310811 Pentagon Krieg Geldverschwendung
31 Gusht 2011Siç duket të dyja pyetjet e shtruara janë mëse të drejta. Sepse, citat nga raporti: "të paktën një në gjashtë dollarë, që SHBA-ja ka dhënë gjatë këtyre dhjetë vjetëve për porositë dhe ndihmat në Irak e në Afganistan, janë shpenzuar më kot. Këto janë 30 miliardë dollarë dhe së paku edhe po kaq para të tjera mund të rezultojnë si të shpenzuara më kot, në rast se qeveritë e vendeve marrëse janë të paafta dhe të pavullnetshme për t'i çuar deri në fund projektet me financim amerikan, pas përfundimit të angazhimit tonë atje."
Gati nuk njihet koncepti i alternativave me kosto më të favorshme
Një në gjashtë dollarë ose janë paguar kot, ose janë vjedhur! Edhe 30 miliardë dollarë të tjera mund të rezultojnë si të shpenzuara më kot, në qoftë se projektet me financim amerikan nuk do të vazhdohen. Këto shifra janë marramendëse, por edhe më shokuese është nëse hedh një vështrim në shkaqet. Sepse nëse firmat private me porosi të qeverisë së SHBA-së kanë ndërtuar komplekse ushtarake, vendstrehime, aeroporte apo kanë ruajtur diplomatët, nëse ato kanë qenë përgjegjëse për furnizimin me ushqime, benzinë, apo programe kompjuterike - nëpunësit kanë përgatitur kontrata të formuluara në mënyrë evazive, shpesh pasi ata kishin livruar shumë para. Si Pentagoni, ashtu edhe Ministria e Jashtme, pothuajse nuk e njohin konceptin e kërkimit për alternativa me kosto më të favorshme dhe më kuptimplota. Që disa gjëra kanë ndryshuar në muajt e fundit, këtë e di edhe anëtari i komisionit Grant Green. Por ofeceri në pension sheh me shqetësim drejt së ardhmes së afërt në Irak, sepse ushtria e SHBA-së do të tërhiqet në shkallë të gjerë deri në fund të vitit.
Green: "Nëse misionin e merr përsipër Ministria e Jashmte, ka vetëm një rrugë për ta përmbushur atë: me sipërmarrës privatë. Vetëm për sektorin e sigurisë Ministria e Jashtme parashikon shtimin e partnerëve kontraktues nga aktualisht 2.700 deri në 6.000 apo 7.000. Por duhen llogaritur edhe të tjerë që marrin përsipër lëshimin e dokumentacionit dhe kontrollin ndaj aksesit në të."
Kryerja e një punë për qeverinë në Afganistan ose në Irak ka rrezikshmëri
Të kryesh një punë për qeverinë e SHBA-së në Afganistan ose në Irak, kjo është e rrezikshme. Ai që e merr përsipër një gjë të tillë duhet të paguhet mirë. Këto janë ose ndërmarrje vendase të nënkontraktuara, ose ish-ushtarë të SHBA-së, të cilët pas një angazhimi në luftë krijojnë firmat e tyre duke e ditur mirë, se si funksionon burokracia si në vendin përkatës, ashtu edhe në Pentagon. Herë pas here kanë vepruar në të dyja vendet 260.000 firma private me porosi të qeverisë së SHBA-së - me shumë më tepër personel se ai i vet qeverisë. "Ne mbështetemi shumë tek sipërmarrjet private, por njëkohësisht kemi një menaxhim të keq të kontratave dhe një mbikëqyrje të dobët të tyre." thuhet në raportin e komisionit.
Green: "Kur unë i shtrova pyetjen një punonjësi të Ministrisë së Jashtme: A jeni të pajisur me numrin dhe cilësinë e duhur të personelit për t'i mbikëqyrur kontratat, përgjigjja ishte: Jo. E kjo në situatën aktuale. Problemi do të ashpërsohet kur të shtohen këtej e tutje edhe qindra sipërmarrje."
E kjo, siç thkeson Grant Green për radion NPR, pavarësisht nga mprehtësia politike, që sjell me vete bartja e detyrave të sovranitetit dhe atyre ushtarake tek privatët.
Komisioni me përbërje mbipartiake i propozon kongresit hapa konkretë. Në krye të listës së propozimeve, që publikohet sot (31.08.2011) edhe në internet: është angazhimi i më shumë njerëzve, që bëjnë analiza të riskut, që përpilojnë në kohën e duhur kontrata të sakta me klauzola për mbajtje përgjegjësie dhe që në këtë kontekst ndjekin me përpikmëri zbatimin e tyre. Përveç kësaj duhet ose të bllokohen menjëherë të gjitha ato projekte, që nuk kanë efekt të qëndrueshëm afatgjatë, ose ato të ndryshohen. Nuk duhet të ndodhë e njëjta gjë si me 11,4 miliardë dollarët e taksave të SHBA-së, që dyshohet se i kanë marrë forcat afgane të ushtrisë dhe të policisë për vendstrehime dhe sheshe stërvitjeje. Lidhur me këtë një nëpunës i Pentagonit i deklaroi komisionit, që u shtang prej kësaj, se: "Kur ne të jemi larguar, afganët nuk do t'i përdorin më këto komplekse."
Autor: Silke Hasselmann / Vilma Filaj-Ballvora
Redaktoi: Elert Ajazaj