Shqipëri: Dëbohet një iranian i shpallur “persona non grata”
23 Korrik 2020Burime nga Ministria e Brendshme bëjnë me dije se të mërkurën, (22.07), Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, urdhëroi dëbimin nga Shqipëria të Dabiel Kassrae, një iranian me nështetësi italiane, 29 vjeꞔ.
Në urdhërin e dëbimit Dabiel Kassrae u shpall "person i padëshëruar” dhe iu ndalua qëndrimi në Shqipëri për një periudhë prej 15 vitesh.
Iraniani ka jetuar në Shqipëri që nga viti 2016. Ai dyshohet se ka qënë i infiltruar nga regjimi i Iranit dhe ka punuar për llogari të këtij regjimi. Shërbimet inteligjente të Shqipërisë i bazojnë dyshimet e tyre në vajtjet e shpeshta të Dabiel Kasstrae në Manzë, në rrethinat mes Tiranës dhe Durrësit, ku ndodhet kampi ku strehohen mbi tremijë anëtarë të lëvizjes opozitare iraniane, të njohur me inicialet MEK (Mojahedin-e-Khalq) dhe tentativat e tij për të rekrutuar anëtarë të kësaj levizjeje.
Tentativa të vazhdueshme të regjimit të Iranit kundër MEK
Dabiel Kasstrae nuk është iraniani i parë që dëbohet nga Shqipëria. Në mes të janari të këtij viti, Gent Cakaj, Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, bëri me dije shpalljen "persona non grata” dhe dëbimin nga Shqipëria të dy diplomatëve në Ambasadën e Republikës Islamike të Iranit, në Tiranë, për shkak të "zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”. Njoftimi theksonte se dy diplomatët "kishin tentuar të kryenin aktivitete kundër komunitetit muxhahedin” në Manzë.
Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, Maryam Rajavi, e vlerësoi dëbimin nga qeveria e Shqipërisë të dy diplomatëve si „një masë të guximshme dhe të admirueshme në luftimin e terrorizmit dhe garantimin e sigurisë së popullit të Shqipërisë dhe të refugjatëve iranianë."
Në tetor të vitit të kaluar policia e shtetit identifikoi anëtarët e një celule terroriste iraniane që planifikonte sulme terroriste në Shqipëri kundër MEK.
Në dhjetor 2018 Shqipëria shpalli person të padëshiruar ambadorin e Iranit në Tiranë dhe një diplomat tjetër iranian, pasi për ata kishte dyshime se ishin pjesëmarrës "në aktivitete që cënonin sigurinë në Shqipëri”. Sipas njoftimit të atëhershëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme qeveria shqiptare e kishte marrë vendimin në bashkëpunim me vendet aleate.
Komuniteti i muxhahedinëve dhe siguria kombëtare
Prania e komunitetit të muxhahedinëve, armiq të përbetuar të qeverisë së Iranit, të strehuar në Shqipëri në bazë të një marrëveshjeje mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të SHBA-së, e vë sigurinë kombëtare përballë rreziqesh potenciale, duke pasur parasysh kërcënimet e Iranit ndaj Shqipërisë, pas vrasjes nga SHBA të gjeneralit Qassem Soleimani nga SHBA, komandant i QUDS, njësisë për operacione jashtë Iranit, e njohur si krahu operacional i Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit që kryen veprime luftarake jo konvencionale.
Në një takim të zhvilluar në fillim të këtij viti në Tiranë nga „Qendra për Sigurinë në Europën Jug-Lindore" gjenerali amerikan Michael Barbero, pjesëmarrës në këtë takim, kishte theksuar se „ҫdo aleat i SHBA-së mund të shikohet si një shënjestër nga Irani. Për këtë vigjilenca është mjaft e rëndësishme, veçanërisht në fushën kibernetike, pasi Irani ka disa aftësi mjaft të sofistikuara për sulmet kibernetike. Shqipëria duhet të tregohet mjaft vigjilente në përpjekjet kundër terrorizmit dhe kundër sulmeve kibernetike. Aleanca do të reagojë ndaj çfarëdolloj sulmi që do t'i bëhet ndonjë prej shteteve anëtare të saj".