1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtim i vjedhjeve në dyqane për shkak të inflacionit?

12 Tetor 2023

Sipas të dhënave të kompanive tregtare janë shtuar ndjeshëm vjedhjet në dyqane në SHBA dhe Britaninë e Madhe. Si është gjendja në Gjermani dhe a nxit inflacioni krahas rritjes së çmimeve edhe vjedhjet?

https://p.dw.com/p/4XFtP
Pret Store ne Londer
Fotografi: Avalon/Photoshot/picture alliance

Në disa supermarkete po ngjiten me magnetë sigurie madje edhe pakot e djathit, biftekëve, kurse pakot e kafesë zëvendësohen në rafte nga pako bosh. Sipas të dhënave të Shoqatës Amerikane të Tregtisë me Pakicë dhe kompanive të tjera është rritur ndjeshëm numir i vjedhjeve në dyqane. Një arsye që përmendet është rritja e kostove të jetesës, kriza e çmimeve, me të cilën duhet të përballen shumë qytetarë.

Kryesia financiare e kompanisë Associated British Foods ka shprehur për gazetën bulevardeske The Sun dyshimin se inflacioni dhe çmimet e larta vetëm u japin një justifikim atyre që duan të vjedhin çfarë të duan. Drejtuesja e rrjetit të qendrave tregtare në Londër, John Louis tha për BBC se kemi të bëjmë me një "epidemi të vjedhjeve në dyqane."

Po i rrit inflacioni vjedhjet?

Frank Horst nga instituti studimor gjerman për tregtinë, EHI Retail Institute e ndjek me vëmendje gjendjen në Gjermani. "Në vitin 2022 shifrat e vjedhjeve në dyqane janë rritur shumë krahasuar me një vit më parë. Vërehet rritje 12% e falimentimit të dyqaneve krahasuar me një vit më parë dhe rritje 30% e vjedhjeve të denoncuara. A është kjo rrjedhojë e inflacionit? Jo, thotë Frank Horst. Në vitet e pandemisë për shkak të kufizimeve ka pasur rënie artificiale të shifrave të vjedhjeve. Shumë dyqane nuk kanë qenë hapur. Sipas Horst "ajo që tingëllon dramatike në moment është në realitet kthim në normalitet."

Natyrisht është e përfytyrueshme që inflacioni i vazhdueshëm me kalimin e kohës nxit më shumë njerëz drejt vjedhjes. Një efekt i tillë do të kuptohej më mirë në një studim krahasues vitin e ardhshëm. Vetëm në këtë rast mund të thuhet më me saktësi se a ka shpeshtim të vjedhjeve në Gjermani.

Blerje ushqimesh
Fotografi: Henry nicholls/AFP/Getty Images

Nuk ka prova për shtim të vjedhjeve në kohë krize

Frank Horst është skeptik. ai vëzhgon statistikën e vjedhjeve në dyqane prej 20 vjetësh. "Gjatë krizës financiare, krizës së refugjatëve apo edhe në kohë të larta papunësie - në të gjithë këto kriza është thënë, se këta janë faktorë që e favorizojnë vjedhjen e dyqaneve. Por parë në retrospektivë nuk janë vënë re efekte të forta." Kohë të vështira në ekonomi nuk çojnë patjetër në më shumë vjedhje. Por sipas ekspertit në Gjermani ka sinjale të para, se inflacioni nuk ndikon shpeshtësinë po llojin e vjedhjeve. "Aktualisht gjendja është e tillë që në vjedhjet në dyqane ka një ndryshim, vidhen më shumë produkte që nuk kanë qenë më parë në fokus." Horst kujton vjedhje të djathit, proshutës apo gjalpit. "Në këtë rast mund të thuash, se kjo ka të bëjë me inflacionin dhe rritjen e çmimeve tek këto produkte. Pra më shumë njerëz i vjedhin këto produkte ushqimore në vend që t'i blejnë." Gjatë inflacionit njerëzit nuk vjedhin patjetër më shumë, por ndryshe -në fokus vendosen artikujt ushqimorë."

Supermarketet në Britanine e Madhe dhe SHBA reagojnë

Gjendja në Britaninë e Madhe dhe SHBA nuk është e krahasueshme plotësisht me Gjermaninë. Në këto vende luajnë rol shumë faktorë. SHBA për shembull ka një problem të madh me kriminalitetin e drogës, bandat e organizuara vjedhin farmaci të tëra dhe dyqane të tjera, ku shiten ilaçe. Supermarketet në SHBA dhe Britaninë e Madhe po marrin aktualisht masa mbrojtëse. Më shumë kamera përgjuese, kafe falas për policët dhe ruajtësit e rendit, kamera trupi dhe kontrolle sigurie. Kjo u kushton këtyre kompanive dhe në fund janë klientët ata që do duhet të paguajnë, pasi produktet shtrenjtohen më tej.