Shqipëri: Jo gjithmonë politika hesht, kur drejtësia flet
1 Janar 2023Gjashtë vjet pas ndryshimeve kushtetuese dhe miratimit të reformës, Këshilli i Lartë Gjyqësor, organi i ri qeverisës i gjyqësorit, e mbylli vitin 2022 pozitivisht duke pasur parasysh ku ishte gjyqësori kur nisi reforma në drejtësi dhe ku është sot. Reforma ishte shumë e thellë, preku në rrënjë sistemin gjyqësor dhe i shkaktoi atij humbje gjyqtarësh. Pothuajse 70 përqind e gjyqtarëve të Shqipërisë i janë nënshtruar, deri tani, procesit të rivlerësimit kalimtar, të njohur si vetting. Vetëm më pak se gjysma e tyre janë konfirmuar në detyrë. Nga një trupë prej gjithësej 408 gjyqtarësh, sot janë ne detyrë 225 syresh, pra vettingu ka shkarkuar më shumë se 50 përqind të tyre, thotë në një intervistë ekskluzive për DW Naureda Llagami, kryetare e këtij këshilli.
Në vitin 2018, kur Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) filloi aktivitetin e tij, si një nga institucionet e reja në kuadër të reformës në drejtësi, ai kishte vetëm një gjyqtar, në trupën e Gjykatës së Lartë prej 17 gjyqtarësh kishte mbetur gjithashtu vetëm një gjyqtar dhe dy të tretat e Kryetarëve të Gjykatave, në nivel kombëtar, ishin shkarkuar nga vettingu, i cili po vazhdon dhe do të përfundojë në dhjetor 2024.
Naureda Llagami thotë në intervistë se "KLGJ rivuri në funksionim Gjykatën e Lartë si një gjykatë apolitike, sikurse parashikon reforma në drejtësi. Trupa e saj ka tani 15 gjyqtarë dhe vitin 2024 do të jetë e plotësuar krejtësisht me 19 anëtarë. Këtë vit, për herë të parë në Gjykatën e Lartë arriti të reduktohet stoku prej mijra të dosjesh të pashqyrtura prej vitesh. Plotësimi i trupës së Gjykatës së Lartë, mbështetja nga KLGJ me burime njerëzore mundësoi edhe kuorumin e duhur për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese."
Digjitalizimi dhe rritja e eficiencës së shërbimeve gjyqësore
Në bilancin pozitiv të KLGJ bën pjesë edhe krijimi katër vjet më parë i Gjykatave të Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me rëndësi të veçantë në kuadër të reformës në drejtësi, të cilat janë tanimë funksionale dhe pothuajse të plotësuara me numrin e gjyqtarëve që parashikon ligji. Brenda katër viteve të fundit sistemit gjyqësor i janë shtuar 80 gjyqtarë të rinj, që kanë kaluar me sukses vettingun. "KLGJ i ka kushtuar rëndësi të veçantë edhe krijimit të një admistrate të re gjyqësore, profesioniste, të qëndrueshme, profesioniste dhe me integritet të lartë. Forcimi i kapaciteteve ka bërë të mundur evadimin më të shpejtë të stokut të dosjeve dhe po ndikon në krijimin tek publiku të perceptimit të një drejtësie më të shpejtë për qytetarët," - thotë kryetarja e KLGJ-së.
Drejtimet kryesore në të cilat do të vazhdojë reformimi i gjyqësorit në vitin 2023, janë digjitalizimi dhe rritja e eficiencës së shërbimeve gjyqësore. Lagami sqaron se "për këtë qëllim gjatë vitit 2023 do të zbatojmë hartën e re gjyqësore dhe do të identifikojmë partnerët që do të na mbështesin për të ngritur një sistem të integruar dhe modern të menaxhimit të çështjeve gjyqësore."
Një drejtësi e vonuar, është një drejtësi e mohuar
Gjykatat ofrojnë sot raste jo të pakta që vërtetojnë thënien e njohur një drejtësi e vonuar, është një drejtësi e mohuar dhe drejtësia e vonuar sjell pasoja negative tek qytetarët dhe ul besimin e tyre tek shteti i së drejtës. Që gjyqësori t'u japë drejtësi qytetarëve në kohë dhe të respektojë afatet kohore të përcaktuara në ligj, sipas kryetares Llagami KLD "do të rrisë numrin e punonjësve që ndihmojnë gjyqtarët për t'u krijuar atyre mundësi që të shqyrtojnë sa më shumë dosje gjyqësore duke i analizuar dhe kategorizuar ato paraprakisht. Ky është edhe modeli i Gjykatës së Lartë që mendojmë ta aplikojmë në Gjykatën e Apelit në Tiranë dhe atë Administrative. Një masë tjeër është rritja e kuotave të magjistratëve të rinj dhe stafeve administrative, që në katër vitet e fundit janë rritur me 300 vetë."
Sipas kryetares së KLD "megjithatë në Gjykatat e Shkallës së parë ka shtyrje në kohë të seancave gjyqësore. Kjo lë konflikte të pazgjidhura, palët konfliktohen më shumë dhe nga çëshjet e pashqyrtuara mund të arrihet në konflikte ekstreme mes palëve në proces gjyqësor. Si pasojë e vettingut dhe shkarkimit të gjyqtarëve prej tij, çështjet gjyqësore në një gjykatë kalojnë dorë më dorë tek gjykatësit, që përveç çështjeve të tyre marrin edhe ato të gjykatësve që janë shkarkuar ose janë në proces vettingu. Në këto kushte qytetari nuk merr shërbimin që kërkon dhe drejtësia nuk shkon atje ku duhet: tek qytetari." Sidoqoftë sipas Llagamit ligji parashikon që rastet urgjente, sensitive si ato për të miturit apo dhënia e urdhërave të mbrojtjes të kenë afate ligjore dhe asnjë nga gjykatat nuk mund t'i shkelë këto afate.
Masa disiplinore për gjyqtarët e korruptuar me zarfe me para
Nga KLGJ puna e gjyqtarit vlerësohet me anë të vlerësimit profesional, sqaron kryetarja Llagami, nga ana tjetër kur ka raste të shkeljes së ligjit ato trajtohen nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) që është krijuar dy vjet më parë dhe ka proceduar shumë raste gjyqtarësh për të cilat KLGJ ka marrë masa, duke filluar nga më të lehtat deri në ato ekstreme. Në bashkëpunim të ngushtë me ILD, në dy vitet e fundit janë inicuar 16 kërkesa për procedime ligjore.
"Pavarësia që i jep reforma në drejtësi vendimarrjes së gjyqtarit duhet të ecë krah për krah me llogaridhënien. Sot gjyqësori në Shqipëri ka pavarësi absolute dhe roli i politikës është "zero.” - thotë Llagami
A duhet mbrojtur sistemi gjyqësor dhe nga çfarë?
Sipas kryetares së KLD sistemi gjyqësor duhet mbrojtur patjetër "nga të gjitha retorikat që e baltosin sistemin gjyqësor. Vërtet tani, ky system nuk është në fazën e tij më të mirë por i duhet dhënë kohë të maturohet. Gjithsesi, tanimë i ka të ngritura të gjitha mekaninizmat dhe është i konsoloduar: ka institucionet e vettingut që po bëjnë punën e tyre, të pavarur. Nëse ka raste gjykatësish të korruptuar, qytetari ka institucione ku të drejtohet."
Një sfidë tjetër është sipas Llagamin fakti që "në Shqipëri ka retorikë politike dhe kjo tregon kulturë të mangët. Por ky nuk është fenomen vetëm shqiptar. Politika duhet të vetëpërmbahet, kur në lojë janë çështje gjyqësore. Politika i ka krijuar mekanizmat për situata që ka dyshime. Ka raste kur politika hesht, ka rastet kur politika e përdor sistemin gjyqësor në retorika. Ndërkohë që etika profesionale e ndalon gjyqësorin që të flasë."
Zbatimi i hartës së re gjyqësore fillon në shkurt 2023
Sipas kryetares së KLD-së sfidat për KLGJ-në gjatë vitit 2023 do të jenë zbatim i plotë të hartës së re gjyqësore dhe reduktimi i stokut të dosjeve të pashqyrtuara. Harta e re gjyqësore pothuajse e përgjysmon numrin e Gjykatave të Shkallës së parë. Dhoma e Avokatise e çuar miratimin e kësaj harte nga qeveria Rama në Gjykatën Kushtetuese. A do të fillojë zbatimi i kësaj harte në vitin 2023, apo do të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese?
Sipas kryetares së KLD Llagami "Harta e re gjyqësore është një detyrim ligjor që synon të garantojë ofrimin e shërbimeve, specializimin e gjyqtarëve dhe racionalizimin e shpenzimeve financiare. Deri më sot gjykatësit, në çdo gjykatë, merren me të gjitha çështjet: civile, penale, administrative dhe tregtare. Kjo pengon specializimin e tyre dhe për pasojë rritjen e eficencës, produktivitetit. Zbatimi i hartës së re gjyqësore, të miratuar nga qeveria Rama në korrik 2022 do të fillojë në shkurt 2023, kur në Shqipëri do të ketë vetëm një Gjykatë Apeli, në nivel kombëtar. Në maj, 28 gjykatat e shkallës së parë do të riorganizohen në 13 të tilla. Në korrik, gjashtë Gjykatat Administrative do të riorganizohen në dy të tilla. Riorganizimi i Gjykatave do të rrisë numrin e gjykatësve në secilën prej tyre dhe do të bëjë të mundur specializimin e gjykatësve."