1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria - Gruaja në pozitë inferiore në familje dhe në komunitet

Arben Muka15 Tetor 2013

15 tetori, dita botëore e grave në zonat rurale jeps shkas që autoritetet dhe shoqëria civile të reflektojnë dhe të angazhohen më shumë në ndryshimin e gjendjes shumë problematike të gruas në shoqërinë shqiptare.

https://p.dw.com/p/19zqq
Fotografi: DW/A. Muka

Bukuria është një 42 vjeçare, e cila udhëton çdo ditë 11 km. për të shitur produkte bujqësore në njërin prej tregjeve të imporvizuar në qendër të Tiranës. Ajo kujdeset për katër fëmijët dhe bashkëshortin në gjendje jo të mirë shëndetësore. “Më duhet të ushqej veten dhe ata në shtëpi. Shteti nuk na jep asnjë ndihmë, asnjë mbështetje.” Bashkë me të në treg janë dhe gra të tjera që vijnë nga zonat rurale rreth Tiranës për të shitur produkte dhe që në drekë kthehen në shtëpitë e tyre. “Nuk është kollaj për të shitur këtu, sepse policia bashkiake na përzë, duke na drejtuar për tek tregu i licencuar. Po ku kemi ne të paguajmë taksa, ne jemi për bukën e gojës” – thotë Misria, një grua nga zona e Suakut, në periferi të kryeqytetit.

Në Tiranë ka shumë tregje të improvizuara buzë trotuareve, ku gra dhe vajza nga fshatrat përreth shesin produktet e tyre. Bukuria tregon se janë me fat që të paktën kanë me se të merren sepse pjesa më e madhe e shoqeve të saj janë të detyruara të qëndrojnë në shtëpi. Mentaliteti dhe vështirësitë ekonomike i kanë detyruar të bëjnë punë nga më të rëndat, duke i lënë ato në pozita inferiore në familje.

Albanien - Frauen in der Stadt
Fotografi: DW/A. Muka

Të papërfshira në vendimmarrje jo vetëm në politikë, por edhe në familje

Sonila Mesareja, gazetare e aktualitetit në të përditshmen Standard thotë se gratë në zonat rurale merren vetëm me punë shtëpie dhe punë të vështira bujqësore e blegtorale, pa qenë të përfshira në vendimmarrje, as në familje dhe as në politikë. Duke iu referuar studimeve të organizatave joqeveritare apo nga kontaktet që kam si reportere, ka kuota shqetësuese të dhunimit psikologjik dhe fizik të tyre - thotë Mesareja për DW. “Gruaja është ajo që duhet të bëjë atë që thotë burri, ose meshkuj të tjerë në familje, të mos japë asnjë mendim jo më të vendosë, shpesh është e dhunuar por dhe e frikësuar për ta denoncuar dhunën, me arsyetimin ‘se burri të rreh prandaj është burrë'. Më e keqja ështe se ‘tradita' e dhunës së shfaqur në të dy mënyrat vijon në breza, pra edhe tek çiftet e reja. Unë kam hasur disa raste për të të ardhur keq kur në zonat fshatare ndodh moslejimi i vajzave për t'u arsimuar, duke i martuar ato në moshë të mitur.”

Fabiola Laço – Egro, drejtore ekzekutive e Qendrës për Zhvillim Komunitar “Sot për të ardhmen” në zonën informale të ish-Kënetës në periferi të qytetit të Durrësit thotë se kjo organizatë joqeveritare një nga angazhimet kryesore e ka për integrimin e grave të zonës. Ato së bashku me familjet e tyre kanë ardhur vitet e fundit nga pjesë rurale dhe province dhe ndeshen me probleme të shumta social-ekonomike. E përditshmja e tyre është mjaft e vështirë, thotë Fabiola Laço –Egro për DW.

Suport për raste konkrete duke siguruar mbrojtje, informim, këshillim

“Të izoluara prej mentalitetit maskilist nga ato pritet vetëm kujdesi për fëmijët dhe punët e shtëpisë duke qëndruar të mbylluara brenda mureve. Qendra jonë e themeluar që nga viti 1998, ku një prej mbështetësve kryesorë janë Agjencia Ndërkishtare Gjermane, EED dhe Ministria për Bashkëpunim e Republikës Federale të Gjermanisë, ka aplikuar projekte të ndryshme për gratë në komunitet, për asistencë psiko- sociale, mundësi për trajnim dhe kualifikime profesionale, kontroll mjekësor pa pagesë, integrim dhe rritje kapacitetesh, informim dhe aktivitete ndërgjegjesues mbi çështjet gjinore, aktivitete masive dhe argetuese etj. Qendra jonë si pjesë e Mekanizmit të Koordinuar Kundër Dhunës ofron suport për raste konkrete duke siguruar mbrojtje, informim e këshillim. Viktimat e dhunës mund të gjejnë pranë Qendrës asistencë ligjore - për marrjen e urdhërit të mbrojtjes ose divorcin, mbështetje psikologjike (këshillim të drejtëpërdrejtë ose nëpërmjet telefonit) etj.”

Sonila Mesareja e ilustron gjendjen e vështirë të femrës në zonat rurale edhe me një fatkt që ka dalë nga studimi mbi pjesmarrjen e tyre në organet e zgjedhura në komuna ose këshillat komunale, ku në rang vendi mesatarja është 1-2 gra në këto organe, ku nuk mungojnë dhe zona të tëra pa asnjë përfaqësuese të zgjedhur në funksionet publike lokale. “Gratë e këtyre zonave nuk kanë asnjë mundësi të organizohen për shkak të mentalitetit konservator dhe vlerësimit që meshkujt kanë për rolin e femrës në shoqëri”, thotë Mesareja.

Fabiola Laço – Egro nga Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të ardhmen” mendon se përmirësimi i kushteve ekonomike të grave sjell dhe rritje të pavarësisë së tyre ekonomike si dhe përmirësim të situatës së përgjithshme ekonomike të zonës. “Në 3 vitet e fundit mbi 143 gra kanë provuar përmiresim e kapaciteteve të tyre profesionale nëpërmjet trajnimeve të ofruara në qendër. Konkretisht te kursi i rrobaqepësisë, ai i gatimit, kopshtarisë, shërbim për kamariere, sekretari-kompjuter, gjuhë e huaj etj”.