Merr fund kriza në kufi, rregulla të reja për hyrje në Greqi
17 Gusht 2020Mijëra shqiptarë për katër ditë rresht formuan një rradhë disa kilometra të gjatë me automjetet e tyre në nxitim për t'u kthyer në Greqi pas pushimeve në Shqipëri dhe rifilluar punë para se rregullat e reja COVID-19 të shtetit fqinj të hyjnë në fuqi sot, (17.08).
Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se rreth 4.000 automjete, në një rradhë prej më shumë se 12 km të gjatë, dhe mijëra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi u bllokuan në pikën e kalimit kufitar Shqipëri-Greqi, në Kakavijë, në Gjirokastër, që nga e enjtja e kaluar (13.08).
Situata u rëndua në katër ditët e kaluara pasi pala greke për shkak të protokolleve anti COVID-19 punonte vetëm nga ora 6.00 e mëngjesit deri në orën 22.00 të mbrëmjes me një staf të reduktuar mjekësor që kryente testin COVID-19 për cilindo që do të kalonte kufirin. Sipas procedurës përgjigja do të jepet pas dy ditësh në adresën që kanë dhënë qytetarët në formularët përkatës, por ata nuk detyrohen të futen në karantinë para kësaj përgjigjeje.
Kur ka vullnet, ka zgjidhje
Një marrëveshje e arritur mes dy qeverive në orët e fundit të mbrëmjes së djeshme, (16.08) i dha fund krizës humanitare katër ditore. "Pas komunikimit me autoritetet greke dhe gatishmerisë së tyre për të dërguar ekipe mjekësore shtesë, pika e kalimit kufitar në Kakavijë do të qëndrojë e hapur përtej orarit të punës për të bërë të mundur përfundimin e procedurave për 1000 udhëtarët e fundit,” bëri me dije afër mesnatës së djeshme, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Burimet zyrtare bënë me dije se në orën 00.40 të ditës së sotme, (17.08) kaluan të gjithë qytetarët në automjetet e tyre.
Frenim i rasteve të reja - rregullat që hyjnë në fuqi
Qëllimi i rregullave të reja është frenimi i përhapjes së infektimit me virusin COVID -19 nga personat që hyjnë në Greqi nga vendet fqinje. Burime nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme bëjnë me dije se të njëjtat masa Greqia ka marrë edhe me Bullgarinë dhe Turqinë. Masat e reja kanë të bëjnë me reduktimin e numrit të qytetarëve që hyjnë nga Shqipëria në Greqi dhe me dëshminë e përgjigjes negative të testit COVID-19, të kryer nga laboratorë të certifikuar nga autoritetet shëndetësore të Shqipërisë.
Vetëm 750 qytetarë në ditë, që plotësojnë kriteret e caktuara nga autoritetet greke, mund të kalojnë pikën kufitare të Kakavijës dhe 300 nga ajo e Kapshticës, në Korꞔë nga dita e hënë deri në fund të Gushtit. Ata duhet t'u paraqesin autoriteteve greke në pikat e kalimit kufitar përgjigjen negative të testit 72 orë para kalimit të kufirit, të përkthyer në gjuhën angleze dhe të plotësojnë formularët përkatës ku shënohen të dhënat e kartës së identitetitt dhe të pasaportës. Përveꞔ kësaj, ata duhet të përgatiten për të hyrë në Greqi në një karantinë 7 ditore.
Autoritetet e Tiranës: legjitime masat anti COVID-19 të Athinës
Për katër ditë mijëra qytetarë shqiptarë, që gjatë më shumë se dy dekada pune dhe jete në Greqi, kanë marrë nështetësinë greke, qëndruan në të nxehtën përvëlues të mesit të këtij muaji. Situata erdhi dhe u bë dramatike për shkak të mundësisë së infektimit me virusin corona, rëndimit të kushteve higjenike dhe ankthit, nëse do arrinin të kalonin kufirit para skadimit të afatit.
Në ndihmë të tyre me ushqime dhe ujë erdhi Ministria e Mbrojtjes dhe Emergjenca Civile. Pasoja më e rëndë është humbja e një djali 10 vjeꞔar, në një familje emigrante që po priste të kalonte kufirin, ai i preu rrugën një autoambulancë që po ecte me shpejtësi dhe u shtyp prej saj.
Opozita bëri përgjegjëse qeverinë Rama për situatën në pikën kufitare të Kakavijës pasi sipas saj ”nuk po i del zot shtetasve të saj”. Por kryeministri Rama, reagoi në median sociale duke theksuar që "në një situatë të pazakontë për shkak të pandemisë së virusit corona, Greqia me të drejtën e saj ka vendosur një regjim të ri në kufi për kalimin e shtetasve.” "Greqia ka vendosur një regjim të ri kufitar në të drejtën e vet dhe jo vetëm për të huajt, po edhe për vetë grekët. Shteti grek ka zgjedhur këtë strategji për të luftuar Covidin, është një vendimmarrje sovrane e legjitime e shtetit grek, mbi regjimin anti Covid në kufijtë e vet” theksoi kryeministri Rama.
Në një mesazh të publikuar të hënën, (17.08) kryeministri Rama falenderoi të gjithë faktorët "në vendin fqinj që u përfshinë pa rezervë në përpjekjen për ta lehtësuar situatën, në kushtet kur regjimi i ri kufitar e bënte punën për zgjidhjen e saj tejet të vështirë.”
Italia fqinje ka zgjedhur të ndjekë një strategji tjetër: testin falas për qytetarët shqiptarë që plotësojnë kriteret për të hyrë në Itali. Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme bëri me dije se "autoritetet italiane kanë vendosur që qytetarëve nga Shqipëria t'u kryhet tamponi në momentin e mbërritjes në aeroport, falas dhe pa kosto”. Përgjigja e tamponit mund të zgjasë deri në 48 orë, periudhë në të cilën udhëtarët duhet të mbajnë regjim karantine në banesën ose destinacionin e tyre.
Shqetësues numri i rasteve të reja me COVID-19 në Shqipëri
Regjimi i ri kufitar i Greqisë vjen në një kohë kur në Shqipëri rastet e reja të infektuar me virusin corona vazhdojnë të mbeten të larta dhe të jenë mbi 100 në ditë duke arritur edhe në 157. Çdo ditë ka viktima, numri total i të cilave ka arritur në 228, shtatë herë më i lartë se totali në 3 muajt e izolimit, Mars –Maj 2020. Autoritetet shëndetësore paralajmërojnë, se situata po përkeqësohet dhe shtojnë thirrjet ndaj qytetarëve për respektimin e udhëzimeve të sigurisë .