1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi për procesin Politkovskaja, sekretin bankar në Zvicër dhe rrezikun e inflacionit në Eurozonë

EXH/AV20 Shkurt 2009

Edhe pse zvicerianët nuk duan ende ta pranojnë, sekreti i tyre bankar me një traditë shekullore ka pësuar në një çarë të madhe.

https://p.dw.com/p/Gy5y
Fotografi: picture-alliance/dpa

Gazeta "Süddeutsche Zeitung" i kushton sot vëmendje vendimit në procesin për vrasjen e gazetares ruse Ana Politkovskaja: "Procesi i parë në rastin e vrasjes së gazetares Politkovskaja përfundoi me një sensacion. Juria popullore i bëri ballë gjithë sugjerimeve dhe trysnisë politike dhe e ndihmoi shtetin juridik në Rusi të arrinte një fitore të rrallë. Prokuroria tha se kishte humbur një video të vendit të krimit, paraqiti prova kundërthëse dhe të dyshuar të rinj por asnjë motiv. Juria popullore vendosi: kjo nuk është e mjaftueshme. Ky vendim përbën një dritë shprese. Rusia ndërkohë qeveriset nga dy burra shteti me profesionin e juristit por vendi nuk i është afruar aspak shtetit ligjor. Çdo ditë një grup i vogël avokatësh të ndershëm hyjnë në një luftë pa shanse për fitore duke rrezikuar kështu vetveten."


Ndërrojmë temë. Gazeta "Handelsblatt" i kushton sot një koment sekretit bankar në Zvicër i cili nuk është më i pacënueshëm: "Edhe pse zvicerianët nuk duan ende ta pranojnë, sekreti i tyre bankar me një traditë shekullore ka pësuar në një çarë të madhe. Pasi SHBA-ja me trysni të fortë arriti të detyronte bankën e madhe zviceriane USB të publikonte të dhëna delikate mbi klientët, do të jetë tashmë vetëm çështje kohe derisa edhe vende të tjera të bëjnë presion për një shkëmbim të gjerë të dhënash në rastet e evazionit fiskal. BE-ja ka bërë tashmë të qartë se do të ngulë këmbë në një trajtim të barabartë me SHBA-në. Edhe Ministri gjerman i Financave Peer Steinbrück mund të jetë mirënjohës për atë çka arritën amerikanët. Kërbaçi me të cilin ai pati kërcënuar jo shumë kohë më parë zvicerianët në rast refuzimi të shkëmbimit të të dhënave, nuk do të jetë më i nevojshëm."


Pa u larguar nga bota e financave shfletojmë në gazetën "Frankfurter Allgemeine" që trajton sot problemin e borxheve publike në zonën e Euros."Kriza aktuale financiare dhe ekonomike po zbulon pa mëshirë dobësitë e bashkimit monetar. Vende të vogla të Unionit kanë jetuar mbi mundësitë e tyre dhe kanë dështuar në rregullimin në kohë të sistemeve të tyre sociale, tregjeve të punës dhe buxheteve shtetërore. Nën petkun e politikës së përbashkët monetare vazhdonte të jetonte rutina dhe përtacia. Tani është me vend që investuesit të kërkojnë nga debitorët e dobët një prim për rrezikun. Vendet deficitare duhet të zgjedhin nëse do të heqin dorë nga politika e tyre e borxheve apo nga monedha e përbashkët euro. Kërkimi i ndihmës nga Gjermania nuk sjell shpëtim por çon në një inflacion galopant. Nëse humbet besimi tek debitori më i mirë i Evropës, edhe euroja do të shëmbet."