1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Përgjegjësit për godinat para drejtësisë

15 Dhjetor 2019

Në Durrës arrestohen 9 persona, 8 në kërkim. Akuza nga shpërdorim i detyrës deri në vrasje.

https://p.dw.com/p/3UqD5
Albanien Erdbeben
Fotografi: DW/R. Shehu

Hetimet e nisura nga Prokuroria e Durrësit për dëmet materiale dhe viktimat e tërmetit të 26 nëntorit kanë dhënë rezultatet e para. Drejtoria e Policisë së Shtetit, rrethi i Durrësit, në një deklaratë zyrtare njoftoi të shtunën, (14.12.2019) se grupi hetimor i ngritur "për kryerjen e veprimeve, dokumentimin e paligjshmërisë dhe mbledhjen e provave në objektet e shkatërruara nga tërmeti për të vënë para përgjegjësisë ligjore personat përgjegjës, përfundoi fazën e parë të punës me arrestimin e 9 personave dhe  8 të tjerëve që janë në kërkim”.

Nga hetimet e deritashme dyshohet se "dëmtimet e rënda të godinave të banimit dhe humbja e jetës së viktimave nga tërmeti i 26 nëntorit janë shkaktuar edhe si pasojë e kryerjes së ndërtimeve pa respektuar rregullat, normat dhe standartet në fushën e ndërtimit,” thekson deklarata e Policisë së Shtetit, Durrës.

Çfarë përfaqësojnë 9 të arrestuarit dhe 8 të kërkuarit?

Në bazë të listës së publikuar nga Policia e Shtetit, rezulton që 9 të arrestuarit dhe 8 personat në kërkim janë ndërtues, ish-nëpunës në administratën e bashkisë dhe institucioneve lokale në Durrës, supervizorë të ndërtimit që dyshohet se nuk  kanë zbatuar  ligjet me veprimet apo mosveprimet e tyre. Emrat e tyre janë të lidhura me procesin e ndërtimit të pallateve, godinave të banimit dhe hoteleve në zonën e Durrësit, ku humbën jetën 26 vetë. Ata janë ish-funksionarë në  zyrat e administratës lokale, ndërtues, kolaudues e supervizorë të punimeve si edhe pronarë të dy hoteleve që shkatërroi tërmeti.

Albanische Oberstaatsanwalt Olsian Cela bei Amtsübernahme seiner Vorgängerin Arta Marku
Fotografi: Prokuroria e Pergjithshme e Shqiperise

Prokurorja e Prokurorisë së rrethit të Durrësit, Anita Jella u deklaroi mediave se objekti i hetimit lidhet me "zbatimin e rrregullave prej  ndërtuesve formalë dhe informalë, zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve që miratuan lejet e ndërtimit apo legalizimin e banesave informale. Grupi hetimor ka gjetur paligjshmëri në objektet ku u shkaktuan viktimat”.

Akuzat - nga shpërdorim detyre deri në vrasje

Akuzat e prokurorisë për të arrestuarit dhe ata në kërkim variojnë nga "shpërdorim i detyrës" në  "falsifikim dokumentash ", "vrasje me dashje" dhe  "vrasje në rrethana cilësuese", kjo e fundit për dy ndërtues informalë në hotelet e shkatërruara në plazhin e Durrësit.Hetimet kanë filluar  edhe nga prokuroria e Tiranës dhe ajo e Krujës, që përfshin fshatin Thumanë.

Arrestimet në Durrës dhe ato të pritshme nga hetimet në Tiranë dhe Krujë janë rezultatet e para të angazhimit që mori Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Olsian Çela, në 5 dhjetor, ditën e parë të marrjes së detyrës për të ҫuar  para drejtësisë të gjithë ata pjesëmarrës në procesin e ndërtimit, që duke mosrespektuar rregullat dhe standaret që parashikon ligji, shkaktuan viktima dhe dëme të mëdha materiale.

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana