Shqipëria merr kryesinë e OSBE për 2020
20 Dhjetor 2019
Njoftimi zyrtar vjen nga Ministria e për Europën dhe Punët e Jashtme në Tiranë, e cila i referohet një postimi në Facebook të Ministrit të Jashtëm në detyrë, Genti Cakaj. Në të ai e vlerëson ngjarjen si "suksesin më të madh në historinë e diplomacisë shumëpalëshe të Shqipërisë, pas anëtarësimit në NATO”
Shqipëria – nga konsumatore në kontribuese të sigurisë
Në postimin e tij, Cakaj thekson se "Shqipëria gëzon kapacitete të plota për të adresuar prioritetet e kryesisë së saj (OSBE) në mënyrë efektive dhe për të kryer detyrimet ndaj vendeve pjesëmarrëse në mënyrë të përgjegjshme”.
OSBE është organizata më e madhe e sigurisë në botë. 36 vendet e saj anëtare nga tre kontinentet ia besuan Shqipërisë kryesimin e organizatës para dy vitesh, në dhjetor 2018, në Ministerialin e OSBE-së në Milano, ku morën pjesë Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare.
Vendim i Ministerialit në Milano tregoi qartë se Shqipëria tanimë është shndërruar nga një konsumatore e sigurisë dhe përfituese e asistencës nga programet e demokratizimit të OSBE, në një kontribuese për çështjet e sigurisë.
Prioritete të Presidencës së OSBE nga Shqipëria
Parandalimi dhe zgjidhja e konflikteve, me fokus të veçantë krizën në Ukrainë dhe përreth saj, trajtimi i mëtejshëm i konfliktit në Nagorni-Karabakh, adresimi i pasojave të konfliktit në Gjeorgji dhe vazhdimi i Procesit të Negocimit Transdniestrian janë prioriteti i presidencës shqiptare në dimensionin politik-ushtarak, bëjnë të ditur burime zyrtare nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.
Lufta kundër korrupsionit dhe promovimi i mirëqeverisjes në shërbim të zhvillimit të përgjithshëm; ruajtja e mjedisit prej krimeve transnacionale dhe stimulimi i balancës midis pastërtisë mjedisore dhe politikave zhvillimore përbën prioritetin në dimensionin ekonomiko-mjedisor.
Liritë themelore të njeriut dhe promovimi i tolerancës dhe mosdiskriminimit në të gjithë hapësirën e OSBE-së, afirmimi i universalitetit të drejtave të njeriut dhe lirive themelore përbëjnë dimensionin njerëzor në prioritetet e Kryesisë Shqiptare të OSBE, 2020.
Rinia do të jetë një prioritet ndërdimensional i Kryesisë Shqiptare të OSBE dhe do të ketë rol qendror në angazhimet e saj. Autoritetet e Shqipërisë e konsiderojnë kryesimin e OSBE 2020 një mundësi dhe njëherazi përgjegjësi në rritjen e kredibilitetit dhe përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në botë.