260710 Afghanistan Wikileaks Karsai
27 Korrik 2010"Po, ne u shokuam", e pranon zëdhënësi i presidentit afgan, Hamid Karzai. Të shokuar për faktin se ishte e mundur që një numër kaq i madh i dokumenteve të dalë në opinon, por jo edhe për përmbajtjen e tyre:
"Përsa i përket përmbajtjes së dokumenteve, reagimi i menjëhershëm i presidentit ishte: shumica e tyre nuk janë të reja, të gjitha ka kohë që ne i kemi diskutuar."
Zëdhënësi i Karzait, Vaheed Omer ka veçuar dy çështje nga dokumentet në të cilat është hedhur më shumë dritë mbi ngjarjet. Së pari: roli i palavdishëm, të cilin e ka luajtur në të kaluarën shërbimi i fshehtë i vendit fqinj Pakistan, për të destabilizuar Afganistanin. Dhe së dyti: faktin që në raportet e fshehta bëhet fjalë për raste deri tani të panjohura për vrasjen e civilëve.
"Qëndrimi ynë në të dy pikat ka qenë shumë i qartë në vitet e fundit: në e kemi diskutuar gjithmonë temën e vrasjes së civilëve. Dhe kemi paralajmëruar se sa e dëmshme është nëse bashkarisht duam që të mposhtim terrorizmin në Afganistan dhe njëkohësisht vdesin njerëz të pafajshëm."
Ajo çfarë është publikuar në platformën e internetit është material bruto, i cili nuk është përpunuar më parë nga zyrat për marrëdhënie me publikun.
Mbledhja e të dhënave është bërë vetëm deri në fund të 2009. Pallati Presidencial i Karzait thekson se që atëherë janë bërë përparime të dukshme për evitimin e viktimave të pafajshme. Aktuale mbetet tema e dytë: shërbimi i fshehtë paistanez ISI dhe marrëdhëniet e tij të veçanta me talebanët.
Eksperti i politikës afgane, Haroun Mir mendon:
"Për ne në Afganistan tema e mbështetjes pakistaneze për kryengritësit nuk është ndonjë befasi e madhe. Ne ka kohë që flasim për këtë çështje, edhe presidenti Karzai ka folur shpesh hapur për këtë me zyrtarët amerikanë dhe pakistanezë. Fatkeqësisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kemi pasur asnjëherë reagime pozitive. Është koha që t'i sqarohet popullit dhe kongresit amerikan, përse këto raporte kanë provuar t'i mbajnë të fshehta."
Shtetet e Bashkuara të Amerikës paguajnë shumë para për të luftuar talebanët. Por nëqoftëse pakistanezët mbajnë njërën dorë të shtrirë dhe arkëtojnë parata e amerikanëve dhe me dorën tjetër mbajnë kontakte të mira me ekstremistët, atëherë kjo krijon një situatë të pakëndshme edhe për qeverinë në Uashington.
Nuk mund të mohohet se lidhjet e shërbimit të fshehtë pakistanez me ekstremistët në të kaluarën kanë qenë shpesh të ngushta. Shumë vëzhgues mendojnë: shërbimi i fshehtë ISI përpiqet ende t'i ruajë këto lidhje, sepse në të ardhmen talebanët mund t'i hyjnë në punë për siguruar ndikimin në vendin fqinj, kur Perëndimi të ketë tërhequr trupat e tij nga Afganistani.
Autor: Kai Küstner/Esat Ahmeti
Redaktoi: Auron Dodi