1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shoqëria shqiptare e prekur nga dhuna ndaj gruas

Arben Muka26 Nëntor 2013

Aktivistë të shoqërisë civile në Shqipëri kanë nisur zbatimin e strategjisë për fuqizimin e grave, një lëvizje ku ftohen të angazhohen burra e djem në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.

https://p.dw.com/p/1AOjy
Fotografi: DW/A. Muka

Media raporton në mënyrë sistematike ngjarje për ushtrim të dhunës ndaj grave. Nuk mungojnë dhe raste në ekstrem, kur ato goditen për vdekje, në rrethana xhelozie, mosbindje të urdhërit nga familjarët, nga bashkëshortë në gjendje të dehur, ose në kushte depressive etj. Por ekspertët mendojnë se janë dhe shumë raste të tjera, të cilat kalojnë në heshtje, nuk raportohen, ose u fshihen autoriteteve. Kjo më shumë është pjesë e realitetit në zona periferike dhe rurale të vendit.

Meleqe Rënja është mësuese në pension, por nuk e ka ndërprerë aktivitetin e saj në mbrojtje të të drejtave të femrave rome. Si drejtuese e organizatës joqeveritare “Gruaja Rome e së Nesërmes” ajo thotë se gjërat kanë lëvizur me ngadalësi. Përmirësimi i situatës është shumë i brishtë dhe ka shumë raste, që nuk raportohen nga vajzat dhe gratë, shprehet ajo për DW.

Policia indiferente ndaj denoncimeve tona

“Tani dhuna fizike po kamuflohet me dhunën psikologjike. Prindi, burri, vëllai e trajton më harbutëri vajzën, gruan apo bashkëshorten. Nuk ngre dorë, por e detyron që të sillet si skllave në familje. Në dy vitet e fundit shumë gra rome kanë denoncuar në polici ushtrimin e dhunës, kanë kërkuar mbrojtje. Por jo gjithmonë policia ka qenë serioze në detyrë. Me zë të ulët, apo prapa krahëve efektivë të policisë janë shprehur pas denoncimeve se “ju gratë rome po këtë punë keni duke u grindur me burrat”. Kjo është fyese, sepse këto fjalë dëgjohen nga njerëzit e shtetit, nga ata që duhet ta mbrojnë qytetarin, pavarësisht se është rom, egjiptian, arumun, apo kushdo qoftë. Jemi ankuar në polici për sjellje të tilla dhe kemi porositur gratë, që nëse hasin sërish në situata të tilla, do të organizojmë protesta para ministrisë së brendshme dhe deri te godina e qeverisë.”

Meleqe Rënja, aktiviste në mbrojtje të të drejtave të femrave rome.
Meleqe Rënja, aktiviste në mbrojtje të të drejtave të femrave rome.Fotografi: DW/A. Muka

Fabiola Laço – Egro, drejtore ekzekutive e Qendrës për Zhvillim Komunitar “Sot për të ardhmen” në zonën informale të ish-Kënetës në periferi të qytetit të Durrësit, mendon se fenomeni i ushtrimit të dhunës ndaj grave nuk ka të ndalur. Ajo tregon shifrat për vitin e kaluar, kur janë raportuar 2036 femra si viktima të dhunës në familje. Burrat kanë qenë autorët e krimit në shumicën e rasteve, thotë ajo për DW.

Po angazhojmë dhe burrat e djemtë në luftën kundër dhunës

Gjatë këtij viti qendra jonë në kuadër të mekanizmit të referimit të rasteve të dhunës në bashkëpunim me policinë e shtetit ka raportuar 392 raste të marrjes së urdhrit të mbrojtjes për Tiranën dhe 143 raste për Durrësin dhe 20 viktima nga krimi i dhunës në familje. Ndërkohë duhet theksuar fenomeni i ri, që gjate këtij viti gjysmat e autorëve të krimit kanë vrarë veten më pas. Kini parasysh që në këto shifra nuk futen raste të tjera, që nuk janë denoncuar dhe për pasojë nuk janë të regjistruara nga policia. Mesatarisht dy gra çdo muaj vriten nga bashkëshortët e tyre, nga ish-bashkëshortët, apo të dashurit. Strategjia jonë e re e lëvizjes për fuqizimin e grave është që të angazhohen burra e djem në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave”.

Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të ardhmen” është aktualisht në veprimtarinë sensibiluzese “16 ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, që është pjesë e fushatës ndërkombëtare që zhvillohet çdo vit, duke filluar nga 25 Nëntori, që njihet si Dita Ndërkombëtare e Eleminimit të Dhunës ndaj Grave dhe deri më 10 Dhjetor, që është dhe Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut.

Meleqe Rënja, nga organizata joqeveritare “Gruaja Rome e së Nesërmes”, tregon se ka një orientim drejt punës me moshat e vogla, sipas saj duke i ndërgjegjësuar vajzat dhe prindërit e tyre, që të vazhdojnë shkollën.

I rëndësishëm arsimi vajzave të komunitetit

Arsimimi është një armë e fuqishme që të integron në jetë. Nuk të çon tek burri që fëmijë, të krijon lehtësi për të punuar dhe të krijon pavarësi ekonomike. Një nga shkaqet, që grate dhe vajzat rome dhunohen sot, është fakti se ato nuk kanë punë dhe jetojnë në kushte mizerabël. Ndaj këmbëngulim, që vajzat e vogla duhet të shkojnë në shkollë dhe ta ndjekin dhe në klasat e larta. Ne jemi duke u përpjekur që të kemi projekte në zona larg Tiranës, aty ku problemet e grave të komunitetit tonë janë dhe më të mprehta. Ato vuajnë dhe askush nuk raporton, duke e kaluar diskriminimin në heshtje totale. Aty, ku kemi qenë prezentë, kemi krijuar ndjeshmëri dhe kemi gjetur bashkëpunim për t'i thënë jo dhunës në të gjitha format, që ajo shfaqet”, thotë Meleqe Rënja për DW.“

Albanien Gewalt gegen Frauen Tirana
Fotografi: DW/A. Muka

Fabiola Laço-Egro nga Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të ardhmen” në Durrës e konsideron si mjaft efikas rrjetin e reagimit të koordinuar kundër dhunës në familje, një struktrë e shoqërisë civile e ngritur në partneritet të ngushte me qeverinë vendore dhe me mbështetjen e qeverisë, si dhe nga Programet e Kombeve te Bashkuara.

Rrjeti sillet si një mekanizëm konkret në ndihmë të viktimave të dhunës në zbatim të ligjit të vitit 2006 “Për masat ndaj dhunës në marrëdheniet familjare”.

“Rrjeti i Qendrave të zhvillimit komunitar ‘Sot per te Ardhmen' është aktor i rëndësishem në këtë strukturë dhe në partnetitet me Bashkinë e Durrësit dhe Bashkinë e Tiranës kanë vënë në dispozicion një numër të gjelbër, pa pagesë, në ofrim të shërbimit të specializuar psikologjik dhe juridik, shërbim ballë për ballë, si dhe trajtimin e rasteve të dhunës, apo referimin e rasteve për procedim të aktorët e tjerë të rrjetit, si gjykata, prokuroria , policia, qendrat shendetesore etj. Në bashkëpunim me një prej universiteteve në Tiranë në datën 25 nëntor që njihet dhe si Dita Ndërkombëtare e Eleminimit të Dhunës ndaj Grave, organizuam hapjen e fushatës me Ditën Portokalli, në bulevardin kryesor të Tiranës. Dhjetëra qytetarë na u bashkuan për të dhënë mesazhet e tyre kundër dhunës me bazë gjinore dhe në familje, si dhe për të treguar përfshirjen e burrave në përpjekje për të ndalur këtë dhunë”.

Aktivistët e rrjetit të Qendrave Komunitare “Sot për të Ardhmen” do të vijojnë me të tjera aktivitete ndërgjegjësuese gjatë gjithë fushatës së “16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, por dhe në periudha të tjera të për ta mbajtur të gjallë aksionin e tyre në shërbim të komunitetit.