Shqipëri: Rriten rastet me korona virus, rikthehen vdekjet
13 Korrik 2022Autoritetet e Shëndetësisë në Shqipëri njoftuan të martën, (12.07) se rastet e reja të infektuara me virusin korona po rriten dhe janë rishfaqur edhe humbjet e jetëve nga ky virus. Vetëm në 24 orët e fundit në 2623 testime të kryera kanë rezultuar 1215 raste të reja të infektuara, që do të thotë afërsisht 1 në çdo 2 të testuar rezulton pozitiv.
Personat e infektuar në 24 orët e fundit janë të shpërndarë në 40 bashki nga 61 që ka gjithsej Shqipëria. Tirana ka numrin më të lartë, me 617 raste të reja, e ndjekur nga Vlora me 53, Lushnja me 48 dhe Shkodra me 40. Në tetë bashki: Malësi e Madhe, Pukë, Fushë Arrëz, Has, Rrogozhinë, Dibër, Libohovë dhe Dropull rezulton të ketë vetëm një person të infektuar. Dy persona, një 45 nga Kavaja dhe një tjetër 84 vjeç nga Gjirokastra kanë humbur jetën në 24 orët e fundit, për shkak të infektimit me virusin korona.
Aktualisht në Shqipëri ka 27 persona të shtruar në spitalet anti-Covid dhe 6.226 raste aktive. Sipas autoriteteve të Institutit të Shëndetit Publik, që nga prekja e Shqipërisë nga pandemia Covid-19 dhe deri më tani janë kryer 1. 869,375 mijë testime, nga të cilat kanë rezultuar 289.391 raste pozitive, 279.649 të shëruara dhe 3.516 persona kanë humbur jetën.
OBSH: Virusi mbetet një rrezik, fundi i pandemisë është larg
Organizata Botërore e Shëndetësisë, (OBSH) në takimin e para disa ditëve të Komitetit të Emergjencës, i quajti "shqetësuese rritjen e rasteve të reja dhe të papranueshëm numrin e lartë të vdekjeve”.
Burime zyrtare citojnë, Drejtorin e Përgjithshëm të OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus, të ketë deklaruar se "virusi korona mbetet një emergjencë e shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar”. Ai u ka bërë thirrje qeverive që "me rritjen e transmetimit të virusit korona dhe shtrimeve në spital të zbatojnë masa të provuara si përdorimi i maskave dhe testimi si edhe të rishikojnë dhe përshtatin rregullisht planet e tyre të reagimit ndaj virusit korona bazuar në epidemiologjinë aktuale dhe shfaqjen e mundshme të varianteve të reja”. Që nga viti 1991 në Shqipëri funksionon Zyra e OBSH, që synon të ndihmojë autoritetet shëndetësore në dizenjimin e agjendës kombëtare të shëndetësisë duke ofruar mbështetje teknike, monitorim dhe vlerësim të tendencave të shërbimeve shëndetësore.
Nivel i ulët i vaksinimeve në Shqipëri
Thirrja e Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtuar qeverive të vendeve anëtare të OBSH, vjen në një kohë kur në Shqipëri masat anti-Covid janë reduktuar së tepërmi dhe kur spitalet, në fund të pranverës së këtij viti u boshatisën nga qindra pacientë. Situata bëhet më e rrezikshme kur reduktimit të masave mbrojtëse i shtohet edhe niveli i ulët i vaksinimeve për t'u mbrojtur nga infektimi me virusin korona.
Të dhënat zyrare tregojnë se më pak se 50 përqind e popullsisë ka marrë dy doza të vaksinave anti-Covid, vetëm 13 përqind e popullsisë ka marrë dozën e tretë dhe kur numri i atyre që kanë marrë dozën e katërt është shumë i ulët, pothuajse i papërfillshëm.
Komiteti Teknik i Ekspertëve po u bën thirrje qytetarëve të marrin dozën e tretë të vaksinës anti-Covid. Sipas statistikave zyrtare pacientët e shtruar në spital gjatë këtij muaji janë persona që kanë bërë vetëm dozën e parë të vaksinës ose janë fare të pavaksinuar. Doza e tretë e vaksinës konsiderohet e domosdoshme për moshat 60 vjeç e lart në parandalimin e infektimit.