Shqipëri: Sfida të reja për PD në 30 vjetorin e themelimit
12 Dhjetor 2020Partia Demokratike, (PD) e para dhe më e madhja Parti Opozitare në Shqipëri feston të shtunën (12.12) 30 vjetorin e themelimit të saj. Ajo ka hyrë në histori si partia që rrëzoi diktaturën komuniste, më të egrën ndër vendet e ish-Europës Lindore komuniste.
"30 vjet më parë u ngritëm nga hiri i një vendi të shkatërruar. Ne sollëm demokracinë, anëtarësuam Shqipërinë në NATO, dhe bëmë të mundur lëvizjen e lirë, pa viza, ne jemi zëri i popullit që nga dita kur përmbysëm diktaturën komuniste, që nga ditët në shesh ne jemi në shërbimin të shqiptarëve, jemi zëri i tyre,” theksoi Lulzim Basha, kryetar i i PD, në një video mesazh të publikuar të shtunën në median sociale.
PD u themelua 1 ditë pas shpalljes së pluralizmit politik nga presidenti i fundit komunist, Ramiz Alia, dhe 3 ditë pas Lëvizjes Studentore, më 8 dhjetor 1990, duke ndezur shkëndijën e protestave që sollën përmbysjen e regjimit komunist, 46 vjeꞔar. Kryetari i parë i PD, Sali Berisha, mbetet lideri i saj historik dhe një nga politikanët kryesorë të së djathtës në Shqipërinë post- komuniste. Ai ka qenë President i Republikës, 1992-1997 dhe Kryeministër në dy mandate, 2005-2013.
Ne shkurt të vitit 2019 deputetët e Partisë Demokratike hoqën dorë nga mandatet e tyre parlamentare dhe nisën protestat 4 mujore për rrëzim të kryeministrit Rama, i akuzuar prej se " fitoi mandatin e dytë qeverisës, 2017-2021 me vota të vjedhura”.
PD nuk mori pjesë në Lokalet 2019 gjë që solli që nga 61 bashki që ka Shqipëria 60 prej tyre të drejtohen nga kryetarë bashkish, që i përkasin PS në pushtet.
Sfida të reja përpara për PD
Donald Tusk, Presidenti i Partive Popullore Europiane, ku bën pjesë edhe PD, në mesazhin e urimit për 30 vjetorin e themelimit thekson se ajo " i dha fund regjimit komunist dhe orientoi Shqipërinë drejt Evropës”. "PD ka sfida të reja përpara” vë në dukje Donald Tusk.
Kreu i Unionit Demokrat Ndërkombëtar (IDU), Stephen J. Harper në mesazhin e tij të urimeve thekson se ky Union " ka besuar tek PD si një mbështetëse e vendosur e lirisë dhe demokracisë në kushte shumë të vështira të të bërit politikë. Ne jemi shumë të vetëdijshëm për sfidat e përditshme që përballet PD si parti politike në Shqipëri”. Ish-deputetët e PD janë pjesëmarrës në reformën zgjedhore, duke u bërë kështu pjesë e sistemit politik, edhe pse jashtë Parlamentit. PD do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të radhës, në prill 2021.