1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si e mori pushtetin Hitleri 75 vjet më parë?

Wagener, Volker30 Janar 2008

Më 30 janar 1933 Adolf Hitleri u betua si kancelari i ri i rajhut. Kjo datë konsiderohet si fillimi i terrorit nazist në Evropë.

https://p.dw.com/p/CzOY
Porta e Brandenburgut më 30 janar 1933. Me orë tëra njësitë paraushtarake SA të NSDAP-së marshonin për të festuar ardhjen e Hitlerit në pushtet.Fotografi: HO
Një vetëmashtrim me pasoja të rënda: "Për dy muaj ne do ta kemi vënë Hitlerin me shpatulla pas murit", shfryu Franz von Papen, politikan i qendrës dhe ish-kancelar i rajhut më 30 janar 1933. Këtë mëngjes dimri pak pas orës 11:00 Adolf Hitleri dhe kabineti i tij bënin betimin ndaj kushtetutës së Republikës së Vajmarit në pallatin e presidentit të rajhut në Berlin, Paul von Hindenburg. Presidenti i moshuar prej kohësh ish përpjekur ta pengonte emërimin e "rreshterit nga Bohemia" siç e vlerësonte ai me përçmim Hitlerin. Hindenburgu, i përfshirë prej frymës së mendimit kombëtar gjerman, i shihte me dyshim ithtarët e nacionalizimit radikal, aq më tepër Hitlerin. Por rezultatet e një serie zgjedhjesh në fillimin e viteve 30-të e kishin forcuar partinë nacionalsocialiste të punëtorëve gjermanë, shkurt NSDAP të Hitlerit. Më 6 nëntor 1932 NSDAP ndonëse humbi 34 mandate që kish fituar pak më parë në zgjedhje nga 230 deputetë që kishte gjithsej rajshtagu, partia e Hitlerit kish kohë që ishte forca më e madhe politike në republikën e brishtë. Megjithatë me Hitlerin si kancelar i rajhut dhe me ministrat Herman Gëring (Hermann Göring) dhe Vilhelm Frik (Wilhelm Frick) në këtë ditë historike më 30 janar bënë betimin vetëm tre nacionalsocialistë. Bashkë me Hindenburgun edhe shumë politikanë të tjerë me përgjegjësi nga kampi konservator nacional mendonin se e kishin nën kontroll Hitlerin dhe njerëzit e tij.

Ideja për ta larguar Hitlerin dështoi

Rezervat e Hindenrbugut kundër Hitlerit me kalimin e kohës u zbehën prej përfaqësuesve të industrisë së rëndë dhe të bejlerëve të fuqishëm të asaj kohe. Në kulmin e krizës ekonomike botërore, që i shkaktoi asokohe Gjermanisë pesë milionë e gjysmë të papunë, Hitleri në perceptimin e Hindenburgut u shndërrua në garancinë për unitetin dhe madhështinë kombëtare. Një ekip qeveritar i dominuar prej partive konservatore duhej ta "zbuste" Hitlerin, kështu llogariste presidenti. Pra ai mendonte se kishte një sistem sigurie. Por ky koncept dështoi shpejt dhe pati pasoja të rënda. Pavarësisht kontrollit Hitleri brenda një kohe të shkurtër ai doli që të komandojë dhe administrojë me dorë të lirë.

Dekreti i emergjencës
Adolf Hitler Machtübernahme Parteizeitung der NSDAP
Gazeta e nacionalistëve NSDAP "Vëzhguesi popullor" raporton marrjen e pushtetit nga Hitleri, 30 janar 1933Fotografi: AP
Në fillim të marsit 1933 NSDAP fitoi gati 44% të votave. Me nacionalistët konservatorë gjermanë në aleancë mjaftonte krijimi i shumicës absolute. Zjarri që pësoi rajshtagu një javë më parë ishte një rast i favorshëm për nazistët, që të shfuqizonin të drejtat themelore elementare përmes një dekreti emergjence. Më 23 mars Hitleri mori votat e të gjitha partive qytetare për të miratuar me dy të tretat ligjet që i jepnin atij kompetenca të zgjeruara. Ky ishte fundi i rajshtagut. Vetëm partia socialdemokrate votoi kundër. Pasuan masat për vendosjen e kontrollit nëpër lande, spastrimin e administratës publike dhe deri në verë partitë politike u detyruan ose të shpërbëheshin "vullnetarisht" ose u ndaluan. Vetëm kushtetuta e Vajmarit formalisht mbeti në fuqi. Hitleri as që u mundua ta shfuqizojë atë.