Shqipëri: Përmbytje e dëme nga reshjet e shiut e dëborës
21 Janar 2023Sipas burimeve zyrtare në veriun e Shqipërisë, kryesisht në zonën e Lezhës dhe të Shkodrës ndodhen të përmbytura 1.140 hektarë tokë, si edhe ka dëmtime të infrastrukturës rrugore dhe ndërprerje të enegjisë elektrike. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka paralajmëruar një përkeqësim të mëtejshëm të situatës të shtunën, (21.01) kur sipas parashikimeve të Shërbimit Sinoptik pritet që sasia e reshjeve të arrijë intensitetin më të lartë. Më të rrezikuara janë zonat në Ultësirën e Shkodrës dhe të Lezhës ku përmbytjet janë bërë kronike. Në shumë shkolla, që ndodhen në këto zona është ndërprerë mësimi.
Sipas të dhënave të publikuara nga kompania OSHE, (Operatori i Shpërndarjes së Energjisë) ndërprerja e energjisë elektrike në këto zona ka prekur 6600 abonentë, mbi 5000 vetëve është arritur t'u rikthehet energjia.
Ushtria dhe emergjenca civile në gatishmëri
Përkeqësimi i paralajmëruar gjatë ditës së shtunë ka vënë në gatishmëri të lartë ushtrinë dhe strukturat e emergjencës në Shqipëri. Sipas autoriteve në gatishmëri janë 1200 forca të ushtrisë, 450 automjete dhe 3 helikopterë.
Autoritetet kanë bërë thirrje për marrjen e masave në zonat ku gjasat për fatkeqësi natyrore janë më të mëdha. Në disa zona malore në veri reshjet dhe orteqet e dëborës kanë bllokuar rrugët rurale. Shumë familje kanë mbetur të izoluara dhe po marrin ndihma ushqimore nga stukturat e emergjences civile. "Reshjet maksimale të shirave pritet të ndodhin të shtunën, më 21 janar. Bashkitë duhet të marrin masa për lajmërimin e popullatës, veçanërisht në ato zona ku parashikohet rrezik për fatkeqësi natyrore, për evakuimin dhe strehimin e përkohshëm të banorëve në rast nevoje. Duhet të përgatiten për të pasur kapacitete të lira, të gatshme për çdo rast evakuimi," ka paralajmëruat Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Shërbimi Sinoptik ka paralajmëruar gjithashtu që të shtunën, (21.01) masat e ftohta ajrore nga Europa Veri-Lindore do të mbrrijnë në Shqipëri dhe reshjet e dëborës do të zbresin edhe në zonat e ulta kodrinore dhe fushore. Temperaturat pritet të arrijnë në -4 gradë Celcius.