Shqipëri: LSI me emërtim, logo dhe kurs të ri
27 Korrik 2022Dy ditë pas përfundimit të mandatit të tij si President, Ilir Meta, deklaroi në një konferencë shtypi të martën, (26.07) se synimi kryesor i "Partia e Lirisë” është "lufta kundër korrupsionit” dhe angazhimi kryesor,” rrëzimi i qeverisë socialiste të kryeministrit Rama”
"Korrupsioni, korrupsioni, korrupsioni është shqetësimi kryesor i shoqërisë shqiptare dhe i yni si parti politike. Korrupsioni ka përkeqësuar statusin e çdo qytetari shqiptar,” theksoi ish-presidenti.
Ai tha se kjo parti nuk do të jetë "as e djathtë, as e majtë”
"Partia e Lirisë do të përfshijë të gjitha rrymat politike, përderisa asnjë parti tjetër nuk ka tipare të spikatura dhe nuk u qendron besnike parimeve të së majtës dhe së djathtës shqiptare. Kushtetuta nuk është as e majtë, as e djathtë”, vuri ai në dukje.
Deklaratat e Metës në konferencën për shtyp lanë të kuptohet qartë, se rimemërtimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), shkrirja e strukturave të saj drejtuese dhe logoja e re e "Partia e Lirisë” synojnë të fshijnë perceptimin e publikut si një parti e majtë, që ka bashkëqeverisur me Partinë Socialiste, e cila tani është vënë në qendër të sulmeve të Metës për korrupsion dhe kleptokraci.
"Partia e Lirisë” parti e sovranitetit dhe referendumeve
Në 18 vitet e veprimtarisë së saj politike, 2004-2022 LSI rezultoi forca e tretë politike u bë pjesë e qeverisjeve të dy forcave kryesore: Partisë Demokratike, (PD) në qeverinë e ish-kryeministrit Sali Berisha, 2009-2013, dhe në qeverinë e kryeministrit Edi Rama, 2013-2017.
Meta deklaroi se „Partia e Lirisë" do të „krijojë mekanizma referendumi për të kufizuar kompetencat e atyre që ai i cilësoi "uzurpatorë të pushtetit dhe oligarkëve lakmitarë", për të garantuar që sovraniteti „nuk i takon popullit vetëm në letër”.
Meta tha, se në synimin për të rrëzuar qeverinë Rama, e konsideron aleat politik ish- kryeministrin Berisha të shpallur „non grata" nga qeveria e SHBA-së për „korrupsion domethënës dhe minim të demokracisë në Shqipëri".
Edhe qeveria e Britanisë së Madhe shpalli javën e kaluar, (22.07) „non grata" ish- kryeministrin Berisha „për lidhje me grupe të krimit të organizuar dhe pasurim përmes korrupsionit për vehte dhe rrethin e njerëzve pranë tij".
„Partia e Lirisë" nuk do të bojkotojë kurrë zgjedhjet
"Kjo parti nuk do të bojkotojë asgjë në këtë vend. Zgjedhjet apo protestat do të bëhen kundër qeverisë. Në demokraci kushdo që ikën nga qendrat e votimit është dezertor dhe manipulator”, deklaroi Meta.
Mandati presidencial i Ilir Metës 2017-2022 përfundoi të dielën e kaluar, më 24 korrik. Maxhoranca socialiste ndërmorri nisma ligjore të pasuksesme për t'ia ndërprerë mandatin. Me "Partinë e Lirisë” ish-presidenti Ilir Meta i rikthehet politikës aktive partiake.