1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Banka Botërore nis programin e ri të partneritetit

6 Prill 2023

Shqipëri: Banka Botërore nis programin e ri të partneritetit. Për të fituar sfidën e zbrazjes së vendit nga emigrimi, BB angazhohet të përmirësojë shëndetësinë, arsimin, mbrojtjen sociale dhe shërbimet publike.

https://p.dw.com/p/4PkNV
Banka Botërore nis programin e ri të partneritetit me Shqipërinë
Banka Botërore nis programin e ri të partneritetit me ShqipërinëFotografi: ullstein bild - Fotoagentur imo

Projekte zhvillimi që hapin më shumë vende pune, përdorim më të mirë të kapitalit njerëzor, rritje të qëndresës ndaj fatkeqësive natyrore dhe nxitje të digjitalizimit janë drejtimet kryesore të programit të ri të partneritetit mes Shqipërisë dhe Bankës Botërore (BB), 2023-2027, të dakordësuar me qeverinë e Tiranës.

Emanuel Salinas, përfaqësues i BB në Shqipëri, që prezantoi këtë program në Tiranë vuri në dukje që për realizimin e tij "BB i vë në dispozicion 900 milion euro Shqipërisë për pesë vitet në vijim. Tranzhi i parë është 360 milionë euro.”

Strategjia në programin e ri të partneritetit "synon të ndihmojë Shqipërinë të rimëkëmbet shpejt, të shndërrohet në një ekonomi më të fuqishme, më të barabartë, më elastike, më të gjelbër si edhe në jetë më të shëndetshme dhe më produktive për popullin shqiptar,” thekson Banka Botërore në deklaratën e saj.

Çfarë angazhimesh merr përsipër BB?

"Së pari krijimi i më shumë vendesh të mira pune, sidomos për rininë dhe gratë, mundësi më të mira për të shfrytëzuar maksimalisht talentin e njerëzve në vend, krijuar stimuj që njerëzit të qëndrojnë në Shqipëri dhe të kenë jetë produktive në vend,” tha Emanuel Salinas në një konferencë për shtyp duke sjellë në vëmendje një nga problemet më shqetësuese: largimin nga Shqipëria të rinisë dhe të profesionistëve të kualifikuar.

Emanuel Salinas në një konferencë për shtyp me kryeministrin shqiptar Rama
Emanuel Salinas në një konferencë për shtyp me kryeministrin shqiptar Rama Fotografi: Press Office, Albania Premiership

Sipas EUROSTAT-it në raport me popullsinë e saj Shqipëria renditet e para në botë për aplikimet për azil në BE. Vetëm në muajt janar-gusht 2022 pati 6,860 aplikime të tilla që përbëjnë një rritje prej 68 përqind në krahasim me një vit më parë. Britania e Madhe renditet në vendin e parë për numrin e të larguarve nga Shqipëria vitin e kaluar: në 6-mujorin e parë atje kërkuan azil 7.267 persona më shumë sesa në të gjitha vendet e BE.`

Për të fituar sfidën e zbrazjes së vendit nga emigrimi, BB angazhohet "të përmirësojë shëndetësinë, arsimin, mbrojtjen sociale dhe shërbimet publike,” njoftoi  përfaqësuesi i BB, Emanuel Salinas.

Projektet e para të miratuara për t'u zbatuar kanë një vlerë prej 355 milionë dollarësh dhe kanë të bëjnë me rehabilitimin e urave në rrezik, mbështetjen për bujqësisë, digjitalizimin e mëtejshëm të shërbimeve publike dhe ngritjen e laboratorëve digjitalë për fëmijët në 200 shkolla të vendit. Ndër to bën pjesë edhe financimi i politikave të zhvillimit për forcimin e aftësisë ripërtëritëse të ekonomisë.

Amnistia Fiskale - në tryezën e bisedimeve me BB

Nisma për amnesti fiskale e shpallur vitin e kaluar prej qeverisë Rama është pritur me rezerva nga Komisioni Europian pasi sipas tij amnistia fiskale "do të dobësonte kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave dhe mund ta kthejë Shqipërinë në një "parajsë fiskale” për pastrimin e parave”. Për të parandaluar që kjo të ndodhë Komisioni Europian dhe Delegacioni i BE-së në Shqipëri po japin ekspertizë për hartimin e ligjeve përkatëse.

Në takimin XII të Këshillit të Stabilizim-Asocimit mes Shqipërisë dhe BE, të zhvilluar muajin e kaluar në Tiranë, Rama e vlerësoi amnistinë fiskale si "gjënë e duhur për Shqipërinë që ne duam ta bëjmë së bashku.”

Amnistia fiskale është një temat e programit të ri të partneritetit të BB-së me Shqipërinë, në të cilin BB-ja po jep sugjerime dhe ekspertizë.

"Lidhur me amnistinë fiskale ne duhet ta shohim tablonë më të gjerë dhe tabloja më e gjerë ka të bëjë me qëndrueshmërinë fiskale. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për institucione më të forta, qeverisje të përmirësuar dhe rritje të kapitalit njerëzor, që janë jetike për të trajtuar sfidat e zhvillimit dhe për të promovuar një rritje të qëndrueshme dhe të barabartë,” tha përfaqësuesi në Shqipëri i BB, Emanuel Salinas.

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana