Shpresa për një çtensionim të konfliktit në Ukrainë
8 Maj 2014Shpresa të reja për një deeskalim të konfliktit në Ukrainë: Pas takimit në Moskë me presidentin e OSBE-së, Didier Burkhalter, presidenti rus Vladimir Putin i bëri thrrije seperatistëve në rajonin e Ukrainës lindore, që të shtyjnë planet për një referendum më 11 maj, mbi statusin e rajoneve kryesisht rusisht-folëse. Presidenti rus e ka justifikuar shtyrjen e këtij votimi me argumentin “që duhet të krijohen kushtet e nevojshme për dialog mes palëve”. Ai ka thënë gjithashtu se është i gatshëm të “gjejë rrugëzgjidhje për daljen nga kriza”.
Para gazetarëve ai deklaroi gjithashtu se: “Rusia ka tërhequr trupat e saj nga kufiri ukrainas, ato ndodhen në vendet ku kryejnë stërvitjet e rregullta dhe poligone. Lëvizja e trupave mund të verifikohet fare lehtë përmes mjeteve moderne të zbulimit. Nga hapësira shihet gjithçka”, ka deklaruar Putin në konferencën e përbashkët për shtyp me kreun e OSBE-së. Sipas Putin, zgjedhjet presidenciale të Ukrainës më 25 maj janë një hap “në drejtimin e duhur”, por vota e këtyre zgjedhjeve nuk do të vendosë asgjë, për sa kohë që nuk mbrohen të drejtat e të gjithë qytetarëve.
Ndërkohë NATO nga ana e saj nuk sheh shenja për një tërheqje të trupave ruse nga zona kufitare e Ukrainës. Sekretari i përgjithshëm Anders Fogh Rasmussen kërkoi nga Moska gjatë një vizite në kryeqytetin polak,që të tëheqë trupat e saj. Rusia po bën„ një veprim të paligjshëm dhe jolegjitim kundër Ukrainës“, kritikoi ai. Ndërkohë që përshëndeti kërkesën e Putinit ndaj seperatistëve për shtyrjen e referendumit në Ukrainën lindore.
Pas deklaratave të Putinit , kancelarja gjermane Angela Merkel përmes një bisede të shkurtër telefonike ka propozuar një "tryezë të rrumbullakët" me pjesëmarrjen e të gjitha palëve në konflikt për zgjidhjen e krizës në Ukrainë. Putin nga e tij i është përgjigjur pozitivisht propozimit të kancelares. Kryeministri ukrainas, Arseni Jazenjuk ndërkohë i cilësoi deklaratat e Putinit si „boshe". Seperatistët prorusë nga ana e tyre njoftuan së do ta rishqyrtojnë referendumin e planifikuar për të dielën.
mck (dpa, afp, rtr)