Shumë azilkërkues nga Maqedonia e Veriut në Gjermani
12 Janar 2022Viti 2021 shënoi një rritje të ndjeshme të kërkesave për azil në Gjermani. Arsyet janë të ndryshme dhe nuk mund të bëhet krahasimi me vitin 2020, kur kufijtë për shkak të pandemisë ishin gati të mbyllur. Edhe Ministria Federale e Punëve të Brendshme theksoi, se një krahasim me shifrat e vitit 2020 nuk mund të bëhet, për shkak të masave kufizuese të pandemisë së Coronës. Marrja e pushtetit nga talibanët, itinerari i ri i migracionit përmes Bjellurusisë, përmenden si faktorë që kanë shënuar rritje të kërkesave. Në vitin 2020 pati vetëm 122.000 kërkesa për azil në Gjermani. Kurse në vitin 2017 shifra ishte më e lartë, 222.600.
Sipas të dhënave zyrtare të Zyrës Federale për Migracionin dhe Refugjatët (Bamf), ky institucion ka shënuar 190.800 kërkesa për azil vitin e kaluar, shkruan agjencia gjermane e lajmeve, DPA. Rreth 148.000 kërkesa vijnë nga refugjatë që e shtrojnë për herë të parë kërkesën për azil në Gjermani, kjo është shifra më e lartë, që nga viti 2018. Kurse rreth 17,5% e kërkesave të para janë dorëzuar për fëmijët nën 1 vjeç, që kanë lindur në Gjermani.
Vendet kryesore nga vijnë azilkërkuesit
Listën e vendeve nga vijnë refugjatët e kryesoi edhe vitin e kaluar Siria. Më shumë se 70.000 kërkesa janë shtruar nga sirianë, sipas Bamf. Por vitin e kaluar është shtuar edhe numri i azilkërkuesve nga Afganistani, që pas ardhjes në pushtet të talibanëve, 31.000 kërkesa regjistroi Zyra Federale për Migracionin.
I lartë mbeti vitin e kaluar edhe numri i kërkesave nga Ballkani Perëndimor, sidomos i kërkesave të përsëritura për azil nga qytetarë të Ballkanit Perëndimor, të cilët ishin larguar njëherë nga Gjermania.
Ajo që bie në sy në statistikat e Zyrës Federale për Migracionin dhe Refugjatët është rritja e dukshme e numrit të azilkërkuesve nga Maqedonia e Veriut. Vitin e kaluar Bamf regjistroi 4500 kërkesa nga ky vend. Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët ka shënuar se ka një rënie të kërkesave për azil nga Kosova.
la/ag