1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Eulexi nuk do t'i mungojë askujt

30 Maj 2018

Shtypi gjerman i kushton vëmendje të posaçme situatës në Kosovë, largimit të Eulexit dhe rrugëve të reja të refugjatëve në Ballkan.

https://p.dw.com/p/2yX6h
Symbolbild Presseschau Zeitungen
Fotografi: DW/H. Flotat-Talon

"Ajo që pushtetmbajtësit kërkojnë kaherë në Kosovë do të ndodhë në qershor: Misioni i Eulexit do të largohet, por do të mbetet një mision i vogël këshillues". Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri thotë se tani ata edhe vet mund t'i kryejnë këto punë. "Nuk kemi nevojë për një mision tjetër të huaj me të drejta ekzekutive". Kështu fillon tekstin e tij në Neue Zürcher Zeitung gazetari Andreas Ernst.

„Eulexi ka qenë misioni më i madh i Bashkimit Evropian deri tani. Dikur ka pasur në Kosovë deri në 2000 policë, gjykatës dhe doganierë, ndërsa buxheti vjetor ka qenë rreth 200 milionë euro. Misioni është zvogëluar shumë herë, ndërsa aktualisht në Kosovë ka rreth 800 nëpunës, me një buxhet prej 60 milionë. Kosovarët e kanë përshëndetur ardhjen e Eulexit me shpresë se misioni do të vendosë barazinë para gjyqeve dhe do të mundësojë ndarjen e pushtetit. Pas heqjes së autonomisë së Kosovës në vitin 1989 nga autoritetet e Serbisë, në Kosovë nuk ka pasur shtet juridik. Ndërsa raporte demokratike nuk ka pasur as më parë. Misioni kishte paralajmëruar në fillim se do të ndiqen të gjithë, pavarësisht funksionit politik që kryejnë. Ato thoshin se do të peshkojnë edhe "peshq të mëdhenj".

„Por shumë shpejt erdhi dëshpërimi. Proceset spektakolare munguan. Ankesat ndaj punës së Eulexit për mungesë aftësish dhe kompetencash u shtuan. Por edhe për pagesat e mëdha të personave që shumë pak i njohin rrethanat lokale. Kryetari i bashkisë në Prishtinë është ankuar se prokurorët e Eulexit nuk interesohen shumë për dokumentat e tyre që dëshmojnë korrupsionin në dhënien e tenderëve. Shumë shpejt erdhën edhe akuzat për korruptimin e vet Eulexit […] Shkrimet negative të mediave për Eulexin ishin po ashtu pjesë e fushatës kundër tij. Këtë fushatë e kanë nisur qarqet politike në Kosovë, por edhe opozita majtiste, e cila këtë mision e sheh si një instrument të represionit kolonialist."

„Në verën e vitit 2014, prokurorja e Eulexit, Maria Barnie doli në opinion me pohimet për korruptimin dhe ryshfetin e marrë nga dy kolegë të saj nga mafia e Kosovës. Kjo rezultoi me kërkesën e raportit të detajuar. Juristi francez Jean Pole Jeake konstatoi se akuzat e saj janë të pabaza, por kërkoi reforma. Reformat përfunduan vetëm me ndërrimin e funksioneve dhe uljen e numrit dhe të kompetencave të autoriteteve të Eulexit."

„Ish-shefi i sektorit ekonomik Andrea Kapusela ka shkruar në vitin 2015 një libër ku thuhet se prokurorët e misionit u kanë ikur hetimeve të ndjeshme, ku ishin të përzier edhe krerët e politikës. Ai konstaton se ky ishte çmimi i ruajtjes së stabilitetit politik në Kosovë. Me fjalë të tjera, ndjekja e denjë penale do të thoshte edhe 'regime change' (ndryshimin e pushtetit). Përfaqësuesit e BE nuk kanë dashur t'i futen këtij rreziku", shkruan NZZ.

Rrugët e reja të refugjatëve

E njëjta gazetë shkruan edhe për rrugët e reja të refugjatëve që po krijohen në Ballkan dhe shqetësimet e Austrisë me këtë fakt. Kancelari Sebastian Kurz  ka deklaruar se tani "po krijohet një rrugë e re e refugjatëve në Ballkan". Refugjatët po kalojnë pëmes "rrugës shqiptare", prej Greqisë nëpër Ballkanin Perëndimor e deri në Slloveni dhe Evropën Perëndimore. Gazeta citon autoritetet e Austrisë se rrugët do të mbyllen në mënyrë hermetike, në qoftë se vazhdohet me këtë intensitet.

„Në Austri kanë ardhur deri në mars të këtij viti rreth 4.000 persona që kanë kërkuar azil. Këto ta kujtojnë kohën e krizës së vitin 2015, kur në Austri kanë kërkuar gjatë gjithë vitit azil rreth 90.000 vetë."

Ndërsa gazeta "Süddeutsche Zeitung" shkruan se qeveria e Austrisë po fokusohet tek çështja e refugjatëve dhe ndihmat sociale që duhet të jepen. Kancelari Kurz thotë se ata do të përpiqen të ruajnë sistemin social, sepse shumë persona vijnë atje vetëm për të kërkuar ndihma sociale.