1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

270409 EU-Außenminister Kroatien

28 Prill 2009

Marrëdhëniet me Izraelin dhe lufta midis Kroacisë dhe Sllovenisë janë dy temat më delikate, të cilave iu kushtuan ministrat e jashtëm të BE-së në Luksemburg. Edhe gripi i derrave merr vëmendjen e duhur.

https://p.dw.com/p/Hffk
Partneriteti me Lindjen i BE u diskutua nga ministrat e jashtëm në Luksemburg - komisari i zgjerimit të BE, Oli Ren
Partneriteti me Lindjen i BE u diskutua nga ministrat e jashtëm në Luksemburg - komisari i zgjerimit të BE, Oli RenFotografi: AP

Ministrat e jashtëm të BE merren edhe me gripin e derrave

Gripi i derrave në fakt është çështje e ministrave të shëndetësise, por për shkak të emergjencës me të po merren edhe ministrat e jashtëm. Komisarja për Shëndetësinë, Andrulla Vasiliu (Vassiliou), shkoi ekstra për këtë çështje në Bruksel. Ajo nuk sheh të ketë arsye për të rënë në panik.

„Këto momente ne jemi duke koordinuar punën e duke vlerësuar informacionet që kemi, për të vendosur më në fund çfarë masash duhen marrë. Kryesorja është që ne jemi të përgatitur."

Megjithatë ajo këshillon që nëse nuk është e domosdoshme, të mos udhëtohet për në Meksikë dhe SHBA. Ditën e enjte Këshilli i Ministrave të Shëndetësisë do të diskutojë në Bruksel për hapat e tjerë.

Partneriteti me Lindjen - temë tjetër e takimit

Një temë tjetër e ministrave të jashtëm të mbledhur në Luksemburg ishte përgatitja e takimit të nivelit të lartë për krijimin e të ashtuquaj-turit Partneritet me Lindjen. BE kërkon të thellojë bashkëpunimin me ish-Republikën Sovjetike të Armenisë, Azerbajxhianin, Gjeorgjinë, Moldavinë, Ukrainën dhe Bjellorusinë. Bashkëpunimi do të përfshijë ndër të tjera furnizimet me energji, por edhe stabilitetin politik dhe demokratizimin.

Ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov pati shprehur dyshimet e tij për këtë projekt, duke thënë se BE kërkon të ngrejë zonat e veta të influencës në Evropën Lindore. Ministri i jashtëm suedez dhe kryetari i ardhshëm i radhës së BE-së, Karl Bildt i quajti këto dyshime shenja të mënyrës së vjetëruar të të menduarit.

„Fakti që ai mendon menjëherë për zonat e infuencës flet vetë për këtë. Jo, nuk kemi të bëjmë me zona influence, por me përgjigjen tonë ndaj dëshirës së këtyre vendeve për t'u afruar me integrimin evropian.“

Grindja kufitare mes Sllovenisë dhe Kroacisë - problem në duart e BE

Në politikën për Lindjen e Afërme, Bashkimi Evropian pret të shohë çfarë planesh ka qeveria e re izraelite, e kryesuar nga Benjamin Netanjahu.

Një problem tjetër ende i pazgjidhur, ndodhet pjesërisht në duart e vetë BE-së. Sllovenia, vend anëtar bllokon aktualisht bisedimet e pranimit me Kroacinë, për shkak të grindjeve për kufirin. Presidenti i radhës i BE-së, ministri i jashtëm çek, Karel Schvarcenberg mendon se me përpjekjet për fillimin e bisedimeve të Komisarit të zjgerimit, Oli Ren (Rehn), BE- ja ka bërë ç`ka mundur.

„Tani çdo gjë varet nga dy shtetet. Ne kemi folur me ta, ata i njohin kushtet, ata duhet të pranojnë ofertat e bisedimeve dhe presioni është duke u bërë ndaj të dyja vendeve, jo vetëm ndaj njërit.“

Por, meqenëse për këtë çështje në BE duhet të sundojë principi i unanimitetit, Sllovenia ka të gjithë pushtetin në duart e veta. Ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier iu drejtua direkt të dyja qeverive.

„Mesazhi im është se në fakt unë jam i zhgënjyer që Kroacia dhe Sllovenia nuk i përgjigjen përpjekjeve për bisedime të bëra nga Oli Ren.“

Por deri tani nuk ka patur asnjë shenjë që të tregojë se ka ndryshuar diçka në bllokadë.

Autor: Kristof Haselbah/ Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi