1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryeministrat e landeve kërkojnë më shumë fonde nga federata

Sabine Kinkartz27 Mars 2015

Në Gjermani është rritur dukshëm numri i azilkërkuesve. Disa lande parashikojnë që ky numër këtë vit të arrijë shifrën e 500.000 vetëve. Kush do të kujdeset për ta?

https://p.dw.com/p/1EyLK
Symbolbild Bundesländer rechnen mit mehr Asylbewerbern
Fotografi: picture-alliance/dpa/Oliver Mehlis

Në Berlin debatuan këtë javë kryeministrat e landeve për politikën ndaj azilantëve. Në qendër të debatit ishin akomodimi i refugjatëve, trajtimi dhe situata shëndetësore e tyre. "Ne po përballemi me shifra që jo vetëm janë rritur në vitet e fundit, por para tre ose katër vjetësh as që mund të mendoheshin.", thotë kryeministri i landit të Saksonisë-Anhalt, Reiner Haseloff nga CDU.

Ndërkohë që në vitin 2014 në Gjermani erdhën 200.000 refugjatë, këtë vit landet gjermane presin një shifër që do ta kalojë një gjysmë milioni. Qeveria gjermane nga ana tjetër llogarit me 300.000 refugjatë, një prognozë kjo e Zyrës Federale për Migrimin dje Refugjatët (BAMF). Por kjo shifër kthehet në problem për landet dhe komunat, sepse mbi bazën e këtyre llogaritjeve të përafërta ato kryejnë përgatitjet për pritjen dhe kujdesin ndaj refugjatëve.

Shtohet numri i familjeve refugjate

Kësaj problematike i shtohet edhe një fenomen tjetër. Mes refugjatëve gjenden sot më shumë familje me fëmije të vegjël se më parë. Për trajtimin e tyre në vend kjo sjell vështirësi të mëdha, sepse qytetet dhe komunat duhet të sigurojnë më shumë vende në kopshte dhe shkolla, dhe që fëmijët të marrin menjëherë njohuri gjuhësore.

"Ne jemi të mendimit se kjo është sfidë mbarështetërore për vendin tonë", shpehet Dietmar Woidke, aktualisht drejtues i konferencës së kryeministrave të landeve, kryeministër i landit të Brandeburgut. "Kërkohet më shumë angazhim i federatës, dhe jo minimizim i gjendjes, sepse realisht ajo është serioze." Deri më tani federata ka dhënë ndihma në drejtime të caktuara, por landet kërkojnë më shumë ndihma, kërkojnë më shumë planifikim të tyre dhe vazhdimësi. 1 miliardë euro ka premtuar federata për kujdesin ndaj refugjatëve, për landet një pikë ujë në oqean. Woidke llogarit se vetëm landi i Brandenburgut për trajtimin e refugjatëve këtë vit ka planifikuar 160 milionë euro. Nga federata ofrohen për këtë vetëm 15 milionë euro.

Landtag Sachsen-Anhalt - Reiner Haseloff
Reiner Haseloff, (SPD), kryeministër i landit të BrandenburgutFotografi: picture-alliance/ZB

Refugjatëve të rinj i duhet ofruar mundësia e kualifikimit

Kryeministrat janë kritikë edhe ndaj procedurave të gjata të njohjes së azilit. Verifikimi i një kërkese merr gjashtë e muaj e gjysmë në vend të tre muajve të premtuar. Kryeministri i landit të Saksoni-Anhalt Haseloff kërkoi shtimin e personelit të Zyrës Federale për Migracionin dhe Refugjatët. Nga ana tjetër federata duhet të mbështesë kurset e gjuhës dhe këtë jo vetëm një vit.

Të rinjtë refugjatë po ashtu duhet të kenë mundësi të mbarojnë kurset e kualifikimit që i kanë filluar ato. Për këtë duhet të krijohen parametrat e duhur ligjorë kërkojnë kryeministrat e landeve- Sidomos për të rinjtë refugjatë që vijnë nga vende jo të sigurta origjine. Atyre duhet t'u mundësohet fillimi i një kualifikimi profesional apo mbyllja me sukses e tij, pavarësisht nga procedura në vazhdim e azilit dhe përfundimi i saj.