtlindjet janë një nga faktorët që tregojnë se shqiptarët janë të integruar në Gjermani, por nuk është një ndër faktorët më relevantë apo ndër komponentët më determinantë. Mendoj se më e rëndësishme është se si shqiptarët krijojnë imazin e tyre në shoqërinë gjermane dhe se si duhet të punojnë ata drejt imtegrimit të mirëfilltë, që arrihet nëpërmjet mësimit të gjuhës gjermane, pastaj shkollës, edukimit etj.
Dëshmi integrimi apo jo? Kjo pyetje sigurisht që shtrohet për brezin e parë të emigrantëve. Ani Spahivogli: "Përjetimin që po i bëj Krishtlindjeve tani po e bëj nëpërmjet syve të tim biri. Ai është katër vjeç dhe beson në Santa Klaus, në Krishtlindje, beson se dikush vjen, Krishti i vogël bie dhuratat, i fsheh poshtë pemës. Eshtë aq i ngazëllyer. Dhe këtë gjë unë për herë të parë po e përjetoj nëpërmjet tim biri, ngazëllimin e madh që sjellin Krishtlindjet."
* Emrat Artur dhe Hasan nuk janë origjinalë