1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpëtimi në momentin e fundit

Christoph Hasselbach / Angelina Verbica25 Mars 2013

Qiproja, BE-ja dhe FMN-ja ranë dakord për një plan për bankat e vendit në krizë. Në këtë mënyrë mënjanohet falimentimi i shtetit. Shumë investitorë të mëdhenj përballen me humbje të rënda.

https://p.dw.com/p/183dW
Fotografi: Reuters

Nuk ishte vetëm nata e gjatë e negociatave, por edhe ditët qenë me debateve të ethshme. Sidoqoftë në fund të gjithë dolën të kënaqur, madje edhe ministri qipriot i Financave, Mihalis Sarris: "Në bazë të rrethanave, ne kemi arritur rezultatin më të mirë të mundshëm." "Dalja katastrofale nga eurozona" ështe shmangur. Nëse nuk do të ishte arritur rezultati në atë orë të vonë të natës, do të rrezikonte falimentimi bankar dhe shtetëror. Banka Qendrore Evropiane kishte deklaruar se deri të hënën (25.03.2013) do t'i jepte bankave qipriote ndihmë emergjente likuiditeti.

Depozitat deri në 100.000 euro nuk do të preken

Zgjidhja është tani një aksion i gjerë rikuperimi në sektorin financiar qipriot të zhytur në borxhe, që duhet të verë në dispozicion disa miliardë euro si kontribut të Qipros për paketën e shpëtimit. Ndërsa BE-ja do të japë dhjetë miliardë euro kredi. Banka Laiki, banka e dytë më e madhe në vend, do të shpërbëhet." Letrat e këqia me vlerë do të dërgohen në një "bad bank". Pjesa tjetër e depozitave bankare do të shkojë në bankën më të madhe të vendit, Bank of Cyprus, gjithashtu e dëmtuar. Të gjitha depozitat në Bankën e Qipros, që arrijnë mbi 100.000 Euro, fillimisht do të mbahen të ngrira. Pronarët e tyre duhet gjithsesi të kontribuojnë në financimin e sektorit bankar, se në çfarë përmasash nuk është vendosur ende. Ndoshta kontributi mund të jetë deri në 40 për qind. Me rëndësi për Eurogrupin ishte që të gjitha depozitat nën 100.000 euro të mbrohen. Qëllimi ishtë për të treguar, se garancia evropiane për depozitat vlen deri në këtë shumë. Fillimisht u tha, se të gjithë investitorët në të gjitha bankat qipriote duhej të jepnin një kontribut. Kjo ngjalli dyshime në të gjithë Evropën për garantimin e depozitave evropiane.

Zypern Bankenkrise
Fotografi: picture-alliance/dpa

Sektori bankar në Qipro tkurret

Ministri gjerman i financave Wolfgang Schäuble u tregua në fund i kënaqur, "që kemi arritur tani atë, që ka qenë gjithmonë pozicioni ynë". Për kostot e falimentimit të dy bankave tani do të kërkohet ndihma e pronarëve dhe investitorëve. Përveç kësaj, sektori bankar qipriot do të shkurtohet në një nivel më të arsyeshëm. Ky vendim është paraprirë nga një debat i paparë në mes të eurogrupit dhe Qipros. Qiproja nuk donte t'i rëndonte aspak investitorët, në mënyrë që të mos rrezikonte atraktivitetin e vendit si një qendër financiare ndërkombëtare. Të gjithë pjesëmarrësit një javë më parë patën rënë dakord në parim për një plan, që nuk është shumë më i ndryshëm nga rezultati aktual. Shefi i Eurogrupit Jeroen Dijsselbloem pranoi se, "mjetet që kemi zgjedhur tani, mund t'i kishim zgjedhur edhe një javë më parë", por atëherë nuk do të kishte qenë i mundur politikisht i njëjti rezultat. "Tani ne kemi një zgjidhje më të mirë, por në kushte më të këqija." Ajo ëshë më e mirë, për shkak se vepron më e përqëndruar në bankat e prekura.

Imazh i dëmtuar

Por ndërkohë një pjesë e madhe e besimit ka humbur. Komisioneri i BE-së për Çështjet Monetare, Olli Rehn, fillimisht i pati influencuar të gjithë pjesëmarrësit negativisht: "Për fat të keq ngjarjet e fundit kanë çuar në një situatë, në të cilën nuk ka më zgjidhje optimale. Sot mbeten vetëm opcionet e vështira. Eshtë e qartë", pati thënë Rehn para takimit tha se: "e ardhmja e afërt për Qipron është shumë e vështirë." Parlamenti qipriot, i cili me refuzimin e tij e pezulloi marrëveshjen e parë, nuk do të votojë më tani. Po edhe në mes të partnerëve europianë këto ditë janë dëmtuar shumë gjëra. Kancelarja gjermane Angela Merkel u mbajt në Qipro si përgjegjësja për kërkesat e papranueshme dhe atje treguan fotografi karikaturë të Merkelit me mustaqe si të Hitlerit. Ministri francez i Financave Pierre Moskovici e quajti sektorin bankar qipriot "një lloj ekonomie kazinoje". Schäuble tha në gazetën "Welt am Sonntag" (24.03.2013) se është e njohur: "që ai nuk lejon njeri t'i bëjë shantazh." Gatishmëria që në rast nevoje të lejohej që vendi, të shkonte në falimentim, u rrit ndjeshëm pak para takimit vendimtar. Ky rrezik duket se është shmangur tani për tani.