1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përfytyrimi për veteranët e rinj

Vera Kern/ Auron Dodi31 Maj 2014

Më shumë misione jashtë vendit do të thotë edhe më shumë ushtarë që kthehen: si vepron Gjermania me ta? Për herë të parë do të mbahet një ditë për veteranët. Por politika dhe shoqëria e ka të vështirë me të kthyerit.

https://p.dw.com/p/1C9dH
ushtare gjermane ne Afganistan
Fotografi: picture alliance/dpa

Pas Afganistanit, asgjë nuk është si më parë. Katër gërma e përcaktojnë jetën e Holger Roßmeierit pas angazhimit të tij jashtë vendit: PTBS, sindromë e rëndimit posttraumatik. Ai sheh ëndrra të këqia, e kap paniku dhe ka shpërthime të pakontrolluara agresioni. Por plagët shpirtërore nuk janë i vetmi shqetësim i tij. "Më vjen turp, që djemve të mi u duhet të dëgjojnë: babai yt është vrasës", tregon ushtari në librin "Operacioni Kthimi në Shtëpi", të gazetares Ulrike Scheffer dhe të fotografes Sabine Würich. Një ushtare tjetër, e portretuar në libër tregon se një ish-mësuese e ka quajtur njëherë "vrasëse me pagesë".

Shumë prej ushtarëve ankohen se nuk pranohen nga shoqëria. "Qytetari në rrugë nuk interesohet për politikën e sigurisë", thotë Uwe Köpsel nga Shoqata e Bundeswehrit Gjerman në bisedë me DW. Në popull ekziston një "deficit vëmendjeje", kur bëhet fjalë për angazhimin e Bundeswehrit në botën e jashtme. Misione të vështira ushtarake në zona krize, ushtarë të vrarë dhe veteranë të traumatizuar: "një temë e parehatshme", mendon Köpsel.

Ushtari Holger Roßmeier
Ushtari Holger Roßmeier: "realiteti i ri i Bundeswehrit nk arrin te pjesa më e madhe e gjermanëve!"Fotografi: Sabine Würich

Populli nuk dëshiron misione në botën e jashtme

Fakt është: rreth 4800 ushtare dhe ushtarë angazhohen aktualisht për Bundeswehrin jashtë vendit në rajone krize. Shumë janë ende në Afganistan, por edhe në Kosovë, në Bririn e Afrikës ose në Mali. "Tek shumica e njerëzve realiteti i Bundeswehrit thuajse nuk depërton", thotë ushtari Holger Roßmeier.

Njëkohësisht, politikanët nuk lodhen së theksuari: Gjermania duhet të marrë në të ardhmen më shumë përgjegjësi në botën e jashtme. Kjo megjithëse ministri i Jashtëm, Frank Walter Steinmeier flet për një "hendek të thellë midis elitave të politikës së jashtme dhe opinionit të gjerë publik". Sepse dy në tri gjermanë, sipas një studimi të Fondacionit Körber e kundërshtojnë shtimin e angazhimeve në botën e jashtme. Si krijohet ky hendek midis asaj që vendosin politikanët dhe asaj që e konsideron të drejtë masa e gjerë?

Luftërat janë shumë larg Gjermanisë

Një shkak: lufta është e vështirë t'i përcillet shoqërisë gjermane. Sepse që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore, 70 vjetë më parë, gjermanët janë mësuar me paqe. "Këto misione të largëta kontribuojnë që përfytyrimi për ushtarët dhe pranimi i tyre të mbeten të paqarta", thotë historiani ushtarak Klaus Naumann nga Instituti i Hamburgut për Kërkimet Sociale në bisedë me DW. Shumë në Gjermani mendojnë: si na prekin ne këtu zona krize si Afganistani apo Sudani i Jugut? Po si mund të ndryshojë përfytyrimi për ushtarët që kthehen, për veteranët?

Sociologu Klaus Naumann
Sociologu Klaus Naumann: "Opinioni i percepton të kthyerit kryesisht si viktima të luftës."Fotografi: HIS/Bodo Dretzke

A ka Gjermania nevojë për një kulturë të kujtimit të veteranëve?

Shoqata interesash si Shoqata e Veteranëve Gjermanë kanë kohë që kërkojnë një ditë zyrtare kujtimi. Ish-ministri i Mbrojtjes, Thomas de Maizière tha dikur se e mbështeste një ditë të tillë. Por pasardhësja e tij, Ursula von der Leyen deri tani nuk është shprehur për këtë. Prandaj Shoqata e Veteranëve Gjermanë organizon këtë vit vetë një ditë veteranësh (31.05.2014).

Von der Leyen prezanton në vend të kësaj një "Libër të kujtesës" - në 20 tabela bronzi aty shkruhen emrat e ushtarëve të vrarë të vrarë që prej vitit 1955 në shërbim: "Me këtë ne tregojmë: nuk harrojmë askënd", shprehet von der Leyen. Çdo emër meriton falenderimin e saj të thellë.

Ministrja e Mbrojtjes Ursula von der Leyen
Ministrja e Mbrojtjes Ursula von der Leyen kërkon më shumë misione jashtë venditFotografi: JOHANNES EISELE/AFP/Getty Images

Nuk është fjala për të krijuar një kulturë të përkujtimit të veteranëve si në SHBA. Shumë më tepër bëhet fjalë për pranimin e një realiteti të ri: Gjermania dërgon më tepër ushtarë në botën e jashtme- dhe si rrjedhojë kthehen edhe më shumë ushtarë. Mendimin e shoqërisë mund ta ndryshojnë edhe filmat artistikë ose seriale filmash policorë si p.sh. Tatort, të cilët trajtojnë misionet në botën e jashtme.