1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Arrestohen dy rusë dhe një ukrainas për spiunazh

21 Gusht 2022

Shqipëri: Policia e Shtetit arrestoi dy shtetas rusë dhe një ukrainas, të dyshuar për spiunazh. Ata tentuan të futen në Uzinën Ushtarake, në Gramsh.

https://p.dw.com/p/4FpjV
Symbolbild | Iran | Verhaftungen
Fotografi: YJC

Në detajet që jep për ngjarjen Ministria e Mbrojtjes në njoftimin e saj zyrtar, vë në dukje se „roja ushtarake në Uzinën Ushtarake të Gramshit, ka vënë re lëvizje të dyshimta të një personi që kishte hyrë brenda territorit dhe po tentonte të bënte fotografi".

Policia e Shtetit arrestoi dy shtetas rusë dhe një ukrainas, të dyshuar për spiunazh. Ata tentuan të futen në Uzinën Ushtarake, në Gramsh por u diktuan nga rojet ushtarake që ruajnë uzinën dhe përdorën lëndë kimike ndaj tyre kur ato i ndaluan të hynin në uzinë.

Pas njoftimit të përgjegjësit të rojeve ushtarake të uzinës, dy efektivat ushtarake, i bënë thirrje personit që të ndalojë, por ai tentoi të lagohet. Kur rojet e ndaluan ai ka përdorur ndaj tyre spray paralizues.

Sipas burineve zyrtare bëhët fjalë për shtetasin rus, Mikhail Zorin, 24 vjeç. Dy persona të tjerë që e shoqëronin atë, jashtë rrethimit të uzinës, Svjetlana Timofoena, 33 me pasaportë ruse dhe një person i dytë, 25 vjeç, me pasaportë ukrainase, identiteti i të cilit nuk është bërë i njohur, u ndaluan nga Policia e Shtetit, kur po largoheshin me një automjet tip „Chevrolet" me targa ukrainase.

Rojet ushtarake ndodhen në Spitalin e Traumës, në Tiranë, nën kujdesin e mjekëve për të kuruar problemet shëndetësore prej spray-t paralizues.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Shëndetësisë ata janë në gjendje të qëndrueshme, pa probleme akute helmimi dhe po kurohen nga ekipe të toksikologjisë, plastikës për djegie dhe ORL-së.

Hetime për spiunazh

Shërbimi Informativ Shtetëror dhe e Drejtoria e Anti-Terrorit  po zhvillojnë hetime për të zbardhur ngjarjen. Ka dyshime që aparati fotografik që kishte rusi Mikhail Zorin, është pajisje për spiunazh. Autoritetet kanë njoftuar Ambasadën e Rusisë në Tiranë dhe kanë kërkuar informacion për dy shtetasit rusë që tentuan të hyjnë në perimetrin e uzinës, të ruajtur nga roje ushtarake.

Kryeministri Rama në reagimin e tij për ngjarjen e cilësoi atë "një ngjarje delikate". Ish-i dërguari i SHBA-së në Kosovë, Richard Grenell, reagoi për incidentin në uzinën ushtarake të Gramshit në një postim në Twitter, ku bëri thirrje "të mos ngatërrohen me forcat shqiptare të sigurisë."

Uzina Ushtarake në Gramsh konsiderohet si objekt strategjik nga autoritetet e mbrojtjes. Ajo u ndërtua 60 vjet më parë, në vitin 1962 për të prodhuar armë për këmbësorinë e Forcave të Armatosura të tipit „Simonov" me licencë kineze. Në dekadat e fundit objekt i veprimtarisë së saj ka qënë demontimi i mbetjeve të armëve sovjetike dhe kineze si dhe riparimi i armëve ekzistuese.

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana