Shqipëri: Prokurori i ri i përgjithshëm fillon detyrën
6 Dhjetor 2019Prokurori i ri i përgjithshëm i Shqipërisë, Olsian Çela, ka paralajmëruar rikonceptimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Gjatë marrjes në dorëzim të detyrës nga paraardhësja, Arta Marku, ai tha se tani po “hyjmë në një fazë të re, ku po ndërtohen institucionet e reja të drejtësisë. Prokuroria ka pësuar ndryshime rrënjësore dhe kjo kërkon një angazhim të ri dhe konceptim të ri si duhet të funksionojë ky organ".
Olsian Çela u zgjodh të enjten (5.12.2019) nga Parlamenti, Prokuror i Përgjithshëm i Shqipërisë. Ai ishte në krye të 3 propozimeve që Këshilli i Lartë i Prokurorisë i dha Parlamentit për të votuar. Olsian Çela mori 101 vota kur ligji parashikon 84 për të fituar mbi kandidaturat e tjera, duke e bërë të panevojshme përfitimin nga klauzola e ligjit që parashikon që kandidati në krye të listës zgjidhet automatikisht Prokuror i Përgjithshëm.
Dy kandidatet e tjera në garë, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, dhe Prokurorja e Apelit, Fatjona Memçaj, morën shumë pak vota në krahasim me Olsian Çelën: Marku 11 vota dhe Memçaj 8. Olsian Çela është trajnuar në BE dhe SHBA për të luftuar krimin e organizuar. Mandat i tij do të jetë 8 vjeçar.
BE përshëndet
Zgjedhja e Olsion Çelës Prokuror i Përgjithshëm është përshëndetur nga Delegacioni i Bashkimit Europian (BE) në Shqipëri. Ambasadori i këtij Delegacionit, Luiggi Soreca, tha përmes një postimi në twitter "E mirëpresim zgjedhjen nga Parlamenti të zotit Olsian Çela si Prokuror i Përgjithshëm”.
Zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm shënon një hap të rëndësishëm përpara në vijimin e Reformës së Drejtësisë në Shqipëri. Përparimi i saj dhe arritja e rezultateve të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar përbëjnë një nga kushtet kryesore të Bundestagut Gjerman në Rezolutën për Shqipërinë, në tetorin e kaluar, dhe njëherazi për BE që Shqipëria të bëjë progres drejt hyrjes në BE. Lufta kundër korrupsionit vazhdon të mbetet një nga sfidat kryesore të Drejtësisë me gjithë rezultatet e deritanishme të arritura në Gjyqësor.
Shpresë për çeljen e negociatave
Procesi i vettingut , si procesi kyç i reformës në Drejtësi, i kryer nën monitorimin e BE dhe SHBA, po vijon me skanimin e 800 gjykatësve dhe prokurorëve lidhur me aftësitë profesionale, përligjjen e pasurisë dhe nëse kanë ose jo rekorde korrupsione gjatë karrierës së tyre apo lidhje me krimin e organizuar. Si rezultat i këtij procesi janë nxjerrë jashtë sistemit shumica e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Vettingu nxori kohët e fundit të pavlefshme dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese (GJK) të dekretuar nga Presidenti Meta.
Me zgjedhjen e Këshillit të ri të Emërimeve në Drejtësi (KED) pritet që procesi të rifillojë me propozime të reja të këtij Këshilli për 3 anëtarët e GJK që sipas ligjit i zgjedh Presidenti dhe 3 anëtarët që i zgjedh Parlamenti. Burime zyrtare nga Gjykata e Lartë thanë për DW se kjo gjykatë pritet të plotësohet me anëtarë në fund të këtij viti, gjë që do të bëjë të mundur propozimin prej kësaj gjykate të tre kandidaturave për t'u votuar në Parlament. Nëse këto procese ecin atëherë ka gjasa të plotësohen 9 anëtarët e GJK, një kusht i rëndësishëm në rezolutën e Bundestagut gjerman dhe BE për mundësinë e hapjes së negociatave të anëtarësimit në Samitin e Zagrebit, në pranverën 2020.
Opozita akuzon
Por PD dhe opozita jashtë parlamentare në Shqipëri e akuzon qeverinë se po përpiqet t'i kapë Drejtësinë dhe institucionet e saj si Gjykatën Kushtetuese dhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
Shqetësimi i saj për kapjen nga qeveria të drejtësisë është i pranishëm edhe në zhvillimet pas tërmetit shkatërrimtar të javës së kaluar, më 26 nëntor, kur godinat e shembura prej tërmetit rezultojnë të jenë ato ku janë shtuar kate që nuk janë në projektin e miratuar dhe që janë lejuar të ngrihen si pasojë e korruptimit të autoriteteve bashkiake, të kompanive të ndërtimit apo supervizorëve. Por prokurori i ri, Olsian Çela, tha se prokuroria do të gjejë "të gjithë mekanizmat për të arritur atë që populli pret" prej saj.
Qeveria dhe drejtësia janë tani para një prove: nëse hetimet që kanë filluar për të gjetur të korruptuarit, që me veprimet apo mosveprimet e tyre shkaktuan shembjen e godinave të banimit në Durrës dhe 51 viktima, do të shkojnë deri në fund dhe çuar ata para drejtësisë apo atyre nuk do t'|i hyjë ferrë në këmbë si deri më sot.