Intervistë me Dževad Karahasanin
9 Gusht 2012Deutsche Welle: Zoti Karahasan, së fundi është publikuar në gjuhën gjermane libri juaj me ese "Hijet e qyteteve". Në të ju përshkruani qytetin tuaj të lindjes, Sarajevën si një qytet që të nxit të shkruash. Me çfarë ka të bëjë kjo?
Dževad Karahasan: Unë mendoj se ka shumë shpjegime. Nga njëra anë historia prezantohet me shumë intensivitet në Sarajevë. Ky qytet i vogël është djegur disa herë që kur është krijuar, është rrethuar, madje dhe gati ka qenë duke u zhdukur. Nga ana tjetër në Sarajevë jetojnë njerëz me besime të ndryshme, me etni të ndryshme, që flasin gjuhë të ndryshme, jetojnë së bashku, krah njëri tjetrit, kundër njëri tjetrit, - kështu që njerëzit janë gjithnjë të vetëdijshëm për identitetin e tyre kulturor. Dhe vazhdimish në prani të të tjerëve.
Është kjo që ju ka shtyrë të shkruani për Sarajevën? Prezenca e tjetrit, që bën kaq të rëndësishme identitetin?
Unë mendoj se po. Sidoqoftë qyteti ka ndikuar tek unë për të krijuar një distancë me veten time. Dhe që ku kam filluar të tregoj, të tregoj me vetëdije, unë përpiqem të tregoj për Sarajevën.
Shpirti krijon distancë
Ju jeni larguar nga Bosnja në vitin 1993, gjatë luftës. Ndërkohë ju jetoni në Sarajevë, Grac dhe vende të tjera. A është kjo distancë e rëndësishme, për "t´ju afruar" në njëfarë mënyre më shumë?
Sigurisht që po! Shpirti prodhon vetë një distancë me veten. Ëndërra për një gjendje parajse, ëndërr për të cilën ëndërrohet në kulturën tonë që nga koha e helenizmit, janë në fakt ëndërra për një gjendje ku shpirti nuk ekziston, për një identitet më vete. Por për fat të keq kjo nuk mund të ndodhë, sa kohë që jemi njerëz, jemi edhe qënie shpirtërore. Shpirti krijon distanë dhe një lloj vetëdije.
E thënë shkurt kjo do të thotë se njeriu budallallepset, nëse ka arritur në gjendjen e parajsës…tamam kështu është!
Sa të rëndësishme janë vendet e ndryshme në jetë, për sferat e ndryshme të shpirtit tuaj, për të shkruarin?
Kjo distancë gjeografike më krijon mundësi që ta përjetoj Sarajevën më qartë dhe më mirë, ta shikoj dhe shpresoj, ta përshkruaj më mirë. Sepse nëse ekziston një distancë e caktuar mund të shohësh më mirë, kuptosh më mirë. Prandaj për mua është shumë produktive, që të largohem përkohësisht nga ky qytet, në mënyrë që të kthehem edhe më i hapur tek ai.
I rritur në tre botë
A keni përjetuar si fëmijë të njëjtën gjë? Ju keni lindur mysliman, jeni rritur me edukatën kristiane dhe mbase e keni përjetuar edhe këtë si një lloj distancimi, apo jo?
Unë kam qenë shpesh në Manastirin Franceskan, për të mësuar tek franceskanët latinisht dhe greqisht. Unë kam pasur komunikim shumë intensiv me ta, kështu që jam rritur mes tre botëve. Im atë ka qenë një komunist i bindur, nëna ime ishte myslimane, shumë shokë dhe mësues ishin franceskanë. Keni të drejtë, unë nuk mund të rritesha pa u distancuar nga vetja ime. Sepse që atëherë, në moshë të re unë kam qenë shumë i vetëdijshëm për kompleksitetin njerëzor.
Pikërisht kjo ju ka bërë më vonë në jetën si shkrimtar ngritës urash, dhe kjo është edhe një nga arsyet pse morët tani Medaljen Gëthe. A e keni ndjerë veten edhe më parë si ngritësh urash?
Të them të drejtën jo. Për mua është krejtësisht normale që njerëzit, meqenëse kanë shpirt, ose meqenëse janë mallkuar të kenë shpirt, të jetojnë në shumë kultura dhe të jenë të vetëdijshëm se identiteti i tyre është një fenomen fluid.
Frika si instrument për skllavërimin e njerëzve
Për ju është e vetëkuptueshme, por me sa duket për shumë të tjerë jo, që të flitet kaq shumë për "Dialogun e kulturave". A ekziston vërtet një dialog i tillë?
Unë mendoj se po. Që nga kohërat e lashta ka pasur njerëz që duan të ushtrojnë pushtet. Ata prodhojnë frikëra, keqkuptime. Sepse është më e lehtë të qeverisësh dhe sundosh njerëz të frikësuar. Frika është instrumenti më i mirë për skllavërimin e njeriut. Por që në kohët e lashta, ka pasur njerëz që duan të jetojnë jetën e tyre, pa pretendime për pushtet dhe pa frikë nga pushteti. Këta njerëz zhvillojnë një dialog. Dialogu i kulturave zhvillohet pa pushim. Ai pengohet herë pas here me qëllim duke prodhuar frikëra. Megjithatë ai vazhdon.
Dževad Karahasan, ka lindur më 1953. Ai është shkrimtari më i rëndësishëm i brezit të rij. Ai shkruan romane, pjesë teatrale, pjesë për radio dhe ese. Më 28 gusht ai merr në Vajmar Medaljen Göthe. Që prej largimit nga Sarajeva e luftës, Karahasan ka krijuar një marrëdhënie të ngushtë me gjuhën gjermane. Ai ka qenë tashmë docent i ftuar në Salcburg, lektor në Gëtingen, bursist i DAAD-së në Berlin dhe ka marrë çmim letrar nga qyteti i Gracit (Stadtschreiber). Me Medaljen Göthe ai nderohet për angazhimin për mirëkuptimin evropian dhe ngritës i urave midis vendeve gjermanofolëse dhe Bosnjës.